Pluralizmi mediatik në rrezik/ Presidenti Meta përkrah gazetarët: Hiqni dorë nga praktikat autoritariste. KSHM dënon sulmin e policisë

314
Sigal

Presidenti Meta krah gazetarëve: Regresi në lirinë e medies është thellësisht shqetësues dhe i patolerueshëm!

Apeloj me forcë heqjen dorë nga të gjitha praktikat abuzive dhe autoritariste

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatën e lirisë së medies në Shqipëri. Sipas Metës, denocnimet ndaj censurës dhe presioneve janë tepër alarmuese.

Kreu i Shtetit shkruan, se Raporti i Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, vëren përkeqësim të situatës gjatë dy viteve të fundit. Duke iu referuar studimit, presidenti  Meta thekson, se pushteti politik është shumë influencues në medie, veçanërisht në atë online, për shkak edhe të mungesës së transparencës. Presidenti Meta ka theksuar edhe raportet e “Reporterëve pa kufij” dhe DASH, ku tërhiqej vëmendja, se veprimet e qeverive kundër pandemisë, nuk duhet të përdorin sëmundjen si pretekst për shtypjen e personave ose ideve. Në fund Kreu i Shtetit dënon presionet dhe censurën ndaj gazetarëve, si dhe apelon për heqjen dorë nga praktikat abuzive dhe autoritariste.

Reagimi i Presidentit Meta

Faktet tronditëse të censurës dhe presioneve në rritje ndaj medies së pavarur dhe kritike me qeverinë, që po konstatohen çdo ditë dhe po denoncohen periodikisht nga organizata prestigjioze ndërkombëtare, janë tepër alarmuese dhe kërkojnë një përgjigje të menjëhershme. Raporti i Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, me fokus sistemin dhe lirinë e medieve në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit  Europian, vëren staniacion ose përkeqësim të situatës në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit. Studimi thekson se pushteti politik në vend është tejet influencues, duke rezultuar në media jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet. Me shkallën nga 0 në 100, rreziku për televizionet paraqitet i mesëm, ndërsa për portalet në internet, rreziku sipas konkluzioneve, rritet në shkallën sipërore për shkak të ndikimit më të fortë politik, mungesës së transparencës për sa i përket reklamave dhe kandidatëve politikë gjatë fushatave elektorale. Tepër alarmant ështw përfundimi se “për sa i përket mbrojtjes themelore të pluralizmit, mediet shqiptare paraqiten në rrezik të mesëm, apo 53%, rreziku i pluralizmit të tregut medietik klasifikohet tepër i lartë në 80%”. Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medies, i bërë publik në raportin vjetor të “Reporterëve  pa Kufij” ku theksohej se pasojat e rënda të fatkeqësive natyrore nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medies; Qëndrimi i Departamentit Amerikan i Shtetit, ku ndër të tjera tërhiqej vëmendja se “veprimet e qeverive kundër epidemisë së COVID-19, nuk duhet të përdorin sëmundjen si pretekst për shtypjen e personave ose ideve”, konkluzionet e “Freedom House” dhe shqetësimet e bëra publike nga organizatat më prestigjioze botërore e europiane të gazetarëve, dëshmojnë se Shqipëria po shënon seriozisht hapa pas, përsa i përket lirisë së medies dhe transparencës. Ky regres është thellësisht shqetësues dhe i patolerueshëm! Për shkak se liria e shprehjes dhe informimit është kusht thelbësor për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, dhe duke dënuar me forcë censurën, presionet, shantazhet dhe masat shproprocionale ndëshkuese ndaj gazetarëve dhe medies së pavarur e kritike me qeverinë, apeloj me forcë heqjen dorë nga të gjitha praktikat abuzive dhe autoritariste që na kthejnë dekada pas në kohët më të errëta, me pasoja tepër të rënda për të ardhmen europiane të vendit. Inkurajoj gazetarët kritikë të vijojnë pa u trembur misionin e tyre, dhe i ftoj organizatat prestigjioze botërore të medies të monitorojnë edhe me më shumë vëmendje situatën e kolegëve të tyre në Shqipëri. Shqiptarët janë ndarë 30 vite më parë nga neni 55 i “Agjitacionit dhe Propagandës” dhe askush të mos mendojë që duke përdorur forma të reja shantazhi e presioni, do mundet dot ta rikthejë atë.

Këshilli Shqiptar i Medias dënon sulmin e Forcave RENEA në televizionin Ora News

KSHM-ja shpreh shqetësimin e vet në lidhje me ngjarjet e fundit të zhvilluara rreth dhe në TV ORA dhe Ora News. Sulmi me FNSH dhe RENEA në mjediset e një televizioni kritik me qeverinë, është de facto sulm ndaj fjalës së lirë. KSHM-ja mbështet shtetin ligjor dhe institucionet e drejtësisë, por, vëren se vendimi për sekuestro i këtyre dy Televizioneve është i nxituar, përderisa ka dhënë shkak për vënien nën “sekuestro” edhe të vijës editoriale. Ky vendim krijon hapësira që 2 televizionet kritike me qeverinë, të vihen nën administrimin e Qeverisë. Nga ana tjetër, “interpretimi” që i ka bërë Qeveria Shqiptare kërkesës për sekuestro duke dërguar forcat speciale të policisë RENEA, është në të vërtetë ai i intimidimit jo vetëm të 2 medieve të përfshira, por dhe të krijimit të një efekti terrorizues ndaj medieve të tjera kritike me të. KSHM-ja i kërkon Qeverisë shqiptare tërheqjen e forcave policore dhe atyre speciale nga ambientet e dy televizioneve. KSHM-ja i kërkon SPAK-ut të rivlerësojë kërkesën për sekuestro të dy televizioneve, në favor të lirisë së informacionit. Shqipëria ka shumë nevojë për drejtësi, dhe ajo bëhet më e pamundur nëse krijohen hapësira ligjore për intimidimin e punës së gazetarëve.