Ish deputeti i Parlamnetit Shqiptar, ish drejtor i NB Vurgut dhe ish drejtor i kadastrës Sarandë dhe aktualisht kryetar i Shoqatës Mjedisore “ Saranda” dhe mjaft detyra shtetërore, është bërë pjesë e një diskutimi dhe dëgjese publike, që zhvillohet në Sarandë dhe do të rizhvillohet për zonat problematike të bregdetit të Sarandës, më saktë Heremecit, Kakomesë etj. Zoti Thomari, një intelektual i nderuar preferoi t’u drejtohet këshilltarëve bashkiak, vetë kryetarit të këshillit dhe titullarit të bashkisë, për të ngritur shqetësimin dhe publikuar para se të bëhet ridëgjesa. Ja pjesë nga analiza e kryetarit të shoqatës mjedisore “ SARANDA”:
Ajo, për të cilën diskutojmë, ngritja e parkut voltaik në masivin e kullotës së Heremecit, i parë në këndvështrimin mjedisor, përbën një problem me pasoja për prishjen e ekuilibrave biologjikë – kullotë –pyllë dhe bashkëjetesën e shpendëve e gjitarve, gërshetuar kjo me problematikat e pronës e pronarit të këtij territori. Zakonisht, simbas përvojave botërore, ku janë vendosur foto voltaike, poshtë në sipërfaqen e tokës, eleminohet e gjithë flora dhe fauna dhe, kur është masiv i madh, siç është projekti që n’a paraqitet, rrezikon gjithë biodiveristetin e zonës. Pra, nga pikëpamja mjedisore, ky projekt kërkon një studim të detajuar nga ekspertë të mjedisit, të cilët mund të jenë ekolog, biolog, agronom, veteriner, e mjek human. Në rast se do të paraqitet nevoja nga ana juaj për studime të tilla, ne, si shoqatë, kemi kapacitete intelektuale për t’i vënë në dispozicion. Po le të hedhim shikimin dhe më tej. Franca, që është shteti që ka më shumë investime në këtë fushë, ka përvoja të çmuara, që duhet t’i studjojmë. Zakonisht zonat ku vendosen këto impiante, janë toka inproduktive, të kripura, të varfëra, skelektike e të pafrytshme. Kjo zonë ku do të ngrihet parku, është zonë me përparësi turizmin ku përfshihen 16 zona brenda saj. Kurrsesi në një zonë turistike, kullotë e pyll me bimësi të zhvilluar, tipike mesdhetare, me shpendë të rrallë e kafshë, që ruhen, nuk mund të shfrytëzohen për parqe të tilla. Nëqoftëse qeveria është e interesuar të ndërtojë parqe voltaike në zonën Sarandë-Delvinë, ka plot vende dhe pozicione shumë të mira kundrejt diellit siç mund të jenë: Tokat e kripura në Vrinë, tokat e liqenit të rrëzës Xarrë, brezi i kodrave Isak-Kopaçez-Palavli-Vergo, brezi i tokave mbi Delvinë Kardhikaq-Pecë. Nga një studim që kemi bërë ne, mund të jenë 1500-2000ha, pra parku voltaik nuk mundet ta vendosim në zonën e begatë turistike. Meqënëse jemi duke diskutuar për mjedisin, doja t’ju informoja, se ne si shoqatë, kemi ndërmarrë kohë pas kohe, nisma, si për pastrimin e territorit, sidomos në zonat problematike e të ndotura. Kemi luftuar me vrejtje e sugjerime për gjelbërimin e qytetit si dhe për luftën dhe përpjekjet për fasadat e zonave rreth pallateve e objekteve të ndryshme në qytetin e Sarandës. Ka shumë probleme të mjedisit për të cilat duhet të diskutojmë, po këto përbëjnë objekt për një diskutim tjetër. Ajo që dëshiroj të ngre me shqetësim këtu, është gjelbërimi. Duke qenë se qyteti ynë është qytet i ngurtë dhe me godina të reja gjelbërimi, mbetet sfida kryesore. Bashkia duhet të kuptojë, se një investim i vogël për rritjen e rezervës ujore nga sipër qytetit për ujitjen e bimëve dhe pemëve, përbën një potencial të madh për zhvillimin e gjelbërimit. Këtu tek ne, bima ose pema mbin edhe në gur, me pak ujë më shumë mund të bëjmë gjëra fantastike. Të nderuar këshilltarë! Qyteti ynë është i bekuar nga Zoti. Ai ka diellin, ka detin dhe, atë që rrallë e gjen në qytetet e mesdheut, 5 km. nga këtu derdhen në det aktualisht 50 m.kub ujë në sekondë. Për të mbajtur me ujë mbi 5 milionë banorë, një kapacitet i madh ujor. Shikoni çfarë pasurie kolosale kemi dhe nuk e shfrytëzojmë. Të paktën ta shfrytëzojnë drejtuesit për gjelbërim. Një vrejtje kam për drejtuesit e bashkisë! Ata që kanë kaluar, pak apo aspak, kanë pasur vëmendje për problemet e mjedisit. Por, meqënëse jam qytetar i vjetër i Sarandës dhe me një përvojë të vjetër – 50 vjeçare, duke qenë agronom dhe përgjegjës i bujqësisë së rrethit Sarandë, drejtor në një nga ndërmarrjet më të mëdha në shkallë republike si NB-Vurgu dhe ish deputet i parlamentit të parë pluralist shqiptar më 1991, dhe si fshatar nga Nivica, kam disa mendime për të njohur më mirë disa të vërteta historike.
Fshati Nivicë-Bubar është i mbërthyer në mënyrë të pazgjidhshme me qytetin e Sarandës, 1/3 e territorit të qytetit ka qenë territor i fshatit tonë. Sipas rregjistrave osmane të vitit 1530 për sanxhakun e Delvinës, Nivica përbëhej nga 147 familje me 650 frymë të cilët paguanin 9000akçe. Po kush janë nivicjotët, që kanë ruajtuar me fanatizëm dhe përgjegjësi të madhe këtë pronë, e cila fillon nga ish fabrika e miellit, kodra, Heremeci, e deri në Kakome, në kufi me krorëzën. Nivica bën pjesë në krahinën e Bregdetit të zonës së Himarës. Në ekspasionin e egër osman, si gjithë krahina e Bregdetit, kemi mbrojtur me fanatizëm çështjen kombëtare, me vetmohim të pashoq pronën e fituar me sakrifica. Si pjesë e krahinës së Bregdetit, kemi luftuar për të mbrojtur civilizimin tonë europian. Në luftë kundër pushtuesve osman dhe për mbijetesë, nivicjotët kanë qenë krah për krah, në ditë të vështira, me vëllezërit tanë të Labërisë dhe veçanërisht me Kuçin e Progonatin dhe gjitonët tanë, Rrëzomën. Vargjet e këngës popullore e dëshmojnë këtë fakt historik:
Mos u trëmb Çelo Mehmeti
se ke taraf Bregun e detit
Në Nivicë Kiço Dhulë
Shën Vasi Pilo Bitunë
Gjikë Qeparo me vulë.
Kundër osmanëve nivicjotët kanë luftuar përkrah me trimat e Labërisë Tafil Neza, Tafil Buzi, Çelo Picari, Zenel Gjoleka, Çobo Mustafai etj. Siç dihet, botërisht dhe historikisht, në saj të luftës dhe përpjekjeve të kësaj krahine, janë bërë kryengritje e luftra të shumta si Kryengritja e Himarës me Damian himarjotin. S’ka qenë e rastësishme që në këto brigje, sëbashku me në krye Gjon Kastrioti, i biri i Gjergj Kastriotit, nën udhëheqjen e të cilit u bënë disa luftra dhe kryengritje kundra turqve. Në sajë të luftës dhe përpjekjeve të krahinës sonë, të fshatrave të Bregut, Porta e Lartë u njohu Venomet, d.m.th. të drejtën e pronës, nuk paguanin taksa dhe nuk shkonin nizamë. Ja, dhe sulltutani vet ka thënë: “ Bregun e Detit mos e ngisni! Ditë e natë në luftë janë./ Xhelep, vergjil të mos paguajën./ As nizamë të mos shkojnë/ Janë të falur me fermanë/. Por, siç dihet historikisht, në vitin 1798, fshatrat Nivicë e Shën Vasil u sulmuan pabesisht nga Ali Pashë Tepelena. Ushtria e tij, në fshehtësi të plotë, duke u komanduar nga sivllau i tij Jusuf Arapi, ju sulën si bisha të tërbuara banorëve të këtyre fshatrave duke i djegur e masakruar në mëyrë çnjerëzore. Duke u gdhirë dita e Pashkës prishën e dogjën shtëpi e katandi, toka të mbjella dhe bagëti, bile arritën deri atje sa në ikonat e vendosura në kishë, prishën sytë e shenjtorve. Në këto kushte, këtyre dy fshatrave, u janë marrë venomet e njohura nga Sulltani dhe e gjithë prona u inkuadrua në pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës. Nga viti 1798 e deri në vitin 1875, 100 vjet, këto dy fshatra kanë qenë në mjerim të plotë. Në vitin 1875 një komisjon nga fshati u nis për në Stamboll për t’i kërkuar Portës së Lartë rikthimin e venomeve. Mbas shumë peripecive dhe sakrificave u takuan me Sulltanin dhe Porta e Lartë vendosi që këtyre fshatrave t’u rikthehen venomet (tapitë ose iradetë), e cila ishte 129 pjesë plus një pjesë kisha e barabartë me familjet e fshatit që ishin në atë kohë 130 tapi. Përfundimisht fshatrave ju realizua ëndrra që u ishte mohuar për 100 vjet. Është interesante të theksojmë se, gjithë mllefi dhe urrejtja e Aliut për ne ishte se të parët tanë nuk pranuan të ndryshonin besimin fetar. Aliu fillimisht dërgoi një komisjon për një takim të veçantë për këtë problem për Bregdetin e Himarës. Ky takim, i njohur historikisht, është bërë në fshatin e vjetër Qeparo. Komisjoni i ardhur nga Ali Pasha u premtoi kryepleqve se duke u konvertuar në islam, do kishin favore dhe privilegje. Por koha tregoi se të gjithë këta ishin banorë të zonës së Bregdetit. Pra, kjo pronë ka ardhur si pjesë e historisë së fshatit deri në Pavarësi dhe Mbretëria Shqiptare dhe vet Mbreti Ahmet Zogu, i ka njohur venomet e Bregdetit. Nivicjotët kanë qenë të lidhur pazgjithmërisht me këtë pronë. Ata kanë qenë patriotë dhe luftëtarë dhe kanë luftuar për çështjen kombëtare shqiptare. Nivica ka 110 vjet me shkollën shqipe. Nga Nivica kanë dalë luftëtarë që, së bashku me vëllezërit e Labërisë, kanë luftuar kundër pushtuesve. Kanë marrë pjesë në Luftën e Vlorës 26 nivicjot. Kontributi në LANÇ i Nivicës ka qenë i spikatur. Nga Nivica kanë dalë 80 partizanë dhe ranë dëshmorë 50 prej tyre si dhe janë masakruar 50 fshatarë. Nivica është fshati i dytë, pas Borovës, që janë bërë masakra nga gjermanët dhe pushtuesit. Nivicë Bubar është fshat i madh. Sot në gjithë botën numërohen 2800-3000 nivicjotë. Në fshat jetojnë 250 familje që disa venë e vijnë nga emigracioni. Vetëm në qytetin e Sarandës janë 200 familje nivicjote. Nga Nivica janë 250 intelektualë me arsim të lartë që kanë përfunduar studimet si brenda dhe jashtë vendit. I përmenda këto fakte për të treguar se fshati jonë ka hershmëri shqiptare, me tradita historike e patriotike, i lidhur ngushtë me gurët dhe shkëmbinjtë e tij, me tokën, me fushën e me detin. Ne kemi dokumenta të sakta e të qarta që evidentojnë pronën tonë:
1-Tapitë që janë ruajtur nga koha që janë marrë venomet nga sulltani. Disponojmë 20 copë ( 22 qershor 1875 dhe skica e vitit 1422, 2- Proçes –Verbalin e mbajtur për kufijtë e fshatit tonë në prezencë të organeve të pushtetit lokal të kohës dhe të kadastrës si dhe përfaqësuesve të fshatit 1945-1947. 3-Listën e kullotave private të Prefekturës së Gjirokastrës ku është rregjistruar prona jonë, Heremeci dhe pylli i Brodanit, viti 1924 si dhe lista e Prefekturës Sarandë me pronat e kullotave dhe pyjeve. 4- Dokumenti autentik, akt dhurimi i Mbretit Zog, Kryqit të Kuq Shqiptar, dokumenti i noterizuar nga n/prefektura e Delvinës për Sarandën. 5-Vendimi i Gjykatës Sarandë, që u ka kthyer ish pronarëve 129 tapitë, vendim që ka marrë formën e prerë që në vitin 1992, 2 vendime 441 dhe 20. 6-Proçes-Verbalin e shtetëzimit të kullotave në vitin 1945, 1947 nga shteti komunist nga komisjoni i ngritur për këtë punë. BE disa herë i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare se pa respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut, në këtë rast të drejtën e pronës, si dhe pa bërë reformën e pronës duke vajtur prona tek i zoti, nuk mund të pranohemi në BE. Një arsye më shumë pse jam kundër ndërtimit të projektit fotovoltaik në Kullotën e Heremecit pa zgjidhur problemin e pronës.
SOM – 1
”PETRO MARKO.
” Poshtë, në anë të detit, janë disa shkëmbinj të mëdhenj. Natën, fare mbi ta, ka vazhdimisht vetëtima dhe unë pyesja gjyshen: Ç’janë gjithë këto vetëtima mbi shkëmbenj? Dhe ajo, gati duke qarë, më shoshte: Mor bir, vetëtimat janë shpirtrat e trazuar të Dhërmiut, të cilët nuk erdhën dot të varrosen në fshat, por mbetën andej nëpër dhera të huaja.
Som.2
Nivica ka 110 vjet me shkollën shqipe. Nga Nivica kanë dalë luftëtarë që, sëbashku me vëllezërit e Labërisë, kanë luftuar kundër pushtuesve. Kanë marrë pjesë në Luftën e Vlorës 26 nivicjot. Kontributi në LANÇ i Nivicës ka qenë i spikatur. Nga Nivica kanë dalë 80 partizanë dhe ranë dëshmorë 50 prej tyre si dhe janë masakruar 50 fshatarë.