Presidenti Meta nga Shkodra: Sa më shumë bashkëpunim aq më shpejt i kthehemi jetës normale

116

Vizita e sotme e punës së Presidentit Meta në veri të vendit vijoi në Shkodër, ku u takua me Prefektin e Qarkut, njëherazi Kryetar i Komisionit lokal të Emergjencave, z.Çesk Millja, Drejtorin e Shëndeti Publik Dr.Astrit Beci, si dhe më pas me Kryetaren e Bashkisë, znj.Voltana Ademi.

Duke ju përgjigjur interesimit të mediave të pranishme, Presidenti i Republikës vuri në dukje se:

“Gjatë kësaj vizite në qytetin e Shkodrës pata kënaqësinë të takoja Prefektin e Qarkut, zotin Çesk Millja, Drejtorin e Shëndetit Publik të Qarkut Dr.Astrit Becin, si dhe natyrisht kryetaren e nderuar të Bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi për t’u njohur më nga afër me përballimin e kësaj pandemie, që ka prekur edhe Qarkun e Shkodrës, si të gjithë vendin tonë.

Kam besim se përmes bashkëpunimit të Shtabit të Emergjencës, të drejtuar nga prefekti, të kryetares së Bashkisë dhe stafit të saj, por edhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë të pushtetit vendor dhe qendror, janë të gjitha mundësitë për ta menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë pandemi.

Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve në respektimin e të gjitha kufizimeve të distancës sociale, të këshillave të autoriteteve të shëndetit publik, në mënyrë që jo vetëm të izolojmë të gjitha rastet dhe të ndihmojmë për t’u shëruar të gjithë të prekurit nga COVID-19, por njëkohësisht të garantojmë mposhtjen e kësaj pandemie sa më shpejt dhe rikthimin në normalitet të jetës sa më parë të jetë e mundur.

Dua ta falënderoj kryetaren e Bashkisë për angazhimin dhe përkushtimin e saj, edhe të stafit të Bashkisë, në bashkëpunim me Shtabin e Emergjencave të qarkut dhe me të gjitha autoritetet e tjera.

Jam i bindur se përmes këtij bashkëpunimi do mbrojmë shëndetin dhe jetën e të gjithë qytetarëve të bashkisë së Shkodrës që ka shtrirje mjaft të gjerë gjeografike, nga Velipoja e deri në Theth.

Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues në këtë proces! Askush të mos ndihet fajtor dhe të rrezikojë duke mos bashkëpunuar për të bërë testin apo për të mos realizuar procesin e karantinimit në rastet e dyshuara! Pasi nuk është turp që të kesh COVID-19. Është turp që të jesh i pakujdesshëm dhe t’ua transmetosh njerëzve të tjerë, familjes, fqinjëve dhe të gjithëve me radhë. Por unë besoj se jemi në rrugën e duhur të përmirësit të situatës.Shpresojmë se duke filluar nga sot edhe në Qarkun e Shkodrës, i cili padyshim që është një qark mjaft i ekspozuar, edhe për arsye të tri pikave të kalimit kufitar, të cilat vazhdojnë të jenë mjaft aktive për shërbime të ndryshme, por edhe për arsye të tjera.

Shpresoj dhe besoj shumë te qytetaria shkodrane si dhe te përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi i tyre me autoritet vendore.”

Nëse a: “Po respektohen detyrat që Presidenti i Republikës ka ngarkuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare? Si dhe vendet që kanë më tepër rezultate në këtë orë janë ato po kryejnë testime masive. Ka një hezitim nga qeveria për ta kryer këtë. Për shkak të informacionit që ju keni, nga mungesa e kapaciteteve apo për çfarë, sepse ky stopim edhe i ekonomisë, edhe i lëvizjes së jetës në përgjithësi, do ta godasë rëndë Shqipërinë?”, Presidenti Meta iu përgjigj: “Procesi i kufizimeve është një proces, të cilin po e ndjek shumica e të gjitha vendeve, pa përjashtim.

Aq më tepër që të mos harrojmë edhe faktin tjetër se ne jemi fqinjë të drejtpërdrejtë të Italisë, me të cilën kemi shkëmbimet më të mëdha njerëzore dhe ekonomike njëkohësisht. Kështu që në këtë drejtim duhet të jemi të duruar dhe duhet t’i respektojmë këto kufizime.

Së dyti, unë besoj se përmes gjurmimit efikas të të gjitha rasteve të evidentuara, si dhe përmes testimeve të realizuara për shkak të kësaj gjurmueshmërie, do të arrijmë të izolojmë të gjitha ato raste në mënyrë që të mos kemi një shpërndarje të mëtejshme, por përkundrazi, të kemi një shërim të të gjithë personave të prekur dhe të të gjitha vatrave krijuara deri tani.Besoj shumë në bashkëpunimet e tyre. Sa më shumë të bashkëpunojmë aq me efikasë e më të suksesshëm do të jemi dhe aq më shpejt do t’i rikthehemi jetës normale.”

LIVE – Prononcim për mediat nga qyteti i Shkodrës

Gepostet von Ilir Meta am Dienstag, 7. April 2020