Petrit Vasili: Ambasadorë, pse heshtni për kapjen e proçesit zgjedhor ?!

200
Sigal

Rilindja shqyen edhe ligjet e miratuara me konsensusin, që ka dhënë edhe ajo vetë, për ligjet pjesë e Reformës Zgjedhore dhe të asistuara e mbështetura nga SHBA dhe BE. Së fundmi, ‘Rilindja’ ka shqyer ndryshimet konsesuale të Kodit Penal, duke eliminuar mundësinë për të shkuar tek organizatorët, frymëzuesit dhe financuesit e krimit zgjedhor, duke shkarkuar përgjegjësinë thjesht tek mashat periferike të këtij krimi zgjedhor. Propozimi i miratuar konsesualisht u krijonte lehtësira të mëdha atyre, që kallëzonin apo krijonin lehtësira gjatë procesit penal për të shkuar tek organizatorët dhe frymëzuesit e krimit zgjedhor. Por hajdutët ‘rilindas’ të votave në parlament, sërish kanë ndërhyrë tinëzisht për të ulur garancitë e procesit zgjedhor dhe kanë futur duart e pista për të mbrojtur organizuesit dhe frymëzuesit, duke synuar të miratojnë sot në parlament këto ndryshime. Mazhoranca kërkon që të heqë mbrojtjen për ata që denoncojnë krimet zgjedhore. Krimet zgjedhore nuk janë krime pasioni individual, por janë të porositura nga lidershipi politik, që kërkon të mbajë pushtetin me çdo kusht.  Me ndryshimin që mazhoranca bëri në mënyrë tinzare në Komisionin e Ligjeve, kundër edhe qëndrimit të SHBA dhe BE që mbështetën vetëm ndryshimet konsensuale, mazhoranca kërkon që të zvogëlojë efektivitetin e goditjes penale ndaj krimeve zgjedhore. Ambasadorë, garantë të marrëveshjes për Reformën Zgjedhore flisni tani, nesër s’ka asnjë vlerë. Ambasadorë keni qenë dëshmitarë, mbështetës dhe garantë të marrëveshjes konsesuale për Reformën Zgjedhore, mbani qëndrim përballë banditizmit politik, që shkel çdo marrëveshje. Ambasadorë, Opozita me shumë përgjegjshmëri dhe ndershmëri i ka qëndruar çdo marrëveshjeje. Ambasadorë, pozicionohuni përballë pabesive të ‘Rilindjes’, që kërkon të ulë garancitë e procesit zgjedhor dhe kërkon gjithashtu të krijojë hapësira për pandëshkueshmërinë e krimit zgjedhor.