Politika dhe diplomacia kanë rënë në rrënojat e Grushtit të Shtetit

298
Sigal

Bloomberg: Rama shpërfill BE-në, komplikohen shanset për nisjen e negociatave

Edi Rama prish marrëveshjen me opozitën, ndryshon në mënyrë të njëanshme Kushtetutën

Jakup B. GJOÇA

Deputetët dje, në seancën plenare, kanë votuar me 106 vota pro, për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim hapjen e pjesshme të listave zgjedhore dhe ndryshimin e formatit të koalicioneve. Pro ndryshimeve  votuan deputetët e mazhorancës dhe një pjesë e deputetëve të opozitës  së ashtuquajtur  parlamentare, ku spikasin Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi, dy deputetë të investuar posaçërisht për këto ndryshime. Në total, 106 deputetë votuan pro, 10 kundër dhe 6 deputetë  mungonin në sallë. Ndryshimi i Kushtetutës në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, është konsideruar  nga opozita, si thyerje e marrëveshjes së 5 Qershorit të arritur mes palëve në Këshillin Politik, ku ndërkombëtarët shërbyen si ndërmjetës. Ndryshimi i formatit të koalicioneve, konsiderohet si ndryshim i rregullave të lojës në momentet e fundit, pak muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Marrëveshja e arritur mes mazhorancës dhe opozitës më 5 Qershor, u përshëndet edhe nga Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, por u minua ditën e sotme, me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama e quajti sistemin aktual të koalicioneve  “një hile” që mazhoranca do ta “zhdukë”, ndoshta duke harruar se në vitin 2013, pikërisht kjo “hile” e ka sjellë atë në pushtet. Kryeministri  i’u drejtua me një mesazh edhe ndërkombëtarëve, duke u shprehur  se Shqipëria është një vend sovran dhe se “nuk i vjen mirë” kur dëgjon ambasadoren amerikane që thotë se do t’i ndjekin me vëmendje  drejtuesit politikë. “I takon shtetit shqiptar që të vendosë përmes parlamentit të vet, nuk është zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë me ambasadoren amerikane apo të tjerë. Nuk është përgjegjësia e ambasadores amerikane, Uashingtonit, Brukselit apo Berlinit që kërkojmë në anglisht zgjidhjen e problemeve tona. Nuk është përgjegjësia e tyre.” – tha Rama, duke “harruar”, që deri tani në pushtet ka qëndruar, pikërisht me mbështetjen politike të këtyre ambasadorëve. Është hera e dytë, që kryeministri Rama sulmon drejtpërdrejt ambasadorët në Tiranë. Herën e parë, kryeministri Rama, duke dashur të fitojë alibi ndaj akuzave për inkriminim dhe korrupsion, deklaroi, se për këto nuk ka folur asnjëherë ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Lu, i cili, me vonesë, atëhere reagoi, duke i thënë Ramës, që nuk mund të bëhet zëdhënës i tij. Sulmi i drejtpërdrejtë i kryeministrit Rama ndaj ambasadorëve, shpjegohet, se është hera e parë që faktori ndërkombëtar distancohet nga politika e kryeministrit Rama.

Manipulimi i votave/ Valteri në Kuvend: Një deputete ka votuar 5 fletë votimi

Deputeti i opozitës, Halit Valteri denoncoi live dje në seancën plenare, se një deputete në Kuvend, ka votuar 5 herë fletët e votimit për ndryshimet Kushtetuese. HALIT VALTERI: “Dua t’ju tërheq vëmendje. Një deputete ka votuar 5 fletë votimi. Ose ka filluar sekretare e seancës gjyqësore, ose verifikon votat nga jashtë nga ata që janë sjellë këtu për t’u treguar si duhet votuar.”  Pas këtij denoncimi ka ndërhyrë kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi duke thënë se është e drejtë dhe se 4 votat e tjera janë fletë votimit të deputetëve të tjerë nga jashtë, por mbetet për t’u verifikuar. GRAMOZ RUÇI:  “E drejtë, e vura re dhe unë. Deputetja ka dhënë shpjegim që ka votuar vetëm një herë, kurse ka sjellë fletët e votimit të deputetëve të tjerë nga jashtë. Por mbetet për t’u verifikuar nga Komisioni përkatës.”

Deputeti akuzon për manipulim firmash për ndryshimin e Kushtetutës

Që në nisje të seancës plenare të Parlamentit, deputeti i opozitës, Adriatik Alimadhi e ka kontestuar, duke deklaruar se firmëtarët, një pjesë e 28 deputetëve nuk i kanë firmat e tyre. “Më rezulton se një deputet ka firmosur në emër të disa të tjerëve dhe se kjo është shkelje e rëndë  kushtetuese. Ju lutemi merreni në konsideratë, i bëj thirrje Murrizit ta rishikojë”, deklaroi Alimadhi. Por Ruçi e ka hedhur poshtë këtë qëndrim, duke kërkuar që ta mos i anatemojë deputetët për firmat e hedhura, pasi procedura dhe lista e firmëtarëve janë transparente.

Basha me aleatët: Kuvendi shkeli me këmbë ligjet e Kushtetutën

Kryedemokrati Lulzim Basha, dje kishte ftuar në selinë blu aleatët e tij, ndërkohë që deputetët në Kuvend, votonin ndryshimet në Kushtetutë. Ata e shoqëruan edhe në këtë dalje për mediat, për të shprehur qëndrimin e përbashkët lidhur me votimin në Parlament. Kryetari i PD-së Lulzim Basha,  ka reaguar pas votimit në Kuvend të ndryshimeve Kushtetuese për hapjen e listave. Ai e ka konsideruar të njëanshëm votimin për ndryshimet në Kushtetutë. Lulzim Basha:  “Sot (dje) në Kuvendin gjysmak,  Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën me këmbë ligjet, shkelën Kushtetutën. Ata shkelën me këmbë historinë tonë. Ata shkelën me këmbë konsensusin, të cilin u detyruan ta firmosin. Kurrë më parë në historinë tonë 30- vjeçare të pluralizmit, Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës. Kurrë më parë në këto 30 vjet, rregullat për procesin zgjedhor nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet. Ato kanë qenë një produkt konsensual, pavarësisht situatave të rënda politike që kemi kaluar në 3 dekada. Kurrë më parë në 30 vjet, një kryeministër nuk ka vënë në mënyrë kaq brutale, interesin e vet personal, mbi interesat e të gjithë shqiptarëve. Rama kërkon të marrë peng Shqipërinë për të shpëtuar veten. Rama kërkon të marrë peng të ardhmen europiane të shqiptarëve për të ruajtur karriken e tij. Vendi yt pas zgjedhjeve të reja është në burg, atje ku shkon çdo individ që me dashje kryen një krim kundër vendit dhe qytetarëve të tij”, shkruan Basha.

Kryetarja e LSI-së  Monika Kryemadhi: Do bjerë në gropën që mendoi se e hapi për shqiptarët

Dua t’ju bëj të qartë atyre që sot mbi të gjitha cënuan integritetin e shtetit shqiptar që e çuan Shqipërinë drejt izolimit përfundimtar, dua t’ju bëj të qartë atyre që kemi bashkë të djathtën e bashkuar, të majtën e bashkuar, të gjithë shqiptarët e bashkuar përballë Edi Ramës së vetmuar dhe të shkuar. Kështu që gropën që Edi Rama mendoi se mund t’ua hapte shqiptarëve, ia hapi vetes së tij dhe të jeni të bindur që kjo gropë nuk ka për ta shpëtuar dot. Sigurisht që do të jemi pjesë e Këshillit Politik. Vendimet, që sot Edi Rama bashkë me viktimat e tij morën, nuk bënë gjë tjetër veçse izoluan Shqipërinë dhe shqiptarët ndaj ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që vendimin që Edi Rama ka marë sot në parlament,  po ju rrëzon. Nuk po jua them me fjali të mëdha politike që vendimi i sotëm do t’iu a heqë të drejtën e lëvizjes së lirë shqiptare. Do të fillojnë të vazhdojnë bllokimin dhe izolimin e Shqipërisë. Do të rinisin radhët nëpër ambasada për të marrë viza. Do të bëhen shqiptarët viktima të trafikimit të vizave dhe nën emrin e covidit të famshëm do të vazhdojmë të jemi të izoluar, ku asnjëri prej nesh nuk do të lëvizë. Prandaj beteja jonë nuk është më betejë koalicioni. Çdo shqiptar lufton për të mbajtur fëmijën e tij me bukë. Sot çdo shqiptar lufton për të shkolluar fëmijën  e tij dhe sot, çdo shqiptar ndihet më shumë se çdo herë tjetër i izoluar dhe i kërcënuar. Po çahet guri nga urrejtja për Edi Ramën.

PD-ja do ulet sërish në tryezë: Sot qëndrimi zyrtar për vijimin e punës në Këshillin Politik për lista 100% të hapura

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas ndryshimeve kushtetuese. Në një postim në mediet sociale, Bardhi shkruan se nenet në marrëveshjen e 5 qershorit për koalicionet parazgjedhore,  nuk rihapen dhe janë të paprekshme. Bardhi shprehet se nëse opozita e bashkuar për vijimin e punës në Këshillin Politik për hapjen 100% të listave. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi: “Këto janë nenet e miratuara të Marrëveshjes së 5 Qershorit, që rregullojnë formulën e koalicioneve parazgjedhore me listë të veçantë të partive dhe formulën e ndarjes së mandateve. Këto nuk rihapen dhe janë të paprekshme! Nesër (sot) qëndrimi zyrtar i PD-së  dhe Opozitës së Bashkuar për vijimin e punës në Këshillin Politik për hapjen 100 % të listave të kandidatëve.”

Petrit Vasili: Kryeministri Rama u shpalli luftë shqiptarëve, armik i Kushtetutës

Edi Rama sot u shpalli luftë shqiptarëve. Populli sot është përballë armikut të vetëm të tij, Edi Ramës. Opozita e bashkuar është përballë tij më e vendosur se kurrë. Edi Rama është shkaktari dhe përgjegjësi i vetëm i konfliktit më të rëndë, ku ka hyrë vendi. Edi Rama po sillet si armik i popullit, i Kushtetutës dhe i paqes me shqiptarët, ndaj do të trajtohet vetëm si i tillë dhe me zero tolerancë. Edi Rama nga sot e ka të hapur llogarinë me çdo shqiptar dhe fundi i Byrosë Politike do t’i duket lule,  këtë s’duhet ta harrojë kurrë. Gjeli i kotecit të “rilindjes” nuk tremb më as pulat, që ka përqark,  e jo më shqiptarët, që kanë parë plot coftira si ky.

Komisioni Europian: Keqardhje që s’pati konsensus!

Vetëm pak minuta pasi Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese në parlament zëdhënësja e Komisionit  Europian, Ana Pisonero, ka reaguar përmes një postimi në twitter. “Ndërsa pranojmë miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë të disa ndryshimeve në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor, është për të ardhur keq që nuk është caktuar më shumë kohë në fazën përgatitore, për të gjetur një kompromis me të gjitha partitë në Këshillin Politik  Ndryshimet në kodin zgjedhor të miratuar nga Parlamenti më 23 korrik, për të zbatuar Marrëveshjen e 5 qershorit, bazuar në rekomandimet e OSBE / ODIHR-it, kanë përmbushur kushtin e vendosur nga Këshilli, kur vendosni të hapni negociatat e pranimit në Mars. Tani është thelbësore që ndryshimet në kodin zgjedhor për të zbatuar ndryshimet kushtetuese, në veçanti listat e hapura si edhe roli i koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen siç duhet me të gjithë aktorët politikë  në Këshillin Politik në një mënyrë bashkëpunuese  gjithëpërfshirëse përpara se të votohen”.- shkruan Pisonero.

Ambasada e SHBA-sw: Për të ardhur keq që vendimi nuk u mor me konsensus

Më 23 korrik, Parlamenti miratoi legjislacionin për të kodifikuar Marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën  Zgjedhore, e cila u arrit në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, përmes Këshillit Politik. Sot, (dje) Parlamenti miratoi ndryshime në Kushtetutë, që do të mundësojnë masa shtesë për Reformën Zgjedhore. Ndërsa ky veprim ishte në kompetencën e Parlamentit, është për të ardhur keq që nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit Marrëveshja e 5 qershorit. Ne i kujtojmë shumicës deklaratat e saj se, megjithë miratimin e sotëm në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur në marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet. Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve.

Ambasadori britanik Duncan Norman: Duhej konsensus

Marrëveshja e 5 qershorit tregoi se çfarë mund të arrihet me dialog, kohë dhe vullnet politik. Do të donim të kishim parë të njëjtën qasje konstruktive në miratimin e ndryshimeve të sotme të Kushtetutës. Është thelbësore që ndryshimet e ardhshme të Kodin Zgjedhor të diskutohen gjerësisht me të gjitha palët në Këshillin Politik përpara se të votohen në parlament.

Ambasadori gjerman Peter Zingraf: Reforma e nisur me sukses po merr tipare konfliktuale

Shpreh keqardhje që megjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj,  të 5 qershorit,  Reforma Zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme, është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese. Unë respektoj rolin institucional të Parlamentit, por njëkohësisht kuptoj,  që prej Marrëveshjes së 5 qershorit, rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës. Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin  Zgjedhor si dhe të respektojnë Marrëveshjen e 5 qershorit. Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit. Shqipëria gjendet përpara mundësive dhe sfidave të mëdha – përmend këtu vetëm bisedimet e anëtarësimit në BE, rindërtimin pas tërmetit dhe kapërcimin e krizës Corona dhe pasojave të saj. Në një situatë të tillë rregullat e qartë e transparentë për zgjedhjet e ardhshme, të pranuar nga të gjitha palët politike, janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e vendit. Sjell në vëmendje, që reforma zgjedhore mbetet një element qendror në përmbushjen e kushteve të formuluara nga Këshilli i BE-së (dhe në mënyrë të ngjashme nga Bundestag-u) përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit me BE-në dhe se zbatimi i suksesshëm i saj është një prej kushteve të grupit të dytë.

Kryeministri Rama: Nuk më vjen mirë kur ambasadorja ndërhyn në problemet e brendshme

Kjo reformë falë këtij parlamenti u bë reformë, pasi deri në 5 qershor ishte formalinë. Dua t’i falenderoj të gjithë deputetët pa përjashtim për kontributin e dhënë për ta sjellë këtë ditë votimi në parlament dhe miqtë dhe partnerët. Të gjithë miqve dhe partnerëve u përcjell një mesazh, uroj që ta dëgjojnë sikur është; nga foltorja e një parlamenti dhe qeverie sovrane. Nuk është përgjegjësia e ambasadores amerikane, Uashingtonit, Brukselit apo Berlinit që kërkojmë në anglisht  zgjidhjen e problemeve tona. Nuk është përgjegjësia e tyre. Kur dëgjoj ambasadoren amerikane që thotë se do i ndjekim me vëmendje drejtuesit politikë a do e mbajnë fjalën, sinqerisht nuk më vjen mirë, jo për veten time, por për të gjithë ne, dhe ajo fjali është një arsye për çdo person, qoftë socialist, demokrat, apo ballist, që kur merr përsipër të përfaqësojë popullin e vet në këtë sallë, të mos e bëjë qesharak popullin e vet dhe vendin e vet, shtetin e vet.

Bloomberg: Rama synon të ndalojë koalicionin e madh opozitar

Partia qeverisëse e Shqipërisë nxiti ndryshimet në rregullat e votimit përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, shpërfillur  rekomandimet e Bashkimit Europian dhe duke komplikuar potencialisht shanset e vendit për të filluar së shpejti bisedimet e pranimit. Ligjvënësit e Partisë Socialiste të Kryeministrit  Edi Rama, mbështesin ndryshimet në Kushtetutë që ndalojnë koalicionet parazgjedhore, raportoi të enjten portalin e lajmeve www.albaniandailynews.com. Ndryshimi parandalon që partitë më të vogla të bashkojnë forcat për të bërë fushatë së bashku, ndërsa qëndrojnë ende larg, gjë që dëmton shanset e tyre për të kandiduar kundër socialistëve mbizotërues. Grupet kryesore të opozitës në vend kanë bojkotuar parlamentin që nga viti 2019. “Askush nuk e ka këtë sistem të koalicioneve parazgjedhore dhe ne do ta zhbëjmë atë,” tha Rama në parlament para votimit. Ndryshimi vjen pas lavdërimeve nga SHBA-ja dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë në fillim të këtij muaji, për partitë qeverisëse dhe të opozitës në Shqipëri, që arritën një marrëveshje mbi reformën zgjedhore. Kjo çështje është lart në një listë me 15 kushte që vendi duhet të përmbushë për të filluar bisedimet e pranimit me BE-në. “Arsyeja e ndalimit të koalicioneve parazgjedhore është 100% politike,” tha Afrim Krasniqi, kreu i Institutit për  Studime Politike  në Tiranë. “Një koalicion i madh i opozitës mund të kërcënojë seriozisht mandatin e Ramës në zgjedhjet e vitit 2021, kështu që përmes nismës, Rama synon ta ndalojë atë.”  Shqipëria gjithashtu duhet të adresojë çështjet e financimit të partive politike dhe fushatave, të vazhdojë me reformën në drejtësi dhe të forcojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tha Këshilli Evropian në mars, kur vendosi të japë dritën jeshile për bisedimet e anëtarësimit.  Rama, i cili drejton qeverinë që prej vitit 2013, po përballet me detyrën e rindërtimit të vendit pas një tërmeti nëntorin e kaluar dhe shpërthimit të pandemisë Covid-19. Gjashtë kombet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, janë të gjitha në grupin e vendeve me regjime hibride dhe me standarde demokratike në rënie, – tha “Freedom House” këtë vit.

 

 

 

 

Fatmir Mediu: Opozita të mobilizojë shqiptarët në përballjen me regjimin anti-europian

 

Kreu republikan Fatmir Mediu e cilësoi dje si akt të paprecedentë ndryshimin e Kushtetutës, sipas tij nga një parlament korruptiv dhe kriminal. Fatmir Mediu:  “Ndryshimi i Kushtetutës nga një parlament qesharak, që nuk përfaqëson asnjë interes qytetar, por korruptiv e kriminal është një akt i paprecedentë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aspiron të bëhet vend anëtar i BE-së. Nuk ka asnjë vend anëtar të NATO-s,  apo BE-së,  të ndryshojë  Kushtetutën në Parlament për qëllime meskine pushteti. Edhe në Rusi, Kushtetuta për qëllime politike të përjetësimit të pushtetit u bë me referndum nga Putin. Ky është hapi flagrant i manipulimit të zgjedhjeve dhe thirrja që Rama i bën krimit dhe korruspionit , për mos t’u ndalur me manipulimin e zgjedhjeve të ardhme. Shteti shqiptar ka kohë që ka rënë dhe kjo është një thirrje alarmi për shqiptarët, sepse bashkë me shtetin, ka rënë dhe çdo e drejtë e shqiptarëve dhe mundësi e tyre për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri me këtë regjim. Ky akt i sotëm (i djeshëm) , ka shkatërruar Marrëveshjen e 5 Qershorit, por dhe traditën e Reformave Zgjedhore me konsensus, duke krijuar kështu një krizë permanente politike. Opozita ka vetëm një rrugë, të mobilizojë shqiptarët kudo që janë, në çdo skaj, në përballje permanente me këtë regjim antikushtetues, antikombëtar dhe anti-Europian”.