Presidenti Bajram Begaj uron Kosovën për Ditën e Çlirimit: Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah

35
Sigal

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar popullin e Kosovës me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.

“Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!”, shkruan Kreu i Shtetit, duke kujtuar ditën historike të hyrjes së trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO në Kosovë, më 12 qershor 1999.

Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj thekson se kjo ndërhyrje ndaloi “masakrat çnjerëzore dhe spastrimin etnik kundër popullsisë civile që po ndodhte në zemër të Evropës”, duke e cilësuar një nga momentet më të rëndësishme të ndërgjegjes ndërkombëtare për t’i dhënë fund një prej faqeve më të errëta të historisë moderne.

Begaj nderoi gjithashtu luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shprehu mirënjohje ndaj aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që kontribuuan në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës, besimplotë në të ardhmen e përbashkët evropiane”, përfundon mesazhin e tij Presidenti Begaj.

Postimi i plotë:

Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!

26 vjet më parë, trupat paqeruajtëse, të udhëhequra nga NATO, hynë në Kosovë, duke ndalur masakrat çnjerëzore dhe spastrimin etnik kundër popullsisë civile që po ndodhte në zemër të Evropës.

Sot nderojmë luftën heroike të UÇK-së dhe falënderojmë aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë që i dhanë fund një prej faqeve më turpëruese të historisë moderne të njerëzimit dhe mbështetën më tej ndërtimin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës.
Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës, besimplotë në të ardhmen e përbashkët evropiane!