Petrit Vasili: Sistemi i hetimit është bërë një me qeverinë

799
Sigal

Intervista e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, për Report Tv

Vasili, ju ishit pjesë e mbledhjes së zhvilluar në Selinë e PD-së si opozitë e bashkuar, ku keni vendosur të protestoni sërish. Kjo nuk është hera e parë. Çfarë ndryshon këtë herë?

Ka një lidhje shumë të fortë logjike por edhe politike ndërmjet 26 janarit dhe 26 majit. E paralajmëruam një përkeqësim galopant të qeverisjes ato ditë. Ishte zëri i mijëra qytetarëve në atë protestë, të cilit ne i dhamë jehonë. Kjo qeverisje po rrëshqiste rrezikshëm drejt inkriminimit të saj. E kemi thënë me dhimbje këtë dhe asnjëherë nuk kemi provuar kënaqësi sepse inkriminimi i qeverisjes është një ngjarje e rëndë për të gjithë ne. Krijon një dëm historik për të gjithë shqiptarët. Fatkeqësisht koha provoi që ne kishim shumë të drejtë. Përkeqësimi ishte galopant. Shqiptarët vunë re, të gjithë ne kuptuam, që shkëmbi që qëndron para Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian është lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit. Lufta kundër krimit të organizuar ishte kryefjala e vendeve më të rëndësishme si Gjermania, Franca etj. Dhe kjo nuk është skepticizëm por këmbëngulje e këtyre vendeve që ato që duan të bëhen pjesë e familjes së tyre të kenë standarde të larta. Dhe ngjarjet e ditëve të fundit treguan se inkriminimi i qeverisë thellohet dhe qeveria është refuzuese ndaj çdo reflektimi pasi është kapur. Çdo qeveri që do ishte kapur në këtë situatë do të kishte mbajtur qëndrime të forta për t’i dhënë një lloj integriteti vetes së saj.

Protesta e 26 janarit prodhoi ndonjë ndryshim? Çfarë prisni të ndodhë ju në protestën e 26 majit?

Protesta e 26 majit sigurisht ka objektiva të qarta politike. Duhet të ketë patjetër reflektime nga qeveria, e cila duhet të pastrojë veten e saj nga të gjitha elementët e mëdha. Sigurisht problemi madhor është Edi Rama. Por ndërkohë janë bërë evidente fakte të tilla që janë të ditëve të fundit dhe kanë mbërthyer vëmendjen e opinionit publik. Çdo gjë që ndodhi këto ditë, nga audio-përgjimi që doli dhe deri te largimi misterioz i vëllait të ministrit…

Mendoni se ai nuk duhet të kishte shkuar në Itali për të përballur me dënimin atje?

Në 16 vite që kanë kaluar nga kjo ngjarje pse ndodhi pikërisht sot, pak këtij denoncimi kaq të madh? Pse nuk ndodhi më parë? Ministri i Brendshëm është akuzuar, edhe në vitin 2010 ka dhënë shpjegime. Ka edhe kur u emërua ministër, edhe kur u rivotëbesua. Dhe pikërisht kur doli ky audio përgjim iku. Ky audio përgjim u mohoi nga Kryeministri në radhë të parë, i cili kishte bërë edhe verifikime. Dhe sot edhe refuzoi të jepte edhe emrin e agjencisë ku e bëri. Ndonëse nuk dihet as se me çfarë parash e bëri. Qeveria nuk ka detyrë të bëjë hetime apo jo? Të gjithë duan të besojnë që janë shpenzime të tijat vetjake, apo ndonjë nga paratë e ndonjë pikture të shitur sepse nuk mund ta paguajë me fondet publike pasi këtë punë e bën prokuroria. Prokuroria është në një faj të madh publik, sepse duhet t’i ketë dhënë në dorë kryeministrit audiopërgjimin origjinal.  Ai pa pasur këtë nuk mund të bënte verifikime. Kjo dihet. Praktikisht Prokuroria ka rënë në një proces të madh publik. Do të kërkojmë nga ajo hesap edhe në datën 26 maj. Kemi një sistem juridik të rënë. Sistemi i hetimit është bërë një me qeverinë. Qeveria heton kurse prokuroria i vënka në dispozicion materiale origjinale.

Mund të ketë marrë edhe kopje apo jo?

Vetëm mbi origjinalet bëhen verifikimet nëse janë apo jo të vërteta. Jashtë kësaj gjithçka është një mashtrim publik. Sot ju e patë që ai nuk e thoshte dot një emër agjencie. Kryeministri gënjeu në mënyrë shumë të ulët dhe të pacipë. Mori një përgjegjësi shumë të rëndë publike që i gënjeu shqiptarët. Ai e di shumë mirë që një ekzaminim i tillë nuk mund të bëhej. Sot prokuroria ka thirrur një nga pjesëtarët e audio-përgjimit. Nuk kishte pse ta thërriste sepse audio-përgjimi nuk ekzistonte sipas kryeministrit. Dhe sot kanë marrë edhe zërin e atij personi. Çfarë verifikoi Kryeministri që i garantoi shqiptarët që nuk ka asnjë problem? Zërin e Albert Veliut nuk e kishte, zërin e Agron Xhafës nuk e kishte. Çfarë verifikoi?

Tashmë është marrë zëri edhe i Agron Xhafajt?

Këtë nuk e dimë. Prokuroria nuk e ka thënë një gjë të tillë dhe Agron Xhafaj do të ishte në proces dhe do të ndodhej në Shqipëri.

Ju mendoni se duhet të ishte këtu dhe jo në Itali?

Duhet të dini që vajtja në Itali për të vuajtur dënimin nuk është si të prenotosh një hotel për turizëm. Ka procedura për këtë gjë. Ka një komunikim zyrtar për këtë mes institucionesh. Nuk kuptojmë se cilat kanë qenë procedurat. Cili është komunikimi i Ministrisë së Drejtësisë apo i Prokurorisë shqiptare me autoritetet italiane? Janë të gjitha gjëra që janë qepur shumë trashë dhe janë qepur nga një panik që ka ardhur nga kjo situatë.

Duket se gjatë gjithë këtyre ditëve LSI është treguar e kujdesshme dhe e matur në deklaratat e saj. Realisht i besoni gjithë kësaj gjëje, video-përgjimet?

Unë i besoj gjithçka. Sepse kur vijon të kemi veprime që zhvillohen në panik sigurisht që i besoj. Pse u largua vëllai i ministrit pas 16 vitesh? Ky debat është bërë shumë herë. Dhe ministri ka qenë shumë kategorik. Kryeministri ka thënë që ky është një njeri që punon me punë të ndershme dhe ka vetëm një faj sepse vëllai i tij drejton reformën në drejtësi. Dhe këtë herë, sapo doli audio-përgjimi, brenda 24 orësh largohet nxitimthi. Personi tjetër kërcënohet. Çuditërisht gjendet. Si e dinin që ishte ky? Si doli ky njeri kur nuk ekzistonte asgjë? Si qenka vetëm gjysma e vërtetë?

A do të prisni ju që Prokuroria të japë variantin e saj?

Prokuroria në radhë të parë duhet të hetojë se cila ishte arsyeja që Kryeministri mori përgjegjësinë publike të mashtronte dhe të thoshte se ka bërë një verifikim të tijin dhe një hetim të tijin. Mbi cilin autoritet, mbi çfarë përgjegjësie, mbi çfarë dispozite i lindi Kryeministrit detyrimi për të bërë punën e Prokurorisë. Përfundimisht ai mashtroi sepse Prokuroria nëse i ka dhënë provën origjinale Kryeministrit duhet të shkarkohet e tëra. Duhet zgjidhur kjo në fillim. Pse Rama i mashtroi shqiptarët? Nëse ai thotë se këto prova m’i ka dhënë Prokuroria, atëherë kemi të bëjmë me një shkatërrim të sistemit ligjor dhe këta nuk mund të rrinë më asnjë sekondë. Kjo duhet zgjidhur në radhë të parë. Hetimin ta zgjidhë deri në fund, t’i shkojë të vërtetave deri në fund. Është detyrë e saj. Po pse gënjeu Kryeministri? Këtë duhet të dinë të gjithë shqiptarët.  Ju vajtët dhe pritët kryeministrin atje në Rinas dhe ai thotë kush është agjencia. Si mund ta fshehë agjencinë. Ky mund ta ketë bërë për qejfin e tij thotë ky kryeministër, ai që është për një detyrë qejfi. Futet në një çështje të rëndë shtetërore që implikon ministrin e Brendshëm, ku ky thotë që e kam bërë unë dhe asnjë problem prandaj rrini të qetë. Pra, për këtë arsye ministri do vazhdojë të rrijë në detyrë. Pra nga kjo mori vendimin politik që s`ka gjë dhe ecim më tutje. Si mori përsipër të gënjejë shqiptarët? Mos ka marrë përsipër ky që të qeverisë vetëm shqiptarët që i dhanë votën, ashtu të vjedhur e të plaçkitur siç e bëri më 25 qershor? Por ky duhet të qeverisë tërë shqiptarët. Nuk përfaqësohen shqiptarët vetëm këtu, por edhe ata që janë në Francë, Itali, Amerikë etj. Ai është kryeministri i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Ky merr përsipër t`i gënjejë. A mund të rrijë më ky? Prokuroria për këtë duhet të hapë një hetim urgjent. Ka deklaruar që ka bërë këtë hetim. Pse e ka shpërdoruar ky detyrën si kryeministër? Çfarë është ky, person privat? Një person privat përpiqet të bëjë ato verifikimet, por ky është Kryeministër i Shqipërisë. Gjëja e parë që merr ky është distanca nga hetimi dhe të mos interferojë pushteti ekzekutiv. Ne e dimë dhe e kemi thënë që kjo Prokurori është e kapur, por kapja nuk mund të arrijë në këtë nivel. Pastaj kjo i bie që është drejtësi ka rënë dhe vetëm drejtësi e popullit mbetet. Nëse këta të dy përziejnë pushtetet, ky që është i hetuar dhe dyshuar e ky në qeveri që bën verifikim e tij, kur duhet ta bëjë Prokuroria, këtu më nuk ka as shtet, as Prokurori, asgjë. Kjo është shumë e thjeshtë.

Përveç kësaj që thoni ju, mendoni se kryeministri duhet të japë një lloj shpjegimi pse gënjeu për sa i përket agjencisë.

Jo, duhet të fillojë të hetojë Prokuroria. Ky nuk ka çfarë jep më shpjegime. Një detyrim për shpjegim që kishte për ju, tha që s’ju begenis si gazetarë. Në emër të transparencës do thoshte po, e bëra. Kjo është agjencia. Por pse nuk e bëri? Ja ua them unë. Asnjë agjenci që merret me verifikimet e tilla në botë, nuk i dilte për zot kryeministrit që t`i thoshte që për dy ditë bëmë verifikimin pa pasur prova origjinale, as zëra të personave dhe asgjë. Ai e di shumë mirë që në momentin që do jepte emrin e agjencisë gjithçka do shkatërrohej në çast. Do ishte e pamundur nga ana objektive duke mos pasur provat autentike, pra origjinale që kishte verifikuar. Kjo është një vepër penale shumë e rëndë, pra e mashtrimit publik. Prokuroria sigurisht që është e tija, e ka votuar vetë me 69 vota. Pra është i qetë në këtë pikë. Po të themi ne diçka në studio është e sigurt që na presim aty prapa derës, kurse ai mund të bëjë çfarë të dojë prandaj shkojmë më 26 maj ne atje. Duhet të jemi të barabartë unë, ti dhe kryeministri.

Ju pyeta për Prokurorinë nëse duhet të presim që të hetojë autenticitetin e dy zërave tashmë, që përveç kësaj që sapo thatë, ka disa të pavërteta që kanë rezultuar në bazë të fakteve dhe nga dëshmia e Albert Deliut. Të pavërteta që i ka thënë ai, pra ka një dosje që ka thënë ai gjatë videos së tij

Nuk di asnjë. Më thoni një.

Për shembull vitin kur është arrestuar, trafikun për të cilën është arrestuar..

Nuk më intereson fare. Ky njeriu, Albert Deliun, këtu e kam parë për herë të parë se nuk e njoh, ka thënë shqip që ka vuajtur dhe ka bërë dënime për kokainë. Ka qenë një person i malavitës. Pra, çdo gjë është e qartë. Është dënuar një herë, tre apo shumë, ç`më intereson mua? Unë dhe ti si opinion publik kemi një çështje përpara, ka një audiopërgjim që thotë se vëllai i ministrit vazhdon veprimtarinë e tij në lidhje me trafiqet.

Ai e ka provokuar gjatë telefonatës..

Nuk më duhet fare. Hajde të na provokoj mua dhe ti, pse se bën këtë? Më duhet mua kjo? Mua më duhet vetëm që kjo gjë mohohet dhe qeveria thotë shqip se kryeministri e mori përsipër këtë sepse ai i del për zot gjërave. Është një cik i marrë dhe futet në shumë gjëra që s’duhet se një Kryeministër nga një minimum integriteti mban distancë dhe e lë drejtësinë të flasë. E mori përsipër dhe tha se nuk ekziston fare por është montazh. Tani në montazh nuk dolëm as ti e as unë, por ky që dolën dhe e kërcënuan, pa dalë ky zotëria në publik. Pra, e dinin shumë mirë se kush ishte, që domethënë audiopërgjimi ekzistonte. Po si ndodh që gjysma e audiopërgjimit është e vërtetë dhe gjysma tjetër nuk qenka e vërtetë? Tani, të bëhemi seriozë, të paktën t`i respektojmë teleshikuesit. Nuk mund ta marrin hallin e kryeministrit ne. Ne kemi detyrë të jemi shumë korrektë me të vërtetën. Kryeministri nuk është korrekt me të vërtetën sepse është i zënë në faj, është në hall, dhe çështja e inkriminimit të tij me trafiqet është një sëmundje nga e cila nuk del dot. Ai mund të shërohet vetëm duke ikur nga ai pozicion si kryeministër. Sa të jetë aty është rob, peng dhe i komanduar prej tyre. Nuk qeveris dot.

Më 26 maj do të kërkoni dorëheqjen e ministrit Fatmir Xhafaj. Prisni që të ketë ndonjë lloj reagimi apo një lloj reflektimi?

S`më shqetëson fare reflektimi i tyre, por unë jam i preokupuar vetëm që qytetarët të kuptojnë që kanë një zë të fortë që nuk pajtohet me këtë lloj mashtrimi publik sistematik dhe të pafytyrë tashmë sepse tashmë ajo arriti. Të kuptojnë që ka një sistem juridik të tronditur, ka një prokurori të anshme dhe jo të paanshme. Prokuroria sot duhej të ishte ngritur në këmbë,. Unë sot prisja shumë deklarata të forta, gjithashtu fleta arresti. Sepse një 27 vjeçar atje nga forcat e policisë ka humbur jetën. Shume e dhimbshme. Ka mbetur në qoshe të medias shqiptare. Është kriminale që ka mbetur e tillë, do ishte një shkak madhor që jo vetëm ministria dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por të gjithë të merrnin përgjegjësinë të largoheshin. Kjo ngjarje është nga më të rëndat në pluralizëm. Një 27 vjeçar, babai tre fëmijëve humb jetën nga shenja dhune të jashtëzakonshme, një situatë e pasqaruar dhe asnjë i ndaluar. Më vjen keq, por kjo është në situatë kriminale.

Kjo është një arsye shumë e fortë dhe për të protestuar. Familjarët kanë protestuar, por dhe ju politikisht mund ta mbështesnit.

Po sigurisht, ne duhet ta mbështesim fort. Për fat të keq të gjitha gjërat bashkojnë një pikë, një polici dhe Ministri e Brendshme e kompromentuar që në themel, ku nuk del dot. Vazhdon të jetë i implikuar në trafiqe, në dhunë dhe kriminalitet, por kjo po bie dhe mbi qytetarin e thjeshtë. Nuk ka faj askush, por kemi një kryeministër të çmendur që thotë vetëm opozita, por duhet të shkonte t’i jepte makinës dhe mos te fliste budallëqe në Rinas, por të shkonte në Korçë. T`i bënte atje deklaratat dhe të merrte gjithë fajësinë. Një jetë njeriu e marrë aty në mënyrë misterioze dhe me dhunë në qelinë e paraburgimit është një nga ngjarjet më të zeza që mund t`i ketë ndodhur këtij vendi. Këtë nuk e them si politikan fare, por si qytetar se jeta e një politikani , mbaron për 24 orë por si qytetar jemi deri në fund të jetës sonë. Si mund të jem i qetë? Çdo njeri i afërm apo komshi që mund të shkojë në burg ne mund të jemi të trembur a do na kthehet i gjallë apo jo sepse ca maskarenj dhe banditë do ta rrahin për vdekje aty se ka vjedhur. Nëse ka vjedhur jepi dënimin që meriton, por s`ke të drejtë t`i marrësh jetën. Ne e kemi garantuar të drejtën e jetës dhe për ata që vrasin e kriminelët. Ne s`kemi dënim me vdekje, por si japin diçka të tillë në qelinë e paraburgimit këta? Kush janë këta banditë që e bëjnë këtë?

Do doja të ndalesha në një tjetër zhvillim. Ka qenë Gjykata e Beratit që ka nisur shqyrtimin e një padie që ka bërë LSI ndaj kryeministrit. Çfarë prisni nga ky proces?

Në qershorin e zgjedhjeve, në marrëzinë që pushtoi zgjedhjet, Kryeministri i Shqipërisë në një takim të madh elektoral, në momentin që duhej patjetër të rrëmbente votat në mënyrat më të paligjshme, bëri thirrje, video është dhe në uebin tuaj dhe thirri me ulërimën më të madhe; hiqni uniformat dhe shkoni bëni vota për PS. Një trupe të depolitizuar, që është garantuesi i integritetit të zgjedhjeve, ndërkohë që përzierja e kriminelëve dhe trafikantëve ishte e gjitha së bashku, u dha mesazhin që Policia e Shtetit bën vota, është rreshtuar për PS. Nuk është më Policia e Shtetit që nuk është më as e PS, as e PD, as e LSI apo gjithë partitë e tjera dhe një polici që garanton integritetin e zgjedhjeve. Ju e dini se çfarë ndodhi me zgjedhjet? Ju e dini që 20% e votave u shitën, u blenë se policia mbyllte sytë dhe i mbështeste. Që ta përmbledh, e paditëm Kryeministrin për këtë faj publik në Prokurori që në korrik. Kam çuar padinë, kam qenë Kryetar i LSI-së në atë kohë dhe kemi dërguar një padi të gjatë, të dokumentuar. Shumë e thjeshtë të dokumentuar, videoja ishte kaq e qartë, qesharake, ishte procesi hetimor më i lehtë në botë sepse shpeshherë duhet zbuluar faji, por faji ishte bërë publik në sytë e mijëra njerëzve. Ne po i japim një mundësi të re Prokurorisë që të përpiqet që të rikuperojë veten, jo të na japë ne të drejtë. Prokuroria me paturpësinë më të madhe, një përgjegjësi publike shumë e rëndë, arsyetoi që: meqenëse Kryeministri kuptoi që bëri një faj të rëndë penal dhe këshilltarët e tij e këshilluan që të kërkonte një falje në Facebook dhe bëri një falje, kërkoi ndjesë që mbase u nxitova. Kryeministri që i thotë policisë shkoni bëni vota, shkatërron komplet zgjedhjet në një moment delikat, e kalon me një falje në Facebook. Dhe me këtë shkak, hetimet u mbyllën. Pra, s’ka problem. Ne iu drejtuam Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë e cila shqyrtoi çështjen, nuk e arkivoi, por e caktoi për kompetencë Gjykatës së Beratit sepse në një takim në Kuçovë ka ndodhur kjo thirrje. Dhe seanca e parë ishte pak ditë më parë. Çuditërisht Prokuroria kërkoi kohë sepse nuk ishte përgatitur për atë seancë dhe kërkoi edhe kohë akoma për tu përgatitur. Pra, faktet janë kaq të turpshme dhe kaq qesharake. Prokuroria nuk ishte e përgatitur për tu përballur me gjykatën. E kemi pranuar pa diskutim këtë gjë dhe të hënën është sërish procesi. Është një shans i mirë për Prokurorinë për të larë diçka nga fytyra e bërë shumë pis me këtë inkriminim me qeverinë.

Po çfarë prisni, që të dënohet Kryeministri?

Të rihapet hetimi. Të hetohet dhe jo të mjaftohet me një falje në Facebook. Pasi unë mund të bëj një kundra-vajtje të rëndë penale por nuk besoj tashmë që iu dhamë të drejtë të tërë qytetarëve dhe të tërë kundravajtësve që të bëjnë një falje në Facebook, o në Twitter, ose të çojë një mesazh dikujt në Watsaap dhe çështja mbyllet.

Dakord, por çfarë prisni?

Presim që gjykata më e pakta është, që të rikthejë çështjen për hetim në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kjo e fundit më së fundmi të ecë. Faji, thashë është më i lehti në botë për tu provuar, sepse faji është atje në sytë e të gjithëve. Dhe të mbajë përgjegjësi përfundimisht dhe ky njeri të marrë dënimin pasi ka folur marrëzira dhe çmenduri në këto vite që është Kryeministër, për të cilat ka paguar Shqipëria, paguajnë shqiptarët përditë dhe krijohet kjo klimë kriminale. Ku ju me të drejtë keni qenë shumë të interesuar si qytetarë që të dëgjoni që ne të na jepej mundësia që të flisnim për programet ekonomike, për zhvillimin ekonomik, për luftën kundër varfërisë dhe papunësisë që janë plagë që po shkatërrojnë dhe shkaktojnë emigracion qindra-mijësh të Shqipërisë. Dhe nuk kemi kohë të flasim për to sepse kjo veprimtari kriminale na imponon që të merremi me të dhe të mbajmë një qëndrim të caktuar. Do të ishte një pëllëmbë fytyrës të një Kryeministri që e la pa perspektivë ekonomike këtë vend dhe që i bëri të gjithë bizneset të tmerrohen për të nesërmen e tyre dhe të tmerrohen se mos u troket në derë tatimorët e radhës që do mbushin arkën e grabitqarëve të shtetit dhe do zbrazin rrogat e punonjësve tuaj të cilët për pamundësitë ekonomike ju donit t’i paguanit më shumë dhe i paguani më pak sepse nuk keni mundësi ekonomike për ta bërë këtë gjë.

Vasili, BE po e thekson gjithnjë e më shumë që nuk është momenti që të fokusohemi te zgjerimi, çka në njëfarë mënyre do të na penalizojë edhe ne. Cili është komenti juaj?

Problemi është i tillë. BE ka dhënë prova në shumë raste ku ka bërë pranime të shteteve të veçanta. Ka pasur shumë shtete që janë pranuar si të vetme, jo në bllok me shtete të tjera. Në Ballkan ndodhet Kroacia. Pse? Gjithë çështjet që duheshin për të vënë rregull në shtetin e saj, për të ndarë qartë drejtësinë, për të ndarë qartë pandëshkueshmërinë. U ndoq penalisht Kryeministri kroat. Ky tjetri i yni, shpartallon gjithë shtetin dhe nuk përgjigjet për vepra penale të qarta si këto që ne cituam. Kur shtetet plotësojnë detyrimet dhe vënë në vendin e duhur të gjitha pushtetet në vendin e tyre, luftojnë krimin dhe trafiqet, ndonëse nuk keni asnjë vend në Ballkan që të ketë problemin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në nivelet e Shqipërisë. Për turpin e këtij kryeministri ne u damkosëm si vendi që u moleps me drogë. Nuk e ka këtë problem as Kroacia, as Maqedonia fqinje, as Mali i Zi, se ka as Greqia, se ka asnjë nga vendet e Ballkanit, të gjitha ato që kanë hyrë apo që aspirojnë të hynë. Dhe vetëm për shkak të këtyre ne dënohemi, ne penalizohemi. Dhe nuk është te politikat e zgjerimit çështja. Është sjellja, papërgjegjshmëria, mungesa e reflektimit të këtij kryeministri, të cilit kur i bëjnë vërejtje këta janë armiqtë e Shqipërisë. Dhe në vend tu përgjigjet këtyre që janë detyrime, me rigorozitet, përpiqet të fshihet pas alibive. Nuk ka lidhje klima e zgjerimit me Shqipërinë në mënyrë të veçantë.

Pra, duke mos qenë në rregull Shqipëria, nuk ka shanse në qershor të marrim çeljen e negociatave?

Shanset Shqipërisë ja minimizon ky kryeministër me këtë qeverisje të vendit, nuk ka minimizojnë politikat e zgjerimit. Ja dha liberalizimin Evropa Shqipërisë? Një vepër shumë të madhe. Nuk ua ka dhënë të gjithë të tjerëve. Megjithëse ishte një incident i rëndë siç ishte Gërdeci, ja dha integrimin në NATO? Pse? Sepse nga monitorimi, nga mënyra si plotësoheshin të gjitha angazhimet që duhet të merreshin u bë. Integrimin përpara e shtyn qeverisja e vendit. Në qoftë se qeverisja është e orientuar drejt trafikantëve, i mbron ata, siç del ky që i mbron, sigurisht që nuk ka besim njeri. Dhe kur ti nuk je prova që krimin në mënyrë të veçantë dhe trafiqet nuk i lufton, nuk ka sesi të besojnë të tjerët.