Presidenti i Shqipërisë/ Prof. Bajram Begaj, merr pjesë në takimin e SEECP në Malin e Zi. Bashkpunim mes Ballkanit dhe BE-së

111
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj mori pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Kryesisë së Radhës së Malit të Zi, në kuadër të Samitit të Nismës së Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP). Takimi u organizua nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në Podgoricë, në mbyllje të Kryesisë së Radhës së SEECP-së nga Mali i Zi. Presidenti Begaj, i cili kryesonte delegacionin shqiptar në Takimin e Nivelit të Lartë, mbajti një fjalë për të pranishmit, si dhe dha një prononcim për mediat.

“Shqipëria i ka mbështetur plotësisht prioritetet e Kryesisë së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Podgoricë. Integrimi në Bashkimin Evropian i pjesëmarrësve aspirantë të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, siguria dhe të drejtat e njeriut, forcimi i institucioneve demokratike, bashkëpunimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe zhvillimi i qëndrueshëm mbeten ende vendimtare për rajonin tonë. Kur flasim për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, në radhë të parë kemi parasysh gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë bërë progres të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Ashtu si Serbia dhe Mali i Zi më herët, një vit më parë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë hapur bisedimet e anëtarësimit dhe tani presin miratimin për takimin e dytë Ndërqeveritar me Bashkimin Evropian. Bosnja dhe Hercegovina ka marrë statusin e kandidatit dhe Kosova së shpejti do të gëzojë liberalizimin e vizave dhe shpresojmë që sa më shpejt të marrë edhe statusin e vendit kandidat. Do të doja gjithashtu të përshëndesja Moldavinë për marrjen e Statusit Kandidat në BE. Për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike, Bashkimi Evropian ka ndryshuar qasjen e tij në lidhje me politikën e zgjerimit. Ne besojmë fort se pjesëmarrësit e Bashkimit Evropian në forumin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore do të kontribuojnë më tej në lehtësimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo qasje e re është dëshmuar edhe me Samitin e parë të zhvilluar ndonjëherë Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, organizuar në Tiranë dhjetorin e kaluar, por përkon edhe me faktin që këtë vit, Shqipëria do të kryesojë Procesin e Berlinit, si vendi i parë nga rajoni i Ballkanit Perëndimordhe Samiti do të zhvillohet në tetor të 2023-it. Por, kur i referohemi çështjeve të sigurisë dhe të drejtave të njeriut, ndikimi është më i gjerë se sa vetëm dhe thjesht rajoni i Ballkanit Perëndimor. Na shqetëson të gjithëve për shkak të situatës aktuale të sigurisë në Evropë si rezultat i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, por edhe konflikteve të shkuara dhe ndërhyrjeve të palëve të treta keqdashëse dhe keqinformimit, por jo vetëm. Për këtë arsye, besoj se përgjigjja e vetme ndaj të gjitha këtyre sfidave duhet të jetë forcimi i bashkëpunimit strategjik mes nesh dhe Bashkimit Evropian për çështjet e sigurisë, politikës së jashtme, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik. Fatkeqësisht, siguria në rajonin tonë është ende shumë e brishtë dhe është detyrimi ynë që kjo situatë të ndryshojë. Dialogu duhet të mbizotërojë për të gjitha çështjet e hapura, dhe retorika konfliktuale duhet të zhduket nga fjalori ynë, për hir të synimit tonë të përbashkët për paqe dhe zhvillim. Vendet e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, ku 6 janë shtete kandidate për në Bashkimin Evropian dhe 9 janë shtete anëtare të NATO-s, përballen me sfida dhe kërcënime të reja, prandaj duhet të kenë prioritet sigurinë kombëtare dhe rajonale, stabilitetin dhe të ardhmen e tyre në boshtin euroatlantik. Jo më pak rëndësi kanë institucionet demokratike, bashkëpunimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Ne kemi punuar shumë për t’i forcuar më tej institucionet demokratike.  Historia na ka mësuar se demokracia nuk është e pakthyeshme. Nëse nuk ndërmarrim veprime të menjëhershme dhe të koordinuara për të forcuar më tej institucionet demokratike, kalimi nga demokracia në autokraci mund të jetë vetëm çështje kohe. Nuk mund ta përfundoj fjalën time pa përmendur Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe energjinë e tij të shkëlqyer me Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Të gjithë krenohemi sot, që krahu ekzekutiv i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal është në vijën e parë të agjendës së bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor duke arritur sukses në mes të sfidave politike. Shqipëria ka vlerësuar lart punën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe Strategjinë e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për Evropën Juglindore 2030, duke besuar se kjo Strategji do të çojë më tej zhvillimin, stabilitetin dhe ekonominë e rajonit të Evropës Juglindore. Kjo strategji do të sigurojë gjithashtu standarde më të mira jetese në rajon dhe do të përshpejtojë procesin e integrimit evropian. Si përfundim, dëshiroj t’i përcjell çdo sukses Maqedonisë së Veriut për Kryesimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe Shqipëria mezi po pret të marrë kryesinë për mandatin 2024-2025.”