Pranohet kërkesa e Ruçit, Meta: Më 19 prill raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të ri

482
Më datën 19 prill do mbahet raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të ri. Vendimi është marrë sot gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, e cila u zhvillua pas letrës së një dite më parë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, drejtuar kreut të Kuvendit për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve për nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri.

Pas letrës, Ilir Meta mblodhi sot në orën 10:00 Konferencën e Kryetarëve për nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri. Mandati i Bujar Nishanit mbaron më 24 korrik.

Meta u shpreh se procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri nisin më 19 prill në orën 18:00, ndërsa raundi i parë për votimin e presidentit të ri kërkon 84 vota.

Ndërkohë më herët edhe Drejtori i Shërbimit Juridik të Kuvendit Alban Brati i dërgoi një memo Metës ku e njofton për procedurat dhe afatet e zgjedhjes së Presidentit të Republikës një ditë para afatit të nisjes së procedurave.

Në letër thuhej se mandati i presidentit Bujar Nishani mbaron më 24 korrik 2017 ndërsa procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, fillojnë jo më herët se 13 prilli 2017. Ndërkohë që ligji parashikon edhe procedurat në rastin e mbarimit të mandatit të Kuvendit aktual, i cili përfundon më 9 shtator të këtij viti.
Sigal