Zhvillimi rajonal, Gjermeni: Të reduktojmë diferencat social ekonomike midis rajoneve

328
Reforma për Zhvillimin Rajonal, synon të mundësojë rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të politikave të investimeve publike, krijimin e rajoneve konkurruese me zhvillim të qëndrueshëm social, ekonomik e mjedisor, në zbatim të politikës së kohezionit territorial.
Në funksion të kësaj reforme, me vendim të Këshillimit të Ministrave u miratuan Katër zona (rajone) të Zhvillimit Rajonal. Të katër Agjencitë e Zhvillimit Rajonal me seli në Shkodër, Tiranë, Korçë dhe Vlorë do të përgatisin dhe zbatojnë projekte konkrete, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, për të kontribuuar kështu në zhvillimin e rajonit ku operojnë. Në këtë mënyrë të katër institucionet e sapokrijuara do të kenë si qëllim zbatimin e politikave rajonale që synojnë ndërhyrje të integruara për zhvillimin e territoreve dhe fuqizimin e potencialeve ekonomike të rajoneve.
Për këtë qëllim nën drejtimin e Ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, në prani të Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, përfaqësues nga 3 ministri të linjës dhe 16 kryebashkiakëve është mbajtur sot “Takimi i parë të partnerëve për zhvillimin rajonal” ku janë konstituar edhe bordet për secilën prej 4 agjencive. Zëvendëskryeministri Peleshi në fjalën e rastit e cilësoi AZHR si platformën ku bashkitë do të ulen për projekte që kalojnë kufijtë e një bashkie.
Në emër të bashkive, në takim kanë dhënë sugjerimet e tyre kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Lidhja e marrëveshjes së bashkëpunimit me 4 Kryetarët e bashkive e kryesore, ku janë selitë e agjencive për zhvillimin rajonal (Bashkia Tiranë, Bashkia Shkodër, Bashkia Vlorë dhe Bashkia Korçë) do të mundësojë një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë mes qeverisjes qendrore me atë vendore.
Ministrja Gjermeni në fjalën e hapjes tha se nëpërmjet AZHR (Agjencisë për Zhvillimin Rajonal) do të inkurajohet zhvillimi i modeleve të qëndrueshme të bashkëpunimit dhe partneriteteve, reduktimi i diferencave social ekonomike midis rajoneve, si dhe promovimi i ekonomive lokale, rajonale e ndër- rajonale.
“Kjo qasje e re, sigurisht kërkon një angazhim të të gjithë partnerëve për të formësuar së pari kulturën e bashkëpunimit dhe punës në ekip ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj vendore apo edhe njësive vendore me njëra – tjetrën. Ministria e Zhvillimit Urban, si institucioni përgjegjës për realizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe të katër njësive vendore, ku do të krijohen dhe Agjencitë e Zhvillimit Rajonale, do të ofrojë në mënyrë të vazhdueshme asistencë teknike dhe inkurajojë krijimin e një modeli sa më të gjërë bashkëpunimi”, deklaroi Ministrja Gjermeni.
Sigal