Intervista e Presidentit të Republikës Ilir Meta/ Të shembim tiraninë dhe frikën, Në Demokraci duhet të luftosh ççdo ditë për liritë dhe të drejtat. Tani është moment për një ringritje të demokracisë dhe patriotizmit. Mos prisni udhëheqës shpëtimtarë! Fuqia është është në dorën tuaj! Merrni në dorë fatet dhe të ardhmen tuaj! Me shkatërrimin e Kushtetutës dhe zgjedhjeve të lira, Rama po bllokon qëllimisht Integrimin e Shqipërisë në BE.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, fajëson qeverinë për shtyrjen e çeljes së negociatave me BE-në. I ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit, Lutfi Dervishi, Presidenti Meta tha se 30 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, vendi nuk ka mundur të kapërcejë tranzicionin e tejzgjatur, ndërsa e përjashton veten nga përgjegjësia e klasës politike.
Unë si President i Republikës, mund t’ju them si Shqipëria do të ketë një drejtësi funksionale, një Prokurori funksionale, Gjykatë Kushtetuese funksionale, Gjykatë të Lartë funksionale, menjëherë pas 25 prillit
Presidenti Meta: Për pushtetin personal, bllokojnë Shqipërinë
Ju më pyetët mua. Gabojnë të gjithë ata, të cilët për pushtetin personal e kanë vonuar procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Përse jemi vonuar kaq shumë ne? Si na arriti Serbia dhe Mali i Zi që s’ishin asgjëkundi në procesin e Asociim-Stabilizimit në 2001-n apo jo? Dhe jo vetëm na arritën, por edhe na kaluan. Shikoni ku janë ata dhe ku jemi ne! Pse? Sepse vazhdimisht politikanë të caktuar kanë emra. Sot ne kemi një kryeministër, i cili po bllokon procesin e integrimit europian në mënyrë të qëllimshme, i cili shkeli Marrëveshjen e 5 Qershorit në mënyrë të qëllimshme, i cili kërkon të verë dorë mbi zgjedhjet e ardhshme në mënyrë të qëllimshme, edhe pse e di që kjo ka pasoja fatale, për t’i shtyrë negociatat jo deri në prill 2025, por edhe më tej, sepse nuk është ky prioriteti i tij, për fat të keq! Mua më vjen shumë keq, sepse ai përfaqëson një forcë, e cila në të kaluarën ka pasur kontributet e veta në demokratizimin e vendit, në shumë elemente pozitive. Këtu jemi, apo s’jemi këtu? Kemi edhe një problem tjetër në tridhjetë vjet! Dhe tani na duhet një “Restart”, sepse kemi thënë “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”! Sepse kemi qenë pa përvojë, dhe kemi pritur edhe të tjerët që të na e bëjnë, dhe kemi menduar se të tjerët do ta duan Shqipërinë edhe më shumë se sa ne. Kjo është një histori që duhet mbyllur, Duhet ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Europa.
Në 30 vjet, Shqipëria në asnjë sekondë nuk është vonuar në procesin e integrimit, për shkak të Ilir Metës!
Në tridhjetë vite kam shumë arsye për të qenë reflektues ndaj shumë gjërave që vetë mund t’i kisha bërë më mirë, sepse në fund të fundit ne erdhëm në jetën politike nga Lëvizja Studentore. Unë u bëra edhe deputet që kur isha student. Pra nuk erdhëm nga një shkollë politike, apo një traditë e caktuar. Ajo për të cilën jam sot krenar për veten time si një ish-student i Dhjetorit jam për këto gjëra: Që në tridhjetë vjet Shqipëria në asnjë sekondë nuk është vonuar në procesin e integrimit europian për shkak të Ilir Metës! Në të gjitha pozicionet që Ilir Meta ka pasur, edhe kur ka qenë në opozitë, edhe kur ka qenë në qeveri, Ilir Meta ka dhënë gjithmonë zgjidhje politike për të zhbllokuar çështjet e integrimit europian të Shqipërisë, duke dhënë dorëheqjen edhe nga kryeministër, edhe nga zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, duke krijuar edhe një forcë politike për të ndihmuar rotacionin dhe zhbllokimin e integrimit europian në Shqipëri, duke bërë edhe një koalicion me Sali Berishën si në 2009-n që ndihmoi për liberalizimin e vizave, duke bërë edhe një koalicion të sforcuar edhe me Edi Ramën para 2013-s, vetëm me një kusht: Që të zhbllokoheshin tre ligjet që bllokonin procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Pra, në aspektin e integrimit europian, nuk mendoj se ka një politikan që do të ishte më i qetë se sa unë në raport me vendimet, por kjo nuk mjafton.
Të tjerët kanë kërkuar Venecian si një alibi, si një kohë, apo si një mënyrë me shpresën se duke lobuar në Venecia, do imponojnë këtu gjëra të tjera
E ardhmja e Shqipërisë: Zgjedhje të lira dhe respektimi i Kushtetutës
Për mua dy janë elementet themelore në tridhjetë vjet që i nxjerr unë si një konkluzion, se ka shumë arsye, dy janë elementet thelbësore: E para, zgjedhjet të lira e të ndershme dhe shenjtëria e votës. Kjo është themelore, vendimtare. Dhe vetë kriza që ka sot Shqipëria në çdo aspekt është kriza e legjitimitetit. Dhe e dyta, është Kushtetuta. Ne jemi këtu ku jemi, sepse ne nuk treguam respekt për Kushtetutën. Sepse ne Kushtetutën që u bë me aq sakrifica në 1998-n, në një proces aq gjithëpërfshirës, të përgjegjshëm, pikërisht që të mos ktheheshim më te 1997-ta, ne atë e goditëm herë pa here, natën, ditën, me ç’patëm mundësi për interesa të momentit dhe deformuam të gjithë mekanizmat e kontrollit dhe të balancës në një shoqëri demokratike. Goditëm shtetin, prandaj jemi në këtë situatë sot: Në një shtet jofunksional. Këta janë dy elementet thelbësore për mua për të ardhmen e Shqipërisë. Këta do të sigurojnë çdo gjë: Që nga çështja e drejtësisë, e shëndetësisë, e ekonomisë, etj. Këta janë vendimtare, sepse kanë të bëjnë me sistemin e llogaridhënies dhe të sigurisë.
Kam mbrojtur Kushtetutën
Unë nuk kam dalë nga “kostumi presidencial” për arsye se duhet të kemi një koncept më të plotë për rolin e Presidentit. Ai koncept për të cilin flisni ju është për një vend që ka një parlament normal, që ka një opozitë normale, që ka Gjykatë Kushtetuese, që ka Gjykatë të Lartë, që ka drejtësi. Ky është një proces tashmë shumë i qartë dhe unë kam bërë çdo gjë që Shqipëria kurrë të mos jetë në këtë situatë. Kam bërë çdo gjë që Reforma në Drejtësi të zbatohej nën frymën e konsensusit, siç u miratua kur isha unë Kryetar i Kuvendit. Kam bërë çdo gjë që Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm të mos zgjidhej me 69 vota, që ndodhi ajo që ndodhi dhe që kemi këtë sistem, që sot nuk funksionon më. Kjo është e vërteta. Kam bërë çdo gjë që Shqipëria të ketë Gjykatë Kushtetuese në kohë. Katër vjet përpjekje! Janë të dokumentuara me frymë bashkëpunimi me Parlamentin, por ata kanë bërë çdo gjë që të kapin gjithçka. Kështu që më thoni se çfarë mund të bëja unë më shumë?! Ju doni President, që të shikojë punët e veta? Që të mbyllë gojën? Që të shkojë të bëjë pazare me qeverinë për të bërë qoka për vete apo për miqtë e tij apo ku di unë, ndërkohë që vendi është në këtë situatë kaq të rëndë dhe dramatike? Unë këtë gjë nuk mund t’ia lejoj vetes. Kur i ka munguar bashkëpunimi Kryeministrit apo qeverisë me Presidentin? Më thoni një rast? Kur? Kur i kërkova për zgjedhjet vendore që të bënim zgjedhje gjithëpërfshirëse? Dhe i prisja këtu e nuk më erdhën? Që donin t’i bënin zgjedhjet siç i bënë? Me 100% të pushtetit lokal si në kohën e këshillave popullore? Që edhe atëherë kishte seriozitet se kishte më shumë përgjegjshmëri.
Interesi kombëtar është: zgjedhje të lira dhe të ndershme në 25 prill, rikthimi i legjitimitetit në të gjithë institucionet të vendit, dhe çelja e negociatave me Bashkimin Europian, ky është interesi i të gjithë shqiptarëve
Jemi shtet njëpartiak
Këtu ka arritur fundi i legjitimitetit të çdo gjëje. Këtu nuk ekziston më sistemi llogaridhënës në një shtet. Do të ishte më mirë të thonim se jemi një shtet njëpartiak se në të kaluarën vërtet kishte një parti, por kishte disa rregulla, merreshin disa vendime kështu gjoja si kolegjiale. Këtu kulmi i arbitraritetit është jashtë çdo fantazie. Kështu që tani qytetarët tanë duhet të kuptojnë se pa pjesëmarrje nuk ka askush të drejtë të kërkojë llogari nesër. Dhe askush nuk mund të justifikohet me atë përgjumjen e tij, me atë pafuqishmërinë e tij përballë një sistemi tiranik, që është krijuar qëllimisht për t’i bërë njerëzit të ndihen të dobët dhe për t’i bërë ata të ndihen gjithmonë të varur e të nënshtruar. Unë besoj se ka arritur fundin e fundit, nuk ka më tej.
Uzurpimi i të gjitha pushteteve
Problemi kryesor është përpjekja për të uzurpuar të gjitha pushtetet në mënyrë jo kushtetuese, në mënyrë të pamoralshme, në mënyrë shantazhuese, në mënyrë të pandershme. Dhe kjo në fund fare është kosto e qytetarëve, sepse nëse do ta kishte marrë 100% pushtetin, do ta kishte përdorur për qytetarët, për njerëzit, për popullin, për shëndetësinë, për pandeminë, për të gjitha këto, “OK”, hajde, prapë situata do të kishte qenë më e pranushme, por ne shohim se qëllimi ka qenë keqpërdorimi i pushtetit!
Është vrarë demokracia përfaqësuese dhe parlamentare
Kuptohet se këtu është vrarë demokracia përfaqësuese dhe parlamentare. Këtë e vranë ndryshimet kushtetuese të 2008-s, sepse ato shkatërruan parlamentarizmin, pra kaluam nga një sistem ku partitë ishin të detyruara dhe të dilnin me deputetë që votoheshin nga populli, në këto listat e mbyllura, shohim pastaj pasoja në dymbëdhjetë vite se si deputetët ngrenë kartonin kundër Kushtetutës, për gjithë këto PPP, për gjëra që nuk i kemi mendur kurrë më përpara që mund të ndodhin. Dhe unë prandaj them se duhet të kalojmë tani në një epokë tjetër: Në atë të referendumit. Në atë që u bllokua që nga 1998-ta e deri tani, sepse populli e vendosi që po të donte, shprehej edhe me referendum vetë, por ata bënë një ligj si të mos bëhej referendumi. Vetëm ajo mund ta sjellë dhe do ta sjellë situatën aty ku duhet në mënyrë që politika t’i nënshtrohet qytetarëve, jo qytetarët t’i nënshtrohen politikës. Kjo është beteja më e madhe dhe unë e kam shpallur këtë betejë. Kjo është e vetmja rrugë që shpëton Shqipërinë.
Ekzekutivi duhet të marrë në këtë rast vendime bazuar mbi propozimet e ekspertëve, jo ekspertët të marrin vendime mbi sugjerimet e ekzekutivit, sepse janë ata përgjegjës dhe kompetent për përballimin e kësaj pandemie
Shqipërinë e shpëtojnë shqiptarët!
Ky është momenti dhe kjo është rruga që shpëton Shqipërinë. Të mos presin në Shqipëri udhëheqës shpëtimtarë, sepse kemi krijuar përralla të tilla dhe zhgënjimi është i frikshëm! Duhet t’u japim fuqi qytetarëve! Ata vetë duhet të ndërgjegjësohen se ata e kanë në dorë të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre dhe duhet të marrin përgjegjësitë e tyre! Nuk mund të presin më nga askush, përfshirë edhe nga Ilir Meta. Ilir Meta është i gatshëm, siç ka qenë gjithmonë, t’i nënshtrohet vullnetit të popullit në çdo moment, në çdo rast, për gjithçka.
Shqipëria do të ketë Gjykatë Kushtetuese funksionale pas 25 prillit
Ajo që, mund t’ju them me bindje të plotë është: Unë si President i Republikës, për shkak të përvojës sime në më shumë se tre vjet e pak President, mund t’ju them si Shqipëria do të ketë një drejtësi funksionale, një Prokurori funksionale, Gjykatë Kushtetuese funksionale, Gjykatë të Lartë funksionale, sistem gjyqësor funksional, menjëherë pas 25 prillit. Sepse gjithçka në Shqipëri, është nën presionin e një force, dhe të një dore të vetme, dhe brenda sistemit të drejtësisë.
Kemi vajtur në fund të greminës
Kemi vajtur në fund të greminës, nëse nuk e ndiejnë të gjithë, kanë dëshirë të përplasen me fundin e greminës, kjo është një zgjedhje e tyre. Por unë besoj se shumica e popullit shqiptar e ka kuptuar këtë gjë, tani është momenti për një ringritje të demokracisë dhe të patriotizmit. Sepse nuk bëhet fjala për pushtetin e dikujt apo të dikujt tjetër, por bëhet fjala për të ardhmen e vendit.
25 prill, referendumi, populli
Tani populli e ka kuptuar që kush është rruga për të qenë Shqiptarët bashkë, për të bashkëjetuar si njerëz, pavarësisht nga bindjet e ndryshme politike. Për të mos e urryer njëri- tjetrin, për të mos e lënë njëri-tjetrin të vdesin rrugëve për një anti viral, për një shërbim minimal që nuk kushton asgjë.





















