Rama heq nga skema e ndihmës ekonomike 700 familje, ja reagimi i Kryebashkiakut…

560
Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, ka reaguar në lidhje me faktin që qeveria Rama ka larguar dhe 700 familje të kësaj bashkie nga skema e ndihmës ekonomike.
“Qeveria shqiptare, sapo ka filluar viti 2018, në Kamëz e Bathore ka larguar nga skema e ndihmës ekonomike 700 familje. Programi i kësaj qeverie vazhdon të mbetet varfërimi ekstrem i familjeve shqiptare, por më e thelluar kjo mbetet për qytetarët e Kamzës.
Edhe pse institucionet që monitorojnë programet e mirëqenies e kanë nxjerrë qytetin e Kamzës si më i varfri në Shqipëri, ku 1 në 10 fëmijë ushqehen vetëm me një vakt ushqimor, përsëri kjo politikë diskriminuese vazhdon të zbatohet me një orientim të qartë qeveritar.
Rasti i paprecedentë i largimit të 700 familjeve nga skema e ndihmës ekonomike e shton më thellë egërsinë e dikasterit që mbulon çështjet sociale, pasi në 90% të këtyre familjeve kryefamiljare janë nënat, që jo vetëm i kanë shumë të kufizuara mundësitë e punësimit, por edhe statusi i tyre është i tillë që kërkon një vëmendje shumë të përqendruar dhe jo hedhje totale në rrugë të madhe”, tha Mziu.
Në vijim ai shprehet se edhe pse Bashkia Kamëz ka kërkuar, por njëkohësisht ka denoncuar me forcë rast pas rasti keqtrajtimin e qytetarëve të saj, përsëri nuk kemi reagim për përmirësimin e situatës nëpërmjet programeve të mirëqenies nga ana e ministrisë së linjës.
“Mbetet t’u bëhet thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare të akredituara në vendin tonë për të kontribuar për këtë çështje jetike dhe t’i kërkojë qeverisë shqiptare të normalizojë situatën për qytetin dhe qytetarët e Kamzës, si në probleme sociale, por edhe ato që ligjërisht janë të zbatueshme“.
Sigal