– Për injorancën e tyre disa deputetë, e falin më kollaj një shuplakë, apo zjarrin në karrige se një përulje xhentëlmeni.
– Nuk duhet të abuzohet me privilegjin e pushtetit, për humor banal.
– Deputetët i durojnë për edukatë, dhe nga halli ndaj fjalëve pa humor dhe logjikë pasi atyre s’u bën përshtypje ironia, apo gogësitja .
-Humori është për bisedën, siç është muskuli për boksierin.
Humorin inteligjent politikanët e ngatërrojnë me thashethemet, shpirtligësinë, aluzionin therës.
Prof. As. Ilia Larti
I mirë është ai orator, i cili iu jep dëgjuesve mësim e shpirt. Ciceroni Folësi i zakonshëm banal, që nuk ka asnjë synim të lartë, kënaqet, thjesht kur e dëgjojnë. Nuk vret mendjen për shkakun e për mënyrën. Nuk i interesojnë gjendja shpirtërore dhe konsideratat e dëgjuesve. Mjaft që ta dëgjojnë. Fakti që e durojnë për edukatë, që reagojnë ndaj fjalëve të tij me gogësitje, apo ironi nuk i bën përshtypje (kjo ndodh shpesh me deputetët tanë që i durojmë nga halli) . Në shumë sallone apo mbledhje, në disa pika, biseda shuhet, bie, e duket se edhe mjedisi bëhet i zymte e i mërzitshëm. Por, papritmas, është dikush qe hap gojën e flet, e përreth shfaqet një ndjenjë lehtësimi, simpatie, e të gjithë gjallërohen. Ai që ka hapur gojën e ka folur përqendron mbi veten e tij interesin e përgjithshëm, ngjall simpatinë e të tjerëve. E mjerë, nëse dikush e ndërpret për të shprehur ndonjë mendim. Do të vini re se dëgjuesit presin, me padurim, që ai të mbarojë, që “tjetri” të mund të marrë fjalën. Ky është ai që e përcaktojnë një folës, që di të bëhet simpatik. Për t’u bërë një bisedues “interesant”, është e domosdoshme, para se gjithash, të mos shesim “shumë” kulturë. Në një rast të tillë, përqindja e personave që ju dëgjojnë me qejf do të ishte, pak a shumë, nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë përqind. Të tjerët do të mërziteshin për vdekje, e, për këtë, do të lindte tek ata një ndjenje antipatie instiktive për ju. Mos të harrojmë se njerëzit kanë zakonin që ta konsiderojnë kulturën e madhe të një tjetri, pothuaj si një fyerje dhe, për injorancën e tyre, e falin me kollaj një shuplakë, se një përulje (sidomos deputetët) . Nuk do të ishte e këshillueshme që të fillojmë të flasim për gjenetike apo elektrostatike para personave, të cilët nuk e dinë kuptimin e vërtetë të këtyre fjalëve. Një ditë, përpara Makiavelit fliste një njeri shume i ditur, por jo me pak i mërzitshëm. I madhi Nikola tha: “- Vërtet ai di gjithçka, por, mëkat që nuk di tjetër veç kësaj !“ Duhet të keni kujdes që të mos jepni përshtypjen se dëshironi të bëheni “profesor” i dëgjuesve tuaj.
Është një gjë acaruese dhe e padurueshme.
Nëse ju doni të bisedoni e të bisedoni në mënyrë të pëlqyeshme, nuk duhet të kujtoni se po mbani një kurs me leksione. Mund t’i thoni të vërtetat tuaja, t’u mësoni dëgjuesve tuaj gjëra që ata nuk i dinë, por me masë të hollë, me kursim e pa e venë re, pa fjalë të mëdha. Duhet të mësoheni të thoni edhe gjerat më të pakuptueshme e më të vështira, në mënyrë të qetë, të pranueshme për të gjithë. Nuk dua të them këtu se duhet një ndalim absolut për të shitur kulturë, por, përkundrazi, nëse keni aftësinë për të komunikuar me të tjerët atë që dini e qe ata nuk e dine, ne mënyre që ta kuptojnë, ta përvetësojnë e ta vlerësojnë, do teë jetë një përparësi e madhe për ju si “folësë”. Kjo aftësi kërkon, gjithashtu, edhe zotërimin e sensit të masës për të transmetuar në doza të menduara kulturën, pa teprime dhe pretendime false, si një helm që me doza të mëdha ngordh një elefant, kurse me doza të vogla, shëron. Aluzione të përshtatshme, anashkalime të shkëlqyera, krahasime të mençura, ironike, zbavitëse. Zbavitja. Ja suksesi i madh, për të mos mërzitur dëgjuesit. Një tjetër gjë për folësin e mirë është humori. Pa të, është e padobishme të pretendosh të hapësh gojën me sukses. Humori është për bisedën, siç është muskuli për boksierin, është një element i radhës së parë, që përcakton menjëherë një epërsi shoqërore. Kush ka humor, i shmanget asaj që nuk e zotëron. Në këtë pikë, është e domosdoshme të jesh i qartë, sepse jo të gjithë zotërojnë një koncept të saktë se çfarë është në të vërtetë humori. Shumë pretendojnë që kjo dhunti lidhet me aftësinë për t’i bërë të tjerët të qeshin. Të tjerë e ngatërrojnë me thashethemet, shpirtligësinë, aluzionin therës. Të tjerë e mendojnë humorin sinonim të lojëfjalës, të shakasë së trashë, të banalitetit ( si një pjesë e politikanëve që nuk bëjnë dallimin dhe kthehen vetë në pjesë të humorit). Humori, para së gjithash, është një dhunti (e rrallë, për fat të keq) intelektuale. Humori është ajo forcë që ju fal menjëherë çelësin e një problemi; ju ofron përgjigjen e lehte, gati të përshtatshme për çdo pyetje; ju jep mënyrën për të paraqitur një koncept çfarëdo, në një formë vetjake e “hokatarë”. Humori jep, në mënyrë automatike, mundësinë për t’i krahasuar dy koncepte, për t’i vënë (qoftë njërin) në dukje sa më të madhe; për të zbërthyer në mënyrë dialektike idetë; për të bërë një sintezë humoristike të përfytyrimeve. Qëllimi i humorit është “efekti”. E ky arrihet përmes proceseve intelektuale të ndryshme, të shpejta, e sidomos, spontane (pa asnjë sforcim të vogël). Aftësia bazë qëndron, pikërisht, në fshehjen e përkryer të natyrës e mënyrës se funksionimit të mjeteve që lejojnë për të arritur “efektin”. Me pak fjalë, njeriu, vërtet humorist, është një prestigjator i inteligjencës; mahnit e zbavit ata që e dëgjojnë, por u fsheh atyre me kujdes “mënyrën e bërjes”. Akrobacitë e inteligjencës janë shumë më të vështira se ato të muskujve, sepse kërkojnë sy, dinamizëm, shkathtësi. Njeriu, që përpiqet të bëjë humor me çdo kusht, është si një elefant që përpiqet të kërcejë mbi një tel të tendosur. Nëse jeni hokatarë (por, mos të harrojmë, se nuk duhet të jetë fjala për një gjykim tonin, por për një gjykim të tjetërkujt), mësohuni t’i shfaqni humorin tuaja me një lloj maturie. Teprimi është shkatërrimtar në çdo fushë. Nuk duhet të abuzohet me privilegjin e pushtetit, për humor banal se krijohen armiq, dhe do të merrnit një rezultat të kundërt. Ekzistojnë në botë persona të pajisur me një farë humori, qe, megjithëse gjejnë një shprehje të goditur, do të armiqësonin gjysmën e njerëzimit. Nuk duhet ta trullosni tjetrin me një batare me humor pa kripë e pa pushim; edhe fishekzjarrët mund të jenë një spektakël zbavitës, por me kusht që të mos vazhdojnë tepër gjatë. Nëse doni, që kush ju dëgjon, të çmojë me të vërtetë fjalët tuaja të mprehta, ju këshilloj që t’i shfaqni ato me një lloj kursimi. Stenda, tek “Manastiri i Parmës”, tregon për një zonje me përvojë e ambicioze, që i jep një nipi të saj, që është për t’u futur në një seminar e për të cilin ajo pretendon të bëhet një lloj kardinali Mazzarin, këtë këshillë shumë të hollë: “Kur të paraqitet një fjalë hokatare, një përgjigje me vend, që do të ndryshonte drejtimin e bisedës, mos bjer në ngasje për të “shkëlqyer”. Hesht: personat inteligjente do të shikojnë shpirtin tënd, në sytë e tu. Do të kesh kohë për të bërë humor, kur të bëhesh peshkop”. Nuk duhet të jemi hokatarë gjithmonë e kudo. Në përgjithësi, është më mirë që të përmbaheni, sidomos kur nuk i njihni mirë personat të cilëve u drejtoheni. Ndërmjet bashkëbiseduesve tuaj mund të jetë ndonjë, i cili do të mund të ndihej i fyer e i prekur nga shakatë tuaja. Mos harroni se, nëse doni që mendimet tuaja të jenë respektuar, është e domosdoshme që të filloni me respektimin e atyre të tjerëve. Humori duhet të përdoret në kohën dhe vendin e duhur dhe inteligjenca qëndron, ndoshta, më shumë në mënyrën e zgjuar të përdorimit të humorit, sesa në zotërimin e tij.


















