Përplasja për komisionin/ Shtyhet hetimi parlamentar për Tahirin, 10 kërkesat e opozitës. Flasin Spaho, Paloka dhe Balla

653
Shtyhet hetimi parlamentar për Tahirin, ja 10 kërkesat e opozitës
Deputetët do të votojnë, më 5 mars kërkesën për të shqyrtuar ligjshmërinë e veprimeve të qeverisë e Kuvendit për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm
Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi dje kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për rastin “Tahiri” dhe ligjshmërinë e veprimit të institucioneve shtetërore. Opozita ka kërkuar ngritjen e komisionit “për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërhyrjeve të këtyre pushteteve në ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të pavarur nga organi i prokurorisë në hetimin penal të këtij rasti, si edhe efektet që kanë ardhur nga kjo ndërhyrje e paligjshme”. Lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor, me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për të pasur më shumë kohë për të shqyrtuar objektin dhe projektvendimin e kërkesës, u vendos që t’i përcillet për votim seancës plenare të datës 5 mars 2018. Pas mbledhjes, deputetët demokratë, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, u shprehën se deputetët e mazhorancës po përpiqen të mbrojnë Tahirin dhe zhdukin provat. “Logjika e tyre ishte më se absurde sepse kërkuan kohë që të na propozojnë ne ndryshimet në objekt. Komisionin Hetimor e kërkojmë ne, ndërsa këta kërkojnë kohë që të na ndryshojnë ne objektin e hetimit. Kjo është gjëja më absurde, nuk ka rëndësi sa kohë, ti kërkosh opozitës të ndryshojë objektin e hetimit siç e do mazhoranca”, tha Paloka. Ndërsa nënkryetari Edmond Spaho tha se PS po kërkon të zhdukë provat. “Për fat të keq nuk u arrit të merret vendim për shkak se sipas mendimit tonë mazhoranca po vazhdon në linjën e shtyrjes së çështjes, zvarritjes, fitimit të kohës në mënyrë që sikurse ka ndodhur deri tani të mund të eliminohen provat, të hiqen dëshmitarët si në rastin e ekstradimit të Seitit në Itali apo lirimit të Orest Sotës. Pra për të bërë çfarë është e mundur që kjo çështje të mos hetohet, të mbyllet, të shtyhet në kalendat greke. Kontestimet janë ato shabllonet që objekti i hetimit është i gjerë, këtu ka objekt për 2 apo 3 komisione hetimore, por pa dhënë asnjë argument në secilën prej pikave të cilat ne kemi paraqitur si objektiva për të hetuar këtë çështje”, tha Spaho.
Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të PS Balla u shpreh se vendimi u shty, pasi kërkesa e PD ka nevojë të kthehet në binaret e Kushtetutës. “Ata (PD) vetë e pranojnë, se dikush ka shkruar kërkesën, dhe dikush tjetër ka shkruar projektvendimin. Lidhur me kërkesën jemi plotësisht dakord. Ai që ka shkruar projektvendimin në emër të opozitës ose nuk ka lexuar kërkesën e vetë opozitës, ose nuk di arsyet. Kërkesa nuk ka të bëjë fare me projektvendimin, çështjet e shtjelluara në projektvendim tejkalojnë kërkesën”, tha Balla. Duke komentuar thelbin e kërkesës, ligjshmërinë e akteve të Kuvendit, Balla tha se kontestimi i një vendimi të Kuvendit nuk mund të bëhet nga një komision hetimor, por në Gjykatën Kushtetuese.
Objekti dhe çështjet që do të hetohen:
1 – Roli, dijenia dhe përgjegjësia e kryeministrit, anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, veprimet apo mosveprimet e tyre, në parandalimin dhe ndëshkimin e fenomenit të kultivimit të kanabisit apo trafikimit të lëndëve narkotike; 
2 – Arsyet e veprimeve dhe sjelljes së kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave në intimidimin e organit të prokurorisë mbi çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm, z. Saimir Tahiri; 
3 – Vlerësimi i rrethanave mbi dijeninë e kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave për veprimtarinë kriminale apo ligjshmërinë e veprimtarisë së tyre shtetërore në drejtim të parandalimit të paligjshmërisë për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit; 
4 – Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të vendimit administrativ të Kuvendit për pengimin e organit të prokurorisë që të kërkonte në gjykatë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri, si dhe nxjerrja e provave që përbëjnë sekret hetimor nga anëtarët e Këshillit;
5 – Veprimet dhe sjellja e kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave, si dhe e çdo zyrtari tjetër publik, në pengimin apo intimidimin e organit të prokurorisë që të veprojë në mënyrë të pavarur dhe paanshme në hetimin e çështjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri; 
6 – Ndërhyrjet nga organet e pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në hetimin e kësaj çështje, si dhe efektet që kanë sjellë këto ndërhyrje; 
7 – Evidentimi i pengesave që ka hasur organi i prokurorisë në hetimin e këtij zyrtari të lartë, nga veprime apo mosveprime të paligjshme të organeve të tjera të administratës shtetërore; 
8 – Ligjshmëria e ekstradimit të personit tjetër nën hetim për të njëjtën çështje dhe efektet që sjell ky ekstradim në ushtrimin e ndjekjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm; 
9 – Rreziqet që paraqiten për hetimin e pavarur, të shpejtë, efikas dhe të gjithanshëm të kësaj çështje, dhe mjetet që duhet të përdoren për të eliminuar në mënyrë kushtetuese dhe ligjore këto rreziqe; 
10 – Vlerësimi mbi nevojat e organit të prokurorisë, për burime financiare dhe njerëzore, për hetimin e plotë, të pavarur dhe të paanshëm, të kësaj çështje, si dhe verifikimi nëse këto burime janë vënë në dispozicion.
Përbërja
Sipas propozimit të opozitës, komisioni hetimor parlamentar do të ketë 11 anëtarë, nga ku kryetari dhe 3 anëtarë do të jenë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 anëtar do të jetë përfaqësues i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për lntegrim, dhe 6 anëtarë do të jenë përfaqësues të grupeve parlamentare të partive të mazhorancës parlamentare. Afati i përfundimit të hetimeve do të jetë 3 muaj nga krijimi i Komisionit Hetimor.
Sigal