Petrit Vasili: Edi Rama përdor pandeminë për fushatëm, jo për të shpëtuar jetët e qytetarëve!

24
Sigal

Ditën e sotme, Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka dhënë një deklaratë për mediat nga ku tha se Kryeministri Edi Rama po e përdor pandeminë për fushatëm dhe jo për të shpëtuar jetët e qytetarëve.

Deklarata e plotë për mediat:

Në këto ditë vërtet kritike për zhvillimin e pandemisë, të gjithë kanë qenë me sy e veshë për të kuptuar se ç’do të bëjë më në fund qeveria, do të lëvizë gishtin, a do të ikë nga kjo strategji tërësisht e gabuar dhe e dështuar për përballimin e saj, pasi dhjetëra jetë njerëzish po humbasin e mijëra e mijëra të tjerë vazhdojnë të infektohen.
Por, sot i gjithë opinioni është shumë i tronditur dhe është pothuaj i shastisur dhe i shokuar se si ka mundësi që sot Policia e Edi Ramës procedon dhe hap hetim penal për përhapje informacioni të rremë për dy vajza, të cilat kanë humbur babanë e tyre nga Covid-i.
Në vend të ngushëllimit, keqardhjes, ndjenja minimale të cilat kanë shoqëruar shqiptarët në jetë e në shekuj, kanë parë një Kryeministër të pacipë dje që e ka konsideruar hidhërimin e tyre politik e sot për më tepër procedohen për përhapje informacioni të rremë. Përhapje informacioni të rremë nga dy vajza që kanë humbur babanë e tyre pak orë më parë.
Po kjo polici, polici maskarenjsh, më vjen keq që po e them kështu, nuk hapi ndonjë procedim penal e nuk u shqetësuan kur përhapte lajme të rreme Edi Rama dhe për këtë ju ftoj të ndiqni videon kur gënjente shqiptarët dhe u shiste videot e opozitës në Algjeri, si video të qytetarëve për shkak të pandemisë në Spanjë. Por, Edi Rama mund t’ia hedhë me një lajme, kurse për këtë tension që i krijoi opinionit publik, për të justifikuar dhunën e tij, autoblindat e tij idiote, që nuk siguronin asgjë, nuk iu fut gjemb në këmbë. Por u kërkoi falje, Edi Rama ia hedh me falje, ndërsa të tjerët humbasin të dashurit e tyre dhe çohen për procedim penal.
Edi Rama nuk çohet për procedim penal kur u tha shqiptarëve që nuk ka nevojë të mbani maskat, se nuk kanë asnjë vlerë. E mbani mend besoj! Edhe kur shpërndau, shpërndau maska dhjetë vjet të skaduara. Nuk shpërndau, por ishte një dëm ndaj shëndetit të njerëzve. Edi Rama nuk kallëzohet, nuk ndiqet penalisht, kur tha që nuk ka nevojë të bëhen testime, atë që bënte e gjithë bota dhe ishte detyrim botëror.
Pra, shqiptarët duhet ta kuptojnë që përballë kanë një pandemi, e cila është në duart më të këqija të mundshme, e cila është një histori dështimi tragjik, nga fillimi deri në fund, ku të gjitha masat shtrënguese nuk kanë krijuar asnjë ulje për pandeminë, por kanë krijuar një rritje të jashtëzakonshme e të pandalshme të saj, ku viktimat rriten.
Asnjë nuk ka filluar hetim penal ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij për fshehjen e mijëra vdekjeve nga Covid-i, tashmë katërçipërisht të provuara, haptas, që përbëjnë një krim shumë të rëndë. Asnjë lëvizje nuk kanë bërë për të kuptuar se cili ka qenë dëmi i jashtëzakonshëm që u kanë sjellë qytetarëve. 100 e ca milion euro kanë dalë dhe dalin përditë nga xhepat e qytetarëve shqiptarë, dhe as 100 e ca mijë euro qeveria nuk ka vënë në dispozicion për rimbursimin e barnave dhe shërbimeve në banesë.
Mijërat e shqiptarëve, e qindrat e tyre që më dëgjojnë, e që janë nëpër shtëpi, të infektuar me Covid dhe trajtohen atje, di që edhe shërbimet mjekësore u kushtojnë edhe më shumë se barnat, e në rast se paguajnë disa dhjetëra e mijëra lek në ditë për barnat, u duhen qindra e mijëra lek për shërbime shëndetësore, infermierore në banesë, oksigjen, kryerjen e injeksioneve e të tjera.
Me talljen dhe me mashtrimin e trastave me vaksina, Edi Rama po ofendon të gjithë shqiptarët. Ç ‘punë kanë shqiptarët të shikojnë në Vlorë, me një dorë vaksina, Edi Ramën me në krye Damian Gjiknurin. Po, Damian Gjiknuri është i njohur si një hajdut ordiner votash, për çfarë ndodhet ai në krah të fushatës së vaksinimit të Edi Ramës, para vlonjatëve? Që t’u vjedhë edhe vaksinat, se votat ua kanë vjedhur?
Ky është shpërdorim i poshtër politik i pandemisë në dëm të shëndetit dhe të jetës së njerëzve. Është historia më tragjike dhe më e shëmtuar që shqiptarët kanë parë në qeverisjen e tyre, ku çdo sekondë, çdo minutë televizive ka qenë vetëm e vetëm, jo në shërbim të shëndetit të shqiptarëve, jo për të vdekur shqiptarë më pak, jo për tu infektuar shqiptarë më pak, por ka qenë vetëm e vetëm në funksion të karriges së Edi Ramës. Dhe ky krim ndaj shëndetit dhe ndaj jetës së njerëzve kërkon një hetim të thellë, por SPAK i Shqipërisë i mbyll sytë, i pranon faljet e Edi Ramës kur shpërndan video dezinformuese dhe kur bën deklarata, të cilat shkatërruan trajtimin e pandemisë dhe nuk lëviz gishtin për mijëra veprime dhe mosveprime. Përfshirë edhe grabitjen e parave të shqiptarëve me tenderë sekretë, të cilët paguheshin 7, 8 apo 10 herë më shumë sesa ishin çmimet e tyre reale. Pra duke grabitur lekë të çmuara nga shëndeti i shqiptarëve, për t’ia dhënë pandemisë.
Kështu që sot është një kohë kur shqiptarët duhet të dinë e të jenë shumë të përgjegjshëm si asnjëherë më parë, që në këtë moment kritik jo vetëm nuk panë kokë uljen e Edi Ramës, por panë dorën e tij grabitqare, mashtrimin e tij sistematik, tufën e gënjeshtarëve që fillojnë nga Kryeministri e përfundojnë në Bashkinë e Tiranës e të gjitha bashkive me radhë, e deri duke finalizuar bërjen e vaksinës në prani të hajdutëve të votave si Damian Gjiknuri e me shokë.
Kjo është pandemia për Edi Ramën, është një instrument politik, për të dalë dhe për të bërë gallatë nëpër media me një tufë me vaksina, e për të arritur të klasifikojë shqiptarët që vaksinën mund ta bëjnë sipas meritave, e jo sipas shëndetit. E drejta e shëndetit për çdo qytetar, qoftë ky edhe një i dënuar në burg, është një e drejtë e barabartë. Nuk ka asnjë diferencim, babai i njërit nuk është më i rëndësishëm se babai i tjetrit, nëna e njërit nuk është me e rëndësishme sesa nëna e tjetrit. Të vetmin klasifikim mjekësor e shkencor mund ta bëjë vetëm sesa e rënduar është gjendja shëndetësore e një pacienti, në raport me një pacient tjetër. Këto kanë të bëjnë me zbatimin e shkencës dhe me ndershmërinë shoqërore. Një batakçi politik, një karagjoz parazit si Edi Rama nuk ka as njërën, as tjetrën.
Prandaj 25 prilli është dita e shpëtimit për çdo shqiptar e për çdo familje shqiptare, e për tërë Shqipërinë në tërësi. Mos harroni kurrë, pandemia qe mësimi më i rëndë dhe më tragjik që shqiptarët morën me një karagjoz parazit si Edi Rama.