Presidenti Bajram Begaj/ Dekretohet ligji i posaçëm për portin e Jahteve në Durrës dhe lirimi nga detyra i drejtorit të SHISH Helidon Bendo

132
Sigal

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin për portin e Jahteve në Durrës. Kështu është dekretuar marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe dy kompanive të huaja për ndërtimin e një porti Jahtesh dhe pallate shumëkatëshe në Portin e Durrësit. Ligji kaloi në kuvend vetëm me votat e mazhorancës, pasi u kundërshtua nga opozita si një ndër aferat korruptive më të mëdha të vendit. Opozita akuzon Ramën se ai ka lidhje dhe interesa personale në këtë projekt, ndërkohë që projekti ka ngritur shqetësime edhe nga BE-ja.

Lirohet nga detyra drejtori i SHISH Helidon Bendo!

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Shkrimi është firmosur pas kërkesës së Kryeministrit Rama. Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoj: Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar”,- thuhet në dekret.

Rama e pret në zyrë: Do jetë këshilltar për reformën në institucionet e sigurisë

Pak minuta pas publikimit të dekretit të Presidentit ka reaguar Kryeministri Rama, i cili sqaron se në fakt bëhet fjalë për një lirim nga detyra për shkak se Bendo po vijon studimet. Rama thotë se ai do të jetë në vijim këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë. “Me Helidon Bendon, Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar dorëheqjen. Ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë”, -shkruan Rama.