Presidencë dhe Qeveri, “shtetrrethim dhe gjendje lufte”

415
Ka jo pak raste, që dëshmojnë divergjencën e hapur, mes institucionit të Presidentit dhe mazhorancës të socialistëve, të kryesuar nga Edi Rama. Ky i fundit, tashmë i njohur për “skupe” antiligjore, për abuzime dhe përdorim privat e pirat të segmenteve të mazhorancës, që nga krerët e PS e deri te grupi parlamentar i saj. Presidenti i vendit, ka fuqinë e të drejtës ligjore, të kontrollojë, të parandalojë e të ndalojë veprime, që bien ndesh me ligjin, qofshin këto edhe qëndrime të ligjëvënësve, aq më tepër, të mazhorancës politike, tashmë të njohur për shkelje të rënda e sistematike në aspektin ligjor dhe për shpërdorim të moralit qeverisës të vendit. Presidenti, duket se në disa raste e ka përmbushur këtë detyrim kushtetues, duke kthyer mbrapsht e duke mos dekretuar, ligjet e miratuara me shumicë kartonash nga parlamentarët rozë në pushtet. Këtij qëndrimi i është kundërvënë nga ana tjetër me bllokim të dekreteve të Presidentit, pikërisht grupi parlamentar i PS-së, të prirë nga Rama dhe Ruçi si dhe njerëzit që kanë lidhje interesash me pushtetin dhe kryeministrin aktual. Rrëzohet Dekreti i Presidentit, për Arsimin e Lartë si dhe një sërë dekretesh të tjera. Kjo praktikë, ky qëndrim brutal, tipik monist, nuk është zbatim ligji dhe pavarësi pushtetesh, por një provokacion i hapur kundër kreut të shtetit, për ta përfshirë atë në konflikte që largojnë vëmendjen nga zbatimi i detyrimeve, që Presidenti ka në pozicionin e tij. 
Lëshimet e Presidencës
Presidenti Nishani nuk duhet të lejojë që mazhoranca politike, tashmë e denoncuar edhe nga bota si një klikë abuzatorësh, të provokojë pozicionin e tij si kryetar shteti, me votime ligjesh dhe me kundërshtim dekretesh, që bien ndesh me Kushtetutën, përkundrazi ai duhet të veprojë me tërë forcën e ligjit në zbatim të kushtetutës kur është betuar para sajë në ditën e parë të marrjes së detyrës si kryetarë i shtetit. Madje, ai duhet të ndërhyjë edhe në vendimet e qeverisë, sepse fundja është kreu i shtetit, e jo një nëpunës i thjeshtë i administratës. Është viti i tretë që Presidenti Nishani “bashkëqeveris” me qeverinë aktuale të drejtuar nga Rama, por fatkeqësisht deri tani nuk ka patur “paqe” mes tyre, por ata kanë “bashkëpunuar” si në “gjendje lufte” dhe “shtetrrethim”. Këtë situatë dhe panoramë e tregon më së miri edhe periudha e “bashkëpunimit” dhe e “qeverisjes” mes këtyre dy institucioneve. Pyetjes se, a është i provokuar Presidenti nga mazhoranca qeverisëse, i përgjigjet padyshim shprehja se “fshati që duket nuk do kallauz”.
Sigal