PRESIDENTI NISHANI
Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përshëndet votimin në Parlament dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve. “Dëshiroj të përshëndes dhe të vlerësoj aktin e përgjegjshëm të ndërmarrë sot nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për votimin dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve. Miratimi i këtij ligji të rëndësishëm përveçse përmbush pritshmëritë dhe kërkesat legjitime të qytetarëve shqiptarë, forcon edhe më tej parimin themeltar të barazisë së të gjithëve para ligjit si dhe të paanshmërisë së drejtësisë”.
AMBASADORI I BE-SË
Ambasadori i BE-së,Ettore Sequi, mirëpriti miratimin votimin e reformës së Imuniteteve. Sequi më tej thekson se rezultatet e mira arrihen vetëm kur politika bashkëpunon. “Miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit. Mbështetja që i është dhënë këtij ligji si nga ana e qeverisë ashtu edhe e opozitës është një shenjë inkurajuese për angazhimin më të gjerë për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri”. Shefi i delegacionit të BE vuri se klasa politike shqiptare mund të arrijë rezultate edhe më të mëdha, siç është marrja e statusit të vendit kandidat në BE.
KRYETARI I PREZENCËS SË OSBE-SË
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Volfarth, mirëpriti sot miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, të cilat kufizojnë imunitetin e përgjithshëm nga ndjekja penale për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarë të tjerë të lartë. “I përgëzoj të gjitha palët politike që miratuan sot këtë ligj të rëndësishëm. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, përfshirë zyrtarët publikë. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri kur shkelet ligji”, tha Volfarth. “Ndryshimet e miratuara sot nga Kuvendi heqin një pengesë të madhe në hetimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare të krijojnë një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit”.