Përçahet ASHE-ja , aleatët krijojnë grupimin e ri politik

Rama  realizoi  strategjinë  për asgjësimin e partive të vogla, të nisur që nga 2008-ta, me Kodin Zgjedhor

Kryeministri Rama, duke përjashtuar aleatët eASHE-së, nga bashkëqeverisja, duke shkelur me të dyja këmbët marrëveshjen e shkruar me kryetarët e partive të tjera që e mbështetën në fitoren e 23 Qershorit, finalizoi atë strategji që e kishte hartuar që nga 2008-ta. Të asgjësonte politikisht partitë e vogla, duke nënshkruar brenda një nate marrëveshjen me Berishën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Sigal

Aleatët dyshuan te fjala e Ramës, para zgjedhjeve

Nëse bëjmë një rikthim historik, për të hedhur dritë mbi ngjarjet paraelektorale, qysh atëherë aleatët më besnikë të tij, Gjinushi dhe Milo, por edhe Ngjela, dyshuan te premtimet që u jepte Edi Rama, ndaj kërkuan me këmbëngulje që ata të përfshiheshin në listat zgjedhore.  I pari ishte Ngjela, që deklaroi se, Rama i kishte dhënë fjalën për ta futur në listat e PS-së, si kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës. Mirëpo kjo nuk ndodhi, sepse Rama, edhe pse u premtonte,  nuk e mbajti fjalën e dhënë. Kryetari i koalicionit të Djathtë, Berisha, futi në listat zgjedhore, madje në renditjen e zgjedhjes së sigurt edhe kryetarët aleatë, ndërsa Rama, ushqente  një qëllim tinëzar,  ndaj nuk përfshiu asnjë nga aleatët e tij në listat e PS-së për deputet. Nisur nga dyshimet te fjala e Ramësë, Gjinushi asnjëherë nuk e publikoi marrëveshjen që nënshkroi para zgjedhjeve me Ramën. Ende edhe sot, nuk dihet, nëse ka nënshkruar ndonjë marrëveshje, dhe kjo provohet edhe nga heshtja e plotë e deritanishme e Gjinushit. Madje, aleati tjetër i Ramës,  Milo, në një moment dëshpërimi, kur e kuptoi se Rama po e linte jashtë liste, pohoi publikisht, se Rama i kishte kërkuar që të shkrinte partinë e vet, dhe ai të futej në listat e PS-së. Rama, sipas pohimit të Milos, nuk ia shtroi vetëm si alternativë, asokohe, Milos shkrirjen e partisë, por, me ngjarjet e tanishme, ai ishte i vetmi plan që kishte Rama në kokën e tij. Të asgjësonte të gjitha partitë e vogla. Qoftë me kulaçin, duke u premtuar kryetarëve të partive aleate shkrirjen e tyre për një vend  për deputet, në listat e PS-së, qoftë edhe me kërbaçcin, duke mos u dhënë asnjë post qeveritar, pavarësisht nga kontributi i 100.000 votave që i dhuruan aleatët PS-së.

Aleatët u përpoqën të krijonin një grupim politik, por Gjinushi akoma besonte te Rama

Të ndodhur përpara një mosbesimi te fjala e premtimet e Ramës, asokohe, kur kishte ende kohë për të bërë aleanca parazgjedhore, aleatët e majtë, parashtruan si zgjidhje edhe krijimin e një grupimi politik, të shkëputur nga aleanca me Ramën. Madje, u përfol, që në këtë grupim të partive të aleancës së Majtë, të përfshihej edhe FRD-ja. Mirëpo, në minutat e fundit, sipas pohimeve konfidencialë të kryetarëve të partive të vogla të së Majtës, Gjinushi, i joshur, mbase nga premtimet e Ramës, pasi i kishte përçuar gjithë informacionin, u tërhoq nga ideja e grupimit politik dhe kështu, të gjitha partitë e vogla, përfshirë, Milon, Koçin, Beqirin, Kojën, etj., u bashkuan me Ramën.

Gati grupimi i ri politik, përçahet ASHE-ja

Më i zhgënjyeri nga të gjithë, duhet të ndihet Gjinushi, i cili 8 vjet ishte në pararojën e opozitës, mirëpo, që në momentin që Rama u bashkua me Metën, fati i Gjinushit ishte i parashkruar. Sepse, Gjinushi e Meta nuk mund të bashkekzistojnë në një bashkëqeverisje, pasi Gjinushi është opozitari më i ashpër i Metës. Tani aleatët e Ramës e kanë të qartë, që Rama i shfrytëzoi, duke i gënjyer për t’i vlerësuar me poste qeveritare, sipas kontributit të dhënë në 23 Qershor. Ndaj, edhe pse deri tani, aleatët nuk e kanë shprehur publikisht pakënaqësinë ndaj Ramës, vetë heshtja që mbajnë, kurrsesi, nuk do të thotë, që ata janë dorëzuar fatit të mashtrimit. Sipas burimeve të mirinformuara, krerët e partive tëASHE-së, po hartojnë strategjinë e grupimit politik të ri. Do të shkëputen ngaASHE-ja dhe, sipas të njëjtave burimeve të informacionit që kemi, shumë shpejt ky formacion i ri politik, do të marrë trajtën e plotë vepruese, që në zgjedhjet e pushtetit vendor të 2015-s.