Auron Tare kundër Ramës: Teatri nuk duhej shembur!

148

Studiuesi Auron Tare, njëkohësisht anëtar i këshillit shkencor të UNESCO-s, thotë se do të dëshironte që të merrte pjesë në protestën për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Megjithatë, ai thotë se pjesëmarrja e opozitës ka bërë që të hezitojë të ndërmarrë një hap të tillë.

Ai thotë gjithashtu se edhe persona të tjerë që duan teatrin nuk marrin pjesë në protestë për të njëjtën arsye.

“Unë kam qenë për ruajtjen e teatrit si një vlerë të rëndësishme edhe e trashgimisë të epokës fashiste në Shqipëri. Kushdo që ka lindur dhe është rritur në këtë qytet ka kontaktin emocional. Në kohën e rinisë tonë, Teatri ishte një çështje e rëndësishme kulturore, sociale, etj.Unë nuk do të shkoj në protestë, sepse kam parë që çështja e teatrit është bërë thellësisht politike. Njerëz pa kauzë. Kjo ja heq vlerën debatit.

Sepse po të shikosh, të dy liderët e opozitës kanë qenë 10 vite në pushtet, nuk kanë bërë asgjë për teatrin, as për aktorët, as për godinën, nuk kanë bërë asgjë fare. Pardje nuk e patë si u rrahën ato njerëzit atje. Edhe shumë njerëz që unë njoh, njerëz të mirë, e donin teatrin dhe e duan, që jam i sigurt që do të dilnin atje. Në momentin që shikojnë që e gjithë kauza e teatrit po bëhet teatër, nuk shkon njeri.

Nuk shkojnë sepse nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar. Çdo gjë në jetë është politikë. Por unë mendoj që nuk dal dot në një çështje politike, sepse nuk e shikoj që politika ka qenë e ndershme me teatrin. Ato që qëndruan dhe bënë atë pjesën e rezistencës, ato kanë respektin e shumë njerëzve, por jo pjesën e politikës”, u shpreh Auron Tare