Procesi për shkarkimin e Metës/ Kryemadhi: LSI do të depozitojë nismën për hetimin e shkresave të falsifikuara nga Kuvendi

163
Sigal

Pasi Këshilltari për Çështjet Ligjore të Presidentit, Bledar Dervishi publikoi disa shkresa të Kuvendit lidhur me procesin e shkarkimit të Ilir Metës nga Gjykata Kushtetuese, ka reaguar kryetarja e LSI-së.

Monika Kryemadhi shprehet se LSI do të depozitojë nismën për hetimin e çështjes së shkresës së Kuvendit, duke iu bashkuar qëndrimeve të Presidentit se ato dokumente janë të falsifikuara.

Kryemadhi e cilëson të rëndë aktin e Kuvendit teksa ngre shqetësimin se asnjë institucion nuk merret me të.

“Ne si LSI jemi shumë të qartë në të gjitha pozicionimet tona të kauzave tona opozitare që kemi. Pavarësisht se jemi me 4 deputetë do të depozitojmë edhe nismën përsa i përket skandalit që ka ndodhur me shkresat e Kuvendit për falsikimin në çështjen e presidentit. Është momenti për të parë sesa të vërteta janë ndjenjat dhe aksionet opozitare. Sot ne këmi një mazhorancë e cila ka ngelur pa tekst, me atë manipulim që ka bërë në Kuvend që është shumë e rëndë. Dhe asnjëri nuk merret me të. As mediat nuk merren. Po të kishte prokurori, prokuroria duhet të shkonte automatikisht të bllokonte komplet arkivën e Parlamentit. Po të kishte një Gjykatë Kushtetuese normale do të thonte: Kjo çështje mbyllet, ke sjellë një provë të falsifikuar. Nuk mund të ndodhë kjo, sepse këtu çdo gjë është e kapur” – tha Kryemadhi.

Kryemadhi ka komentuar dhe koalicionin “Shtëpia e Lirisë” me të cilën do të hyjë në zgjedhjet vendore të 6 marsit.

Sipa saj, ky nuk është një koalicion mes Sali Berishës dhe Monika Kryemadhit, por mes LSI-së dhe Komisionit të Rithemelimit.

“Në fakt një nga problemet më të mëdhaja me mediat apo me gazetarët kërkojnë gjithmonë ta unifikojnë çështjen midis dy personave. Unë nuk mendoj që është kështu. Nuk është midis Monikës dhe Sali Berishës sesa më shumë ka të bëjë çfarë përfaqëson komisioni i rithemelimit të Partisë Demokratike. Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike nuk është vetëm Sali Berisha. Normal që Sali Berisha mund të jetë ideatori apo nxitësi por rithemelimi janë 11 deputetë.

Mungesa e përballjes me të vërtetën brenda Partisë Demokratike të një grupi të vogël është një histori që ne si  LSI bashkohemi me çdo grupim që kërkon demokratizimin e demokracisë shqiptare. Zgjedhjet e 6 marsit janë një element që i kanë dhënë shansin jo vetëm opozitës por dhe qytetarëve që të zgjedhin 6 kryetarë bashkie me votë të lirë. Duam apo sduam zgjedhjet e 30 qershorit ishin zgjedhje moniste” – tha Kryemadhi.