Presidenti Meta: Tirana është modeli që udhëheq shqiptarët drejt demokracisë, shoqërive perëndimore dhe aleancës euroatlantike

661
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë historiko-kulturore dhe simpoziumin shkencor e titulluar “Tirana – Një shekull kryeqytet”, që u organizua në Teatrin Kombëtar nga shoqata “Tirana Intellectum” në bashkëpunim me shoqatën “Bashkësia Dibrane”.

Me rastin e 100-vjetorit të Tiranës si kryeqytet, Presidenti i Republikës vlerësoi (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Kryetarin e parë të Bashkisë së Tiranës Kryeqytet, Ismail Ndroqi (pas vdekjes), si dhe rilindasin e shquar Said Sermedin Toptanin.

NOA

Gjithashtu Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin “Naim Frashëri”, humanisten e njohur tiranase Hatixhe Skënderi, me Titullin “Mjeshtër i Madh” këngëtaren simbol të këngës tiranase Hafsa Zyberi (pas vdekjes), si me Titullin “Për Merita të Veçanta” atdhetarin dhe mësuesin e shquar Ethem Tabaku (pas vdekjes).

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” u nderua studiuesi dhe historiani i njohur tiranas, Gazmend Bakiu, libri i të cilit “Tirana e vjetër” u përurua gjatë veprimtarisë përkujtimore historiko-kulturore.

Pasi ndoqi koncertin festiv, si dhe dokumentarin kushtuar Tiranës, Presidenti i Republikës në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, vuri në dukje:

“Sot është një ditë e shënuar për qytetarët e Tiranës, Shqipërisë dhe për mbarë kombin shqiptar!

11 Shkurti është një ditë e veçantë për të gjithë ne, është dita e inaugurimit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.

Ndihem i lumtur që jemi bashkë në këtë atmosferë festive dhe nga zemra uroj qytetarët e Tiranës dhe mbarë shqiptarët kudo ndodhen:

Gëzuar 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqiptarisë!

Të dashur miq të shoqatës “Tirana Intellectum”,

E prita me shumë kënaqësi idenë tuaj për të nderuar nëpërmjet një simpoziumi shkencor kontributin shekullor të shumë brezave, atdhetarëve dhe bijve të shquar të Tiranës.

Edhe pse kanë kaluar njëqind vjet nga 11 Shkurti i vitit 1920, koha vërtetoi se vendimi historik i Kongresit të Lushnjës për caktimin e Tiranës si kryeqyteti i Shqipërisë ka qenë një nga vendimet më të mençura dhe vendimtare për shtetformimin tonë.

Në këtë përvjetor gjej rastin të përkulem me nderim të thellë për gjithë atdhetarët e shquar të Tiranës të asaj kohe, për të gjithë Këshillin bashkiak të qytetit të asaj kohe, për kryetarin e nderuar të bashkisë Ismail Ndroqi si dhe gjithë familjet tiranase që e mirëpritën dhe hapën dyert dhe zemrat për ta shndërruar qytetin e tyre në kryeqytet të të gjithë shqiptarëve.

Nga kjo konferencë e nderuar do të doja të shpreh bindjen se Tirana ia ka dalë me sukses të jetë epiqendra e jetës politike, shoqërore, ekonomike, kulturore dhe sportive të vendit, si dhe të luajë me sukses rolin promotor të gjithë shoqërisë sonë.

Qyteti dikur i vogël, me arkitekturë modeste është shndërruar tashmë në metropolin ambicioz dhe qendrën më të madhe ekonomike, administrative, politike, universitare, mediatike, sociale dhe kulturore të vendit.

Përgjatë një shekulli Tirana rezulton qyteti me transformimin më të madh urban dhe njerëzor të Shqipërisë, në të cilin sukseset, dështimet dhe sfidat e përparimit janë të lidhura me arritjet e mbarë vendit.

Kryeqyteti shqiptar hodhi shtat mbi trashëgiminë e një komuniteti vendas mjaft njerëzor, atdhetar dhe me vlera qytetare të arrira.

Traditat tiranase si bujaria, mikpritja dhe solidariteti njerëzor ishin tipare që i bashkuan shqiptarët e gjithë trojeve në një ansambël kulturor të larmishëm dhe harmonik.

Në këtë 100-vjetor ne përulemi me mirënjohje ndaj kontributit, historisë, mirësjelljes dhe vlerave etno-kulturore të komunitetit tiranas.

Kryeqytetet meritohen jo vetëm nga pozicioni gjeografik, por edhe bazuar mbi traditat, monumentet historike, vlerat kulturore dhe cilësitë njerëzore të banorëve të saj.

Ne jemi të vetëdijshëm, se në historinë 100-vjeçare të Tiranës, krahas arritjeve është dëshmuar për fat të keq edhe nxitimi, egocentrizmi dhe papërgjegjshmëria për t’u ngritur dhe shkelur mbi vlerat e të parëve tanë të nderuar.

Tirana është ndërtuar në një nga trevat më të pasura me vlera antike e mesjetare, e rrethuar me 14 fortesa që i japin kësaj treve vlera të pallogaritshme monumentale e etno-kulturore. Ndër vite këto vlera janë shtrirë dhe në territorin e kryeqytetit duke pasqyruar traditat dhe kërkesat estetike dhe arkitekturore të shumë gjeneratave.

E vlerësoj faktin e organizimit të këtij manifestimi përkujtimor në ambientet e Teatrit tonë Kombëtar, kësaj pasurie kulturore të pazëvendësueshme të jetës shpirtërore të kryeqytetit dhe mbarë kombit tonë.

Ky gjest është një thirrje në lartësinë e shekullit për të ruajtur e mbrojtur trashëgiminë e pasurisë arkitektonike e kulturore të kryeqytetit ndër vite!

Përshëndes kurajën tuaj qytetare dhe dua t’ju siguroj për mbështetjen time të vazhdueshme.

Brezi i ri i Tiranës duhet të njihet dhe t’i përkushtohet pasurisë shpirtërore dhe traditave më të mira kulturore të kryeqytetit tonë.

Duke hedhur vështrimin në vite konstatojmë me kënaqësi se nuk ka arritje dhe përpjekje shqiptare për liri në të cilën Tirana të mos ketë atdhetarët, prijësit por edhe dëshmorët e heronjtë e vet.

Tirana u bë qytetit i barrikadave në vitet e luftës për çlirim, sikurse dhe lokomotiva e përparimit tonë shoqëror, ekonomik e kulturor.

Në të gjithë fushat e jetës, në arsim, shkencë, art, sport, kulturë dhe folklor, komuniteti i Tiranës është ndër më të shquarit.

Tirana është epiqendra dhe lokomotiva e lëvizjeve politike, e aspiratave për demokraci dhe aktiviteteve për emancipim shoqëror.

Tirana përbën potencialin më me vlerë të mendimit të përparuar, të energjisë rinore dhe kapaciteteve intelektuale.

Ajo është modeli dhe prijësja që i udhëheq shqiptarët drejt demokracisë, shoqërive perëndimore dhe aleancës euroatlantike.

Vlerësoj me këtë rast edhe solidaritetin me ju në këtë aktivitet të Bashkësisë Dibrane dhe artistëve të Teatrit Kombëtar! Një gjest i lartë bashkëpunimi e respekti midis komuniteteve!

Nga ana e saj Shoqata ‘Tirana Intellectum’, edhe pse e re, po bën një punë shumë të mirë në promovimin e artit, kulturës, traditës dhe historisë së Tiranës si dhe në evidentimin figurave të shquara të Kryeqytetit tonë.

Do të doja në këtë përvjetor të përmendja gjithë emrat e familjeve tuaja, të cilat kanë përcjell në shekuj historinë dhe krenarinë, jo vetëm të kryeqytetit, por edhe të kombit tonë.

Por janë aq të shumta dhe të respektuara sa koha nuk do të na ndihmonte për t’i përmendur të gjithë, për më tepër që ky 100-vjetor është sipari i këtyre festimeve, pasi do të kemi edhe shumë aktivitete të tjera përgjatë këtij viti.

Për këtë arsye nga numri pafund i qytetarëve të shquar të Tiranës sot, edhe me propozimin tuaj, do të përzgjidhja për vlerësim disa prej tyre.

Falënderoj kryesinë e shoqatës tuaj që ma lehtësoi përzgjedhjen dhe propozoi për vlerësim disa prej figurave të shquara të jetës së kryeqytetit në shekuj!

11 Shkurtin ju keni zgjedhur me të drejtë ta përkujtoni me këtë konferencë historike.

Në këtë Përvjetor të e Kryeqytetit ju uroj edhe njëherë Gëzuar Festën e 100-vjetorit!

Sa më shumë ditë të lumtura, paqe dhe harmoni për qytetarët e Tiranës dhe mbarë shqiptarët!

Suksese në vatrat tuaja dhe në shtëpinë tonë të përbashkët!”