”Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ulim kokën”, Edi Rama nis me autokritikë Asamblenë e PS-së

511
Sigal

Ka nisur Asambleja Kombëtare e PS-së, ndërsa fjalën hapëse në këtë takim padyshim që e ka pasur kryeministri Edi Rama, i cili ka preferuar që të ketë temë primare protestën e studentëve.

Rama tha se kjo protestë është një nga ngjarjet më prekëse të karrierës së tij në politikë. Kryeministri u shpreh se protesta e studentëve ka bërë që qeveria të reflektojë për të gjitha mungesat që kanë sot të rinjtë në vendin tonë.

“Ky është një takim i pazakontë, në një kohë të pazakontë të vitit për mbledhje partie, në një moment të pazakontë për këtë familje e cila ka përgjegjësinë të kujdeset për shtëpinë e madhe të shqiptarëve, Shqipërinë. Por e pazakontë është edhe mundësia që na ka dhënë në këtë fund vitit protesta e studentëve. 

Një mundësi e mirëseardhur në formën e një reagimi shumë kuptimplotë, në emër të një jete më të mirë universitare dhe në emër të besimit tek unë, tek ne. Përtej kushteve, indiferencës ndaj politikës, edhe kur çirreshin para fytyrës sime turp-turp, ata shihnin dhe shohin në drejtimin tonë sepse jemi për ta mundësia e vetme për ta.  

Studentët kanë të gjithë të drejtën që të jenë të acaruar me ne, pasi nga ne presin më shumë, të tjerët jo vetëm që si vlerësojnë por i kanë përçmuar publikisht. Kjo ngjarje ishte tronditëse dhe prekëse, një nga momentet më të rëndësishme të karrierës sime politike. Ky brez paguan sot për reformat që nuk u bënë këtu e 20 vite më parë. Janë pasojat e politikës që mendon për vezën sot dhe jo për pulën mot”, u shpreh Rama.

‘’Sot unë akuzohem se pse nuk është askush në burg, pse është drejtësia e padrejtë, akuzohem se pse prokurorët dhe gjykatësit vijojnë që të godasin të drejtat, mirëpo nga ana tjetër jemi në një kohë të ndërmjetmje dhe nuk na mbetet më gjë tjetër që ulim kokën dhe të punojnë. Për të treguar se e nesërmja do të na japë të drejtë”, tha më tej kryeministri.