Presidenti Meta: Demokracia do ta rrethojë diktaturën dhe do ta shembë atë

309
Sigal

Presidenti Ilir Meta deklaroi sonte në një intervistë televizive se shkatërrimi i Teatrit Kombëtar është një çështje e madhe korruptive, antikushtetuese dhe amorale. Presidenti Meta u shpreh se ky akt është tronditës dhe shkombëtarizues. Me tone të forta kritike, Presidenti u shpreh se kemi të bëjmë me një akt shkombëtarizues.

 “Një popull pa histori është një popull pa të ardhme. Çështja e Teatrit është padyshim një çështje korruptive, antikushtetuese, e paligjshme dhe amorale. Vështirë të gjeni në historinë e Shqipërisë në këto vite, më shumë lajme në botë, nga Amerika në Burma, se sa për këtë çështje, ku shprehet hapur tronditja nga akti i shkatërrimit të Teatrit Kombëtar.  Padyshim që një politikë e tillë është shkombëtarizuese dhe kjo e bën këtë krim të paamnistueshëm. Ky akt është në vazhdën e shumë akteve të tjera, si në Durrës, apo siç është rasti i kullës së shëmtuar në qendër të Korçës”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta.

Presidenti u shpreh se e kupton shqetësimin e artistëve dhe zemërimin qytetar ndaj paligjshmërisë. Ai u shtoi se demokracia do e rrethojë diktaturën dhe do t’a shembë atë.

“Ndjehem shumë i detyruar ndaj artistëve në përgjithësi të cilët janë shumë të tronditur dhe të lënduar nga kjo që ka ndodhur. Nëpërmjet mediave, por edhe në takimet e afërta me ta kam parë shumë lot. Sjellja në 17 maj ndaj tyre ka qenë çnjerëzore.  Nuk është synuar shembja e teatrit, por e demokracisë. Mendoj që është zgjuar qytetaria dhe besoj se demokracia do ta rrethojë diktaturën dhe do ta shembë atë në mënyrën më të vendosur dhe qytetare”,- deklaroi kreu i shtetit.