Damian Gjiknuri: Ne nuk zbresim nën 40 bashki në zgjedhjet lokale

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka deklaruar se Partia Socialiste në zgjedhjet lokale ka të sigurta fitimin e 40 bashkive. Gjatë fjalës së tij me gazetarët, Gjiknuri theksoi se me kundërshtarët që ata kanë, numri i bashkive mund të jetë edhe më i lartë. “Nuk zbresim nën 40 bashki, kjo nuk diskutohet. Shifra mund të jetë edhe më e lartë, por varet nga dinamika dhe organizimi ynë. Duke parë qeverisjen dhe trashëgiminë elektorale dhe alternativën përballë dalim natyrshëm në këtë përfundim.”- tha Gjiknuri. Numri 2 i Partisë Socialiste, Gjiknuri ka theksuar se deputeti Benet Beci është një kandidat i përshtatshëm për kryebashkiak të Shkodrës. Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit deklaroi se Partia Socialiste do të bëjë një konsultim të gjerë për të zgjedhur kandidatët e PS për bashkinë e Tiranës, por jo përmes Primareve. Gjiknuri tha se PD nuk bëri “Primare” siç zhvillohen kudo nëpër botë, por një proces zgjedhor të ngushtë partiak. Gjiknuri reagoi në lidhje me votimin elektronik dhe tha se ishte e pamundur që Shqipëria të aplikonte votimin elektronik në të gjitha bashkitë, pasi kjo do të kushtonte miliona dollarë duke shtuar se vendi aktualisht është në vështirësi ekonomike. Gjiknuri ka komentuar mungesën e Arben Ahmetajt në festën e PS-së. Duke folur me gazetarët, ai theksoi se socialistët nuk kanë mbajtur shënim se kush erdhi në festë dhe kush jo. “Nuk mbajtëm shënim kush erdhi, kush nuk erdhi në festë”,- tha Gjiknuri. Ndërkohë që për akuzat që janë ngritur ndaj Ahmetajt, pasi emri i tij është lidhur me personat në kërkim për çështjen e inceneratorëve, Gjiknuri tha se nuk komenton akuzat, që ngrihen përsa kohë që ka një hetim. “Ju e dini që ka një hetim. Nuk ka pse të komentoj akuzat, që ngrihen. Në Shqipëri ka një tendencë që gjyqi të bëhet mediatik dhe publik, por procesi i vërtetë ligjor është në organet e drejtësisë. Është një organ që qeveria nuk e kontrollon, që ka marrë në përgjegjësi penale figura të larta”.

 

Sigal