Porto Romano/ Berisha kërkon votat për Ardi Mukën: Rama nuk ndërtoi as sistemin e kanalizimeve

260
Sigal

Lideri historik i PD, Sali Berisha vijoi në Spitallë dhe Porto Romano takimet me banorët të cilët i ftoi të votojnë kandidatin e ‘Shtëpisë së Lirisë’ Ardian Muka, në zgjedhjet e 6 marsit. 

Berisha akuzoi qeverinë ‘Rama’ se ka zhvatur taksapaguesit, ndërsa shqiptarët janë varfëruar në 8 vitet e fundit, pasi rrogat dhe pensionet në vend që të rriteshin, kanë pësuar rënie për shkak të inflacionit.

Ai tha se Rama nuk arriti të ndërtojë sistemin e kanalizimeve në Durrës duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

“Ardi Muka është një bir i Durrësit, punëtor, i ndershëm dhe i njerëzishëm. Për të cilin ata që nuk e njohin mund të pyesin këdo, do të dëgjojnë vetëm fjalë të mira për të. Ardi Muka është një biznesmen i suksesshëm. Qëkur ka filluar biznesin e tij e deri më sot nuk ka trokitur në dyert e asnjë qeverie demokratike apo socialiste qoftë ajo. Është nga ata biznesmenë që me mundësitë e veta është përpjekur të ndajë diccka edhe me komunitetin, diku të shtrojë një rrugë, diku tjetër të kontribuojë për rindërtimin e një kopshti apo të energjisë elektrike. Ka patur zemrën dhe shpirtin te komuniteti. Ju garantoj, siç e pohoi këtu vetë, se do të përqendrohet me të gjitha mundësitë e tij tek ju dhe tek të gjitha zonat e bashkisë së Durrësit, të injoruara dhe të lëna në harresë. 

Në këto 8 vite kalldrëmi i qendrës është shtruar dhe stërshtruar, kurse rrugët dhe rrugicat tuaja, kanalizimet në zonën tuaj, sistemimi ka mbetur ai që ka qenë. Ne ndërtuam në Durrës impiantin e ujërave të zeza. Nga ajo kohë e deri sot bashkiua e Durrësit, Edi Rama nuk përfunduan sistemimin e kanalizimeve dhe ajo përbën një shqetësim serioz për shëndetin tuaj. Këto 8 vite në Shqipëri më shumë se gjithçka tjetër është rritur varfëria dhe mjerimi i shqiptarëve. Këtë e thonë të gjitha shifrat e institucioneve ndërkombëtare. Në vitin 2013 Shqipëria kishte rrogat dhe pensionet mesatare më të larta në rajon dhe ajo u arrit se kishte një qëllim madhor, investimi te qytetarët.

Duke dyfishuar rrogat dhe pensionet i jepej një përgjigje e fortë varfërisë, u pakësua disa herë krahasuar me atë që ishte më parë. Sot jemi të fundit në rajon për rrogën mesatare dhe pensionet. Shqiptarët shkojnë dhe punojnë në Mal të Zi që sot ka rrogën mesatare dy herë më të madhe se Shqipëria, Kosova 30% më të lartë se Shqipëria. Kjo bëri pastaj që mjerimi, varfëria ekstreme të rritet me katër herë. Kjo bëri që në 5 vitet e fundit mbi 520 mijë të rinj të largohen nga Shqipëria. Të gjitha këto kanë vetëm një shkak abuzimin, shpërdorimin, vjedhjen e taksave tuaja. Nuk ka ndodhur asgjë tjetër që të zbresim ne të fundit për rrogat dhe pensionet kur ishim të parët. Janë rritur çmimet me 30% gjatë këtyre 8 viteve të marra së bashku. Shpërdorime që tejkalojnë çdo imagjinatë. Sot 1 km rrugë kushton 8 fishin, 10 fishin e çmimit të saj në rast se atë e ndërtojnë bankat e huaja. Sot 1 km rrugë në fushë që ndërtohet me paratë tuaja, të buxhetit të shtetit, kushton sa kushtoi në vitin 2012 1 km në tunelin e Elbasanit. Ka rrugë që tenderohen për së dyti”, tha Berisha.