Gazeta e përjavshme franceze me prirje të majta “Le Nouvel Obs” ka publikuar një artikull mbi Shqipërinë, ku në fokus ka patur ngritjen e kampeve të refugjatëve në vendin tonë, mbi bazën e marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe asaj italiane Gerogia Meloni.
Pjesë e artikullit ka qenë edhe një intervistë me publicistin Fatos Lubonja, i cili ka deklaruar se e vetmja gjë e sigurt nga ngritja e kampeve të refugjatëve është se do i kushtojnë shtrenjtë Shqipërisë.
Ndër të tjera Lubonja ka folur edhe për miqësinë që ka patur me kryeministrin Edi Rama pas kthimit të tij nga Parisi, por sipas tij, kreu i qeverisë tradhtoi idetë e tij, pasi u fut në politikë.
Ju vetë e njihni mirë kryeministrin Edi Rama, i cili ishte një nga miqtë tuaj të ngushtë dhe anëtar i revistës suaj letrare «Përpjekja», e themeluar në Tiranë në vitin 1994, tri vjet pasi ju dolët nga burgu.
Fatos Lubonja: “Është e vërtetë. Në atë kohë, ai ishte kthyer nga Parisi, ku kishte studiuar artet plastike. Ai kishte një thënie: «Inteligjenti kërkon të vërtetën, ndërsa politikanët kërkojnë votat.» Unë isha mik me të kur ai kërkonte të vërtetën. Por kur u bë politikan, ai tradhtoi të gjitha idetë e tij. Ai, që u bë i njohur në vitin 2003 me një projekt artistik të gjerë që përfshinte rilyerjen me ngjyra të ndezura të të gjitha fasadave të qendrës së Tiranës kur ishte kryetar i bashkisë, tani është themelues i shkatërrimit të të gjithë monumenteve tona historike, të cilat i zëvendëson me godina të shëmtuara dhe kulla fallike, ndërtimi i të cilave shërben për të pastruar paratë e drogës. Por të gjitha këto, Giorgia Meloni, dhe para saj Matteo Renzi [kryeministër italian nga 2014 deri në 2016], apo Donald Trump [president i Shteteve të Bashkuara nga 2017 deri në 2021, që po kërkon një mandat të ri në Shtëpinë e Bardhë], miqtë e tij të rinj, nuk i shohin. Ai ka fabrikuar një personazh ikonik, pak artist, pak nga të gjitha, që pretendon të jetë progresist, gati “ëoke” ndonjëherë, në mënyrë që t’i pëlqejë dhe pse jo, t’i argëtojë perëndimorët.
Kjo është ironike, sepse në të njëjtën kohë krimi i organizuar po përparon dhe më shumë se 700,000 nga 2.8 milion shqiptarë kanë ikur nga vendi për të emigruar masivisht në Evropën Perëndimore dhe Veriore. Më kujton profecinë e Guy Debord: «Nëse në një sistem, iluzioni me format e tij spektakolare arrin në pikën që mbizotëron mbi realitetin, kjo tregon se rendi social është në krizë legjitimiteti.»