Presidenti Meta priti në takim Presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli

497
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim me Presidentin e Parlamentit Europian, Sh.T.Z. David Sassoli. Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Europian i ka dhënë procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Në këtë kontekst Presidenti mirëpriti takimin e organizuar së fundmi nga Presidenti Sassoli me kryetarët e Parlamenteve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe angazhimet e përbashkëta të shprehura në konkluzionet e këtij takimi të nivelit të lartë.

Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë që kanë sundimi i ligjit dhe dialogu gjithëpërfshirës e jo-konfrontues në zbatimin e prioriteteve që lidhen me çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE, si dhe për arritjen e standardeve europiane të një demokracie parlamentare. Presidenti mirëpriti gatishmërinë e shprehur nga Presidenti Sassoli për të ndihmuar në tejkalimin e krizës, çka do të çonte në një zbatim më të shpejtë dhe të besueshëm të 9 prioriteteve të Bundestagut.

Presidenti Meta përshëndeti edhe angazhimin për të rritur besueshmërinë dhe efikasitetin e procesit të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor, përmes një qasjeje më demokratike, më transparente, dhe më pranë qytetarëve.