Presidenti Meta e promovoi “pranverën kuq e zi” në Shqipëri

588
Sigal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, firmosi publikisht, përpara mijëra qytetarëve të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, dekretin që e kthen në Kuvend Ligjin për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të miratuar pak ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë që dominohet nga socialistët.

Presidenti Meta e bëri këtë në shenjë proteste ndaj ndryshimit të këtij ligji që e shpërfill rolin e Presidentit të Republikës në përzgjedhen e anëtarëve të organit kulmor të drejtësisë në Shqipëri.

Por, Presidenti Meta paralajmëroi edhe mundësinë e nënshkrimit të një dekreti tjetër, atij për shpërndarjen e Parlamentit të Shqipërisë.

Meta u betua publikisht se do ta bëjë këtë pas 15 marsit, në qoftë se deri deri atë ditë nuk përfundon reforma zgjedhore, siç është premtuar nga mazhoranca socialiste.

“Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë nuk e merr seriozisht këtë dekret unë ju jap fjalën në emër të këtij flamuri për të cilin kanë rënë mijëra dëshmorë se pas datës 15 mars kur të përfundojë reforma zgjedhore që është një kusht, nëse ata nuk do ta marrin seriozisht populli kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu por në mes të parlamentit, atje në mes të krimit dhe do ti bëj thirrje të gjithë popullit shqiptar unë i pari, dhe gjithë populli kuqezi. Jemi populli që vuajti më shumë se kushdo komunizimin. Jemi populli dhe vendi ku u varën klerikët, hoxhallarët. Jemi popull që jetën e japim, e demokracinë jo”, theksoi Meta.

Presidenti Meta foli me gjuhë shumë të ashpër kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës socialiste në Kuvend.Ai përsëriti akuzat për një sërë veprimesh që sipas tij përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës së Shqipërisë.

Meta theksoi disa herë se Kushtetuta është e shenjtë dhe u bëri thirrje qytetarëve të  Shqipërisë që të vihen në mbrojtje të rendit kushtetues e të sovranitetit të Shqipërisë.

“Neni 2 i Kushtetutës që ju votuat në referendum në 22 nëntor 1998 thotë: Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit. Ndaj ju kam ftuar jo si Ilir Meta por si Presidenti juaj, i vetmi institucion legjitim që ka mbetur në këtë shtet për të dëgjuar zërin tuaj sepse kur institucionet bien, ngrihet populli”, theksoi ai.

Presidenti i Shqipërisë përsëriti gjithashtu akuzat për “grusht shteti”, duke vënë theksin te veprimet e mazhorancës për vënien nën kontroll të organeve të drejtësisë dhe për instalimin e pushtetit autoritar. Po ashtu, ai e akuzoi përsëri qeverinë për vjedhje votash, për korrupsion e keqpërdorim të fondeve publike dhe për bashkëpunim të pushtetit me krimin e organizuar.

Ai paralajmëroi se “kjo pranverë kuqezi” nuk do të ndalet.

“Dua të siguroj se kjo pranverë kuqezi nuk ndalet më deri në rivendosjen e plotë të sovranitetit tuaj të rendit demokratik dhe llogaridhënës në Shqipëri”, theksoi ai.

Në fund të fjalimit të tij, që u përcoll me ovacione e brohoritje të publikut here pas here, Presidenti Meta u bëri thirrje pjesëmarrësve që të kthehen paqësisht në  familjet e tyre. Ai kërkoi nga protestuesit që lulet e mimozës që i kishin në duar t’ua dhuronin efektivëve të policisë që ishin angazhuar për ruajtjen e rendit e të institucioneve shtetërore.

Para fjalimit të Presidentit Meta, turmës së protestuesve në Bulevard, iu drejtuan edhe Ledi Bianku, ish-gjyqtar i Gjykatës së Strasburgut, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, regjisori e dramaturgu Edmond Budina, artisti Bujar Kapexhiu, kampioni botëror në artet marciale, Kristjan Demaj, dhe studentja e mjekësisë.

“Gëzohem që një thirrje për të mbrojtur Kushtetutën dhe liritë i gjen në këtë lloj reagimi. Them se institucionet e pavarura nuk kanë vdekur. Sot kur ju shoh kuptoj se jy keni arsye që protestoni për liri demokraci dhe për gjykata që ju japin të drejta”, theksoi Bianku.

“Ne nuk kërkojmë gjë tjetër vetëm mbrojtjen e Kushtetutes dhe respektimin e shtetit ligjor. Pse keni frike zoterinj pushtetare nga zgjedhje te reja per te kthyer legjitimitetin e institucioneve demokratike?”, theksoi diplomati Nesho.

“Sot jam me të gjithë ju që jeni në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të dokumentit themeltar të shtetit të lirë dhe demokrat. Jam kundër të gjithë atyre që tentojnë ta shkelin, deformojmë dhe falsifikojnë dokumentin themeltar të një grupi të caktuar. Ne morëm më të keqen e diktaturës dhe po shpikim më të keqen e demokracisë”, theksoi artisti Kapexhiu.

“30 vjet më parë ne kishim një ëndërr, ta bënim Shqipërinë si gjithë Evropa. Pas 30 vitesh kthehem këtu për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Për ta shpëtuar nga kjo diktaturë e re e cila mundohet ta përdhosë vendin. Ne kthehemi këtu për të luftuar korrupsioni dhe mafien. I vihem në krah presidentit për të mbrojtur kushtetutën. Nuk kam ardhur këtu si mik i Metës, as si përfaqësues i partive, por për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë e vendit tone”, theksoi Budina.

Manifestimi i ftuar nga  Presidenti Meta përfundoi pa asnjë incident serioz dhe pjesëmarrësit u shpërndanë në mënyrë të qetë.

(Ramadan Muçolli)