Presidenti Meta në kuadër të “Ditëve të Kujtesës” 2021: Të mos harrojmë të kaluarën, për të mos lejuar përsëritjen e saj në të sotmen dhe të ardhmen

139
Sigal

Ditën e sotme, Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 6-të të “Ditëve të Kujtesës”, me temë “30 vite më pas – Sa e njohim regjimin komunist?”, të organizuar nga Instituti shqiptar për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin gjerman “Konrad Adenauer” (KAS).

Në këtë aktivitet, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve politikë, historianë të shquar vendas e të huaj, merrte pjesë edhe kreu i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Vincenzo del Monaco, si dhe historiani i mirënjohur austriak, Prof.Dr. Oliver Schmitt.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

“Ju falenderoj për ftesën, për të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm, me një emër mbresëlenes “Ditët e Kujtesës”.

Këtë vit mbushen 30 vjet të shkëputjes së vendit nga shtypja dhe izolimi, të imponuara nga diktatura më e egër, që njohën vendet e Europës Lindore, pas Luftës së Dytë Botërore.

30 vjet më parë, më 20 shkurt 1991, në sheshin “Skënderbej” u krye akti simbolik i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Një akt, që shënoi rënien e sistemit më të ashpër totalitar të gjithë Europës Lindore dhe fillimin e një periudhe të re për vendin, atë të demokracisë.

Sot, pas 3 dekadash, një sërë aspiratash të të rinjve të asaj kohe, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, nuk janë realizuar ende.

Ndërkohë, që shumë problematika të asaj kohe, i mbartim ende në forma të reja në shoqërinë tonë edhe pas 30 vjetësh, të pazgjidhura ose pjesërisht të zgjidhura si: qasja ndaj së shkuarës,  pranimi i fajit për krimet e bëra gjatë asaj periudhe, vlerësimi dhe kompensimi i personave që kanë vuajtur dënime të padrejta, kthimi dhe kompensimi i pronave, madje edhe për komunitetet fetare, e shumë çështje të tjera.

Është e rëndësishme të kujtojmë çfarë ky vend ka kaluar gjatë kësaj periudhe të errët, për të ecur të sigurtë në të ardhmen.

Është e rëndësishme të dëgjojmë dhe të njohim dëshmitë e intelektualëve, që ju desh të përballen me terrorin e regjimit, por që nuk u dorëzuan dhe që ashtu si At Zef Pllumi: “rrnojtën për me tregue.”

Këto janë ditët e kujtesës së një periudhe të errët në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve,  la gjurmë dhe pasoja të rënda traumatike për vendin, të cilat edhe sot i ndjejmë. Sepse reminishencat dhe modelet arbitrare të drejtimit, ende përpiqen të mbijetojnë edhe në kushtet e demokracisë.

Prandaj kjo veprimtari, këto panele dhe ekspozitat, që do të hapen, si pjesë e këtij organizimi disa ditor, kanë një vlerë, kanë një mesazh, por kanë edhe një qëllim për të na ndihmuar për të ardhmen, në mënyrë që: Të kujtojmë dhe të mos harrojmë ditët, kohën dhe pasojat e diktaturës.

T’i kujtojmë ato ditë të errëta, për të nxjerrë mësime, t’i kujtojmë ato, për të mos lejuar, që hijet e së shkuarës të kërcënojnë të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

T’i kujtojmë ato kohë të zymta, për të na kujtuar dhe rikujtuar se sa e brishtë është demokracia dhe institucionet e saj.

Për të na kujtuar se shtypja e reagimit qytetar, e shprehjes dhe e lirisë së mendimit është në fakt instalim i diktaturës.

Për ta na kujtuar se, një popull që fle në demokraci, mund të zgjohet në diktaturë.

Diktaturat janë regjime, që bazohen mbi gënjeshtrën dhe që përmes propagandës, shpëlarjes së trurit, përpiqen tek një pjesë e shoqërisë, që manipulohet më lehtë, t’i serverin gënjeshtrat si të vërteta.

Ndërsa tek pjesa tjetër e shoqërisë, më intelektuale, diktaturat përpiqen t’i imponojnë gënjeshtrat përmes represionit dhe formave të ndryshme të dhunës, që ata t’i pranojnë si të vërteta dhe t’i duartrokasin.

Demokracia është të jetosh në liri dhe në dinjitet.

Pas 30 vitesh, duhet të kuptojmë mirë se demokracia mbrohet dhe ruhet çdo ditë.

Demokracia mbrohet dhe ruhet jo vetëm kur cenohet një e drejtë e jotja, por edhe kur cenohet një e drejtë e fqinjit tënd, e kolegut tënd, e shokut tënd, e një pjesëtari të komunitetit, sepse në atë moment që ndodh kjo padrejtësi, sistemi represiv i kërcënon të gjithë.

Unë besoj, që pas 30 vjetësh dhe këto “Ditë Kujtese” të na ndërgjegjësojnë për këtë rëndësi, që ka kujdesi për demokracinë çdo ditë dhe në mënyrë të përhershme. Demokracia kërkon sakrifica të vazhdueshme në mënyrë që ajo të bëjë gjithmonë hapa përpara. Duke përfunduar ju uroj  sukses në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij eventi shumë të rëndësishëm. Ju faleminderit !