Prof. Artan Fuga: Pse zbriti çakalli në Tiranë?

23

Pas mijëra vitesh po ndodh një fakt i parashikuar nga Nastradinus, i theksuar nga një grua që parathotë fate sipas të cilës kur njerëz të ndryshëm bëhen çakenj, ka çakenj që duan të bëhen njerëz.

Sigal

Media të ndryshme, thonë se ka zbritur nga malet, dhe ekspertët, zakonisht hajvanë, paskan thënë se çakalli ka ardhur të kërkojë ushqim. Hahaha. Si të thuash se njeriu jeton për të marrë frymë. Ore këta të bëjnë që për çdo fjali që shkruajnë t’ja japësh gazit! Si është e mundur, thoshte Shvejku, që u çmendën të gjithë menjëherë! Një gazetar ka shkruar se çakalli rrinte në kafe pak i habitur nga njërëzit vërdallë… Uaaaa, si e kuptoi mor aman! Si e shpreh habinë një çakall në kafe? Si ndonjë debil që hap sytë nga gënjeshtrat që i rrëfen miku i tij përballë? Ku e dinë për shembull që çakalli i shkretë ka ardhur nga malet dhe nuk ka qënë i mbajtur në ndonjë shtëpi, nga ndonjë boss, a ndonjë tip gjuetari, a nga ndonjë zonjë? Nuk ka dalë nga ndonjë apartament luksoz? E kanë marrë në pyetje çakallin? Aman, në çfarë gjuhe folën me të? Se ky është rast investigimi. Shumë i vështirë. Çfarë deponoi çakalli? Thonë që çakalli ka thënë se do bëhem i penduar dhe do të bashkëpunoj me ju! Ka denoncuar dhelprën, e cila në bashkëpunim me maçokun e egër e kanë futur në rrjet, e kanë mashtruar dhe i kanë thënë se ka një vend pune bosh në Tiranë. Çakalli paska paguar dyqind mijë euro dhe pesë copa djathi si bakshish korruptiv. Eksperti i çakejve pranë një medie të rëndësishme ka deklaruar se çakalli ka ardhur për ushqim në Tiranë. Hahahaha. Për çdo kafshë të shkretët kur lëviz mund të thuash se motivohet nga dëshira për ushqim. Por, një tjetër ekspert, kundërshtoi duke thënë se ka zbritur për seks, në kërkim të çakalleshës që kishte ikur nga foleja disa muaj përpara nën ndikimin e tik-tokut. Shihte shumë tik-tok duke komunikuar me dhinë e kopshtit zoologjik. Çakalli ka ardhur për ushqim?! Imagjinoni, çfarë ekspertësh gomerë që mendojnë se çakalli ka kaluar gjithë katundet e Tiranës dhe nuk ka gjetur ushqim, derisa ka mbërrit te një lokal te blloku, ku pasi ka nxjerrë pesë euro i ka bërtit kamarierit: o çuni n’a boj një kafe, grrrrrrrr, me qumësht dhe një kruasant se vdiqa urie. Ka edhe versione apokaliptike. Çakenjtë e malësive të Tiranës kanë mësuar nga media se është bërë deti kos, se kockat e të vdekurve mund t’i gjesh të hedhura rrugëve, dhe mund t’i kruash për shije çakallësh për shtatë palë qejve. Mish njeriu për gjithë çakejtë! Ndërkaq, në një intervistë, çakalli, në një video ka thënë diçka, por videoja mbahet për t’i bërë shantazh, sepse ai ka dalë lakuriq në kafe. Atje çakalli ka pohuar se një laraskë diku pas Dajtit e ka manipuluar dhe i ka thënë se në Tiranë prej kohësh ka një fjalë që qarkullon, dhe njerëzit të budallallepsur kanë kuptuar se: Ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë. Çakalli ka thënë se nga kjo shprehje ka kuptuar se në hapësirën publike dhe tregun politik ka tepri ujqish dhe ulkonjash, por mungojnë çakejtë. Kështu ai ka ardhur të rregullojë balancat midis ujqëve dhe çakejve në kryeqytetin e vendit. Eksperti kundrapedal, Bishtnim Zverdhanuku, ka një mendim tjetër, në një studio televizive ai ka deklaruar rezultatin e tij investigativo – humoristik sipas të cilit çakalli i ka thënë se ka ardhur të kërkojë azil politik në Tiranë. Ka ardhur nga malet e Pindit i yshtur nga reklama që bëhet për turizmin shqiptar, dhe se ka miliona turistë që nuk shkojnë gjëkundi tjetër veç vijnë këtu për të parë muzeun më të bukur në botë, shtëpinë me gjethe ku tregohet si shqiptarët i hiqnin thonjtë shqiptarëve. Qarkullon edhe thashethemi se çakalli në fakt kishte humbur rrugën, sepse kishte qëllim që të shkonte në kopshtin zoologjik meqë atje është bërë si fermë, ka lopë, keca, dele, dhi, por mungojnë kafshët e egra, sidomos kërkohet një çakall autentik. Gjithsesi investigimet vazhdojnë, dhe ndërkaq çakalli është dënuar me detyrim paraqitjeje në njësinë 5, çdo të hënë, në ora 3 të mëngjesit. Ka të dhëna se po negociohet ta sterilizojnë dhe ta lëshojnë si çakall shëtitës në një qytet tjetër, ku pritet të bëhet një tender strehe për qen – çakall. Kjo hap një çështje që ka të bëjë me identitetin e çakejve të parë nga dhelprat dhe thuhet se për këtë po përgatitet një peticion që deri tani ka mbledhur dymijë e njëqind firma. E çuditshmja është se po firmosin njerëz, pula, qen zonjash, krokodila shtëpie, maçokë rrjepacakë, minj kanalesh, gjarpërinj, etj. Jeta e qytetit është pështjelluar shumë, sepse ka një teoricien komplotist që në bashkëpunim me një gazetar, po botojnë një broshurë ku ideja është se pas mijëra vitesh po ndodh një fakt i parashikuar nga Nastradinus, i theksuar nga një grua që parathotë fate sipas të cilës kur njerëz të ndryshëm bëhen çakenj, ka çakenj që duan të bëhen njerëz. Pretendohet se është një trajtesë e re e darvinizmit social.