Kristaqi i vajit të palmës, ia “la në derë” Dhimitrit, trafikun e 200 kg kokainë nga Kolumbia

553

Biznesmeni nga Gjirokastra, nën maskën importit bënte trafikun e drogës

Sigal

Prej 3 vitesh, është në kërkim për tjetër vepër penale. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, në Shkresën Nr. prot 973/9 datë 05.10.2017, dërguar Prokurorisë Gjirokastër, i konfirmon Kristaq Llambi Kotro, se ka kryer transaksione të shumta e në vlera të larta në banka greke e shqiptare, si gjoja broxhe, hua e dhurime nga Theodhori Simo, Arjan Lazaj, dy bashkëpunëtorët e tij në trafikun e kokainës si dhe transaksion jashtë bankar 1 milionë USD me një shtetas grek

Kohët e fundit, kemi hasur mjaft raste kur në Portin e Durrësit, janë zbuluar sasi të konsiderueshme droge dhe se arrestimet e policisë e hetimet prej prokurorisë, kanë qenë në nivele të ulëta, duke shkuar deri tek shoferi i kamionit apo magazinierët dhe aty ndalen. Ndërsa në disa raste të tjera, hetimet dhe arrestimet janë shtrirë deri te drejtuesit e kompanive importuese të frutave ekzotike, por Prokuroria e Krimeve të Rënda, madje dhe SPAK, nuk kanë vepruar për t’i ngjitur më lart tek emrat komandues.

Por nuk është hera e parë, që hetuesit dhe autoritetet policore, ngelin në “provimin” që të huajt u bëjnë partnerëve të tyre shqiptarë, për të parë besueshmërinë dhe vendosmërinë në luftën kundër trafikut të drogës.

Rasti i biznesmenit Kristaq Llambi Kotro nga Gjirokastra, i cili nën maskën importit të vajit të palmës, bënte trafikun e kokainës, tregon se nuk është hera e parë, që Prokuroria Shqiptare përfshihet në dështime të qëllimshme të dosjeve hetimore, me aktivitet trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Shqipërisë.

Gjatë një aksioni antidrogë më 21 mars 2011, me objekt kapjen e 200 kg kokainë e shkrirë në 52 fuçi me vaj palme të nisur nga Kolumbia, çuditërisht, kur kokaina mbërriti në Gjirokastër, prokuroria shqiptare e mbylli me vetëm një të arrestuar, i cili ishte Dhimitros alias Vullnet Harizaj. Ky i fundit, për këtë rast të futjes së 200 kg kokainë në vajin e palmës, i cili ishte sjellë nga Kolumbia në Gjirokastër;, u dënua 8 vite burg me akuzën “Trafik i Narkotikëve, mbetur në tentativë”. Çudia është se, Vullnet Harizaj, si menaxhues i dërgesës së kokainës nga Belgjika në Gjirokastër, të gjitha dokumentet e përfaqësimit, transportit, zhdoganimit e destinacionit fundor të magazinimit të ngarkesës, i kishte të kompanisë “Interkris” shpk., të Kristaq Kotro.

Por për çudi, Kristaq Kotro nuk u arrestua, megjithëse u vërtetua dhe u pranua edhe nga vetë ai pas arrestimit, se kishte vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin, autorizimet e blerjes, pagesat e faturave dhe magazinat e kompanisë së tij “Interkris” shpk., në Derviçan-Gjirokastër, ku u kapën fuçitë me vaj palme e kokainë.

E habitshme është, se si Kristaqi i vajit të palmës, u shpëtoi “darëve” të drejtësisë shqiptare, dhe se si u favorizua hapur nga prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, duke ia fshirë provat e veprës penale e lënë të lirë. Kristaq Kotro, kishte vënë gjithçka të kompanisë së tij në shërbim të Vullnet Harizaj, Arjan Lazaj dhe Theodhori Simo, mirëpo çuditërisht në burg shkoi vetëm Vullnet Harizaj, por jo Kotro dhe 2 bashkëpunëtorët e tjerë, më të cilët ka bërë shumë transaksione financare në vlera të mëdha. Në procesin gjyqësor, Vullnet Harizaj përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, ndërkohë që gjatë gjithë procesit gjyqësor, zgjodhi të heshte, megjithëse jashtë sallës së gjyqit, u tha se nuk kishte asnjë mundësi zyrtare, policore e financiare, që ai të ishte trafikanti i 200 kg kokainë, mbasi vlera e saj ishte afro 10 milionë euro. Ftesa e akuzës për ta bërë bashkëpunëtor të drejtësisë, u refuzua dhe 55-vjeçari kërkoi pafajësi, me justifikimin se kishte porositur fuçi me vaj palme e nuk dinte asgjë se çfarë kishte ndodhur. Por asnjëherë nuk tregoi përmbajtjen e bisedës që kishte bërë me Kristaq Kotron në ambientet e “City Park” në Tiranë, ndërkohë që brenda asaj bisede ishte dhe pazari për sjelljen e 200 kg kokainë nga Kolumbia në magazinat e firmës së Kristaq Kotros në Derviçan të Gjirokastrës. Sipas prokurorisë, sasia e kokainës ishte tretur në vajin që do përdorej për prodhimin e ushqimeve “Kroasantë”, të cilat i prodhonte firma “Interkris” shpk., e Kristaq Kotros. Kujtojmë se, pas trafikimit të 200 kg kokainë, hetimi për aktivitetin e Kristaq Kotros është zgjeruar dhe në fushën e pastrimit të parave, si maskë për të justifikuar të ardhurat nga burimet kriminale. Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, në Shkresën Nr. prot 973/9 datë 05.10.2017, dërguar Prokurorisë Gjirokastër, i konfirmon se Kristaq Llambi Kotro, ka kryer transaksione të shumta e në vlera të larta, pa argument të qartë ekonomiko-financiar. Këto transaksione, Kristaqi i vajit të palmës, i ka kryer në banka greke e shqiptare, si gjoja borxhe, hua e dhurime nga Theodhori Simo, Arjan Lazaj, dy bashkëpunëtorët e tij të trafikut 200 kg kokainës, por që bashkë me Kotron, nuk u prekën nga drejtësia, si dhe transaksione me një shtetas grek.

Psh, më 10.01.2011, Kristaq Kotro, ka lidhur një kontratë me afat shlyerje 40 muaj, sipas të cilës ka marrë hua 800 000 Euro nga shtetasi Anastasios Kitsaras me pasaportë greke nr. AB6083502, i biri i Jani e Llambrini, lindur më 18.02.1972, e banues në Janinë.

Po në datën 10.01.2011, Kristaq Kotro, i ka shitur Anastasios Kitsaras, 25% aksione të firmës “A-E-l shpk”, për vlerën 14,735,000 lekë, por si huaja 800 mijë Euro, edhe kjo shumë, është bërë dorazi, gjë që tregon se qarkullimi i afro 1 milionë USD, ka lidhje me trafikun e kokainës.

FAKT/ Më 18.03.2021, Kristaq Kotro, që u lirua për trafikun e 200 kg kokainë të kapura në magazinat e tij, është shpallur në kërkim, mbasi prej 3 vitesh i fshihet Prokurorisë e Gjykatës Gjirokastës, për veprën penale “mashtrim financar e pastrim parash, me të ardhrat dhe transaksionet,” me Dosje Regjistri Nr. 375/91/53201-01214-21-2019.

Sa për saktësim, Kristaq Kotro, prej vitesh e fsheh këtë veprimtari, duke përdorur letrat e 4 kompanive të tij: “Alfa Epsilon 1”, “Merentinos”, “A-E-l shpk” dhe me firmën “Interkris” shpk, me të cilën, më 21 mars 2021, trafikoi sasinë 200 kg kokainë, por ia ngeci Vullnet Harizajt./ “Pamfleti”