Presidenti Ilir Meta: Situata e rëndë mjedisore është e papranueshme dhe e dënueshme ligjërisht, jemi në prag emergjence

135
Sigal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar për situatën e rëndë me mbetjet që kanë pushtuar qendrat urbane.

Teksa e quan situatën prag emergjence, Kreu i Shtetit shkruan në faqen e tij zyrtare në  ‘Facebook’ se, “Situata meriton ndërgjegjësim dhe reagim të menjëhershëm efektiv të pushtetit vendor dhe të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit”.

Mesazhi i plotë i Kreut të Shtetit: 

E papranueshme dhe e dënueshme ligjërisht situata e rëndë mjedisore, në prag emergjence, e shkaktuar nga mbeturinat në qendrat urbane dhe përgjatë bregdetit të Adriatikut, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik. Ky krim mjedisor, me pasoja të rënda për shëndetin e banorëve dhe të turistëve, për florën e faunën dhe që dëmton imazhin e Shqipërisë, meriton ndërgjegjësim dhe reagim të menjëhershëm efektiv të pushtetit vendor dhe të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit, si dhe ndëshkim nga drejtësia.