FLET VILMA NUSHI: JA E VËRTETA E 110 MILIONË EUROVE TË KONCESIONIT

2125
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Unë, Vilma Nushi, që mendoj me zemër për shëndetësinë. Ja e vërteta e 110 milionë eurove të koncensionit

Vilma Nushi është një njeri i thjeshtë, që jeton me forcat e veta duke punuar, i shërbej çdo personi, pa bërë asnjë dallim të çdo shtrese shoqërore…

Gjetëm Vilma Nushin e vërtetë, e cila rrëfehet me dorë në zemër dhe e sinqertë për gazetën “Telegraf”. Vilma Nushi thotë për gazetën “Telegraf”, që asaj dhjetëra e qindra njerëz i shkruajnë përditë, duke i qarë hallet, i kërkojnë ndihmë, për punë, për ndihmë ekonomike, për një fëmijë të sëmurë, për një shtëpi, për një bursë…Vilma Nushi e pohon, që koncesionet janë shumë të fryra, që zhvatin fondet e shëndetësisë, por lënë në mjerim shërbimin shëndetësor…

-Zonja Nushi, ju jeni Vilma e vërtetë?

– Nuk them dot kush është Vilma Nushi e vërtetë, unë jam Vilma Nushi që mendoj me zemër dhe veproj me logjikë.

– Ju kanë marrë ju, si Vilma Nushin biznesmene?

– Më vjen shumë keq kur më vijnë me dhjetëra mesazhe në telefon, në rrjete sociale, facebook, apo instagram, duke më përshëndetur me shumë dashamirësi shumë familje dhe njerëz me nevojë, shumë të rinj që kanë nevojë për një jetë tjetër dhe duke menduar se unë jam Vilma e ‘fuqishme’.

– Si jeni ndjerë, që, qoftë edhe një çast, ju jeni Vilma e “fuqishme”?

– Nuk mundem t’u kthej dot një përgjigje, nuk ma bën zemra t’u shkruaj, me vjen keq, por nuk jam unë ajo Vilma. Për këta njerëz që mendojnë se unë jam biznesmenia e Shqipërisë mund të jem një dritë jeshile dhe nuk dua t’ua këpus shpresat…

– Si ju shkruajnë, duke ju ditur se jeni Vilma e “Fuqishme?

-Pothuajse çdo ditë vijnë dhjetëra mesazhe në rrjetet sociale, por edhe në telefonin tim. Mesazhi fillon me përshëndetje, vazhdon duke qarë hallet e familjes, problemet familjare, kush kërkon të ketë një mundësi pune, dikush ka nevojë për një shtëpi për fëmijët, dikush është i sëmurë dhe ka nevojë për një ndihmë financiare dhe disa prindër kërkojnë që fëmija e tyre të ketë mundësi të studiojë në fakultet, por për shkak të gjendjes ekonomike të gjitha këto janë të pamundura. Më dhimbsen! Mundohem t’u përgjigjem me shumë dashuri dhe delikatesë, pa dashur t’i lëndoj.

-Ti, si ndihesh, kur njerëzit të shkruajnë, Vilma e Fuqishme?

– E kam shumë të vështirë t’u them që unë nuk kam biznese, nuk kam lidhje me fonde dhe tenderë, që nuk jam Zonja Nushi, miliardere e qeverisë. Nuk mundem, më besoni! I kuptoj shumë mirë këta njerëz me shumë probleme. I lutem Zotit për këto familje dhe i them që njerëzit e ‘mëdhenj’ që posedojnë miliarda e miliarda lekë nuk kanë zemër, sepse nuk dinë çdo të thotë të flesh me barkun bosh, nuk dinë çdo të thotë të fitosh bukën e gojës me ndershmëri dhe asnjëherë nuk do i’u vijnë në ndihmë. Nuk mbetet asgjë tjetër, vetëm t’iu jap kurajë, se Zoti është i madh.

-Zonja Nushi, nëse kemi akoma shërbim shëndetësor publik kjo është meritë e mjekëve dhe infermierëve tanë. Çfarë mungon në spitalet tona shtetërore?

-Mungon organizimi spitalor, mungojnë pajisjet mjekësore që bëjnë të ketë radhë deri në disa muaj tek pacientët, mungon disiplina dhe ndërgjegjja. Ka mungesë të medikamenteve, ku pacienti apo familjari duhet të blejë vetë çdo medikament.

– Mendoni se nuk ka fonde nga buxheti i shtetit apo fondet shpërdorohen?

– Sigurisht që ka plot mundësi të krijohen fonde optimale për trajtim të të sëmurëve, por këto fonde avullojnë rrugës, por dhe ata fonde që shkojnë, shpërdorohen dhe përvetësohen nga individë të veçantë.

Sikur, sikur të themi, që jeni ju Vilma Nushi, si i IMAGJINONI të shpenzoni 110 milionë euro për të bërë Jetën që dëshironi?

– As nuk e kam menduar që të disponoj 110 milionë euro. As për koncesion. Unë jam profesioniste në punën time, ku karakterizohem nga ndjenja e humanizmit dhe përkushtimit në punë pa sensin e orarit. Këtë ma jep vetë profesioni që kam zgjedhur. Asgjë nuk ka ndikuar apo të ndikojë në misionin tim fisnik.

Sikur, sikur, të përfitonit 110 milionë euro nga një koncesion. Ku i dihet, mund t’ju vijë radha edhe juve, siç u erdhi radha edhe asaj që kishte një kioskë në Berat dhe mori koncesionin e dializës…

– Do doja shumë të fitoja 10 milionë euro në vit dhe kjo, jo vetëm për të plotësuar nevojat e mia jetësore, por t’u vija në ndihmë sa e sa fëmijëve që kanë më shumë nevojë se sa fëmija im. Të ndihmoja sado pak ato familje që kanë nevojë për një strehë mbi kokë. Nuk mundem t’i shikoj njerëzit që vuajnë. Meqenëse qeveria shqiptare nuk ka mundësi t’iu vijë me ndihmë shqiptarëve që vuajnë, do e kisha bërë pa u menduar dy herë.

– Çfarë do ndryshonit në veten tuaj?

– Nuk do të ndryshoja asgjë, përveçse do të investoja për veten time, për aftësim sa më të lartë profesional. Aspak nuk do të ndryshonte Vilma që jam, me Vilmën që do të posedonte 110 milionë euro. Kjo është çështje formimi me ndjesi qytetare dhe humanitare, që i kam dhe nuk do të veniten me asnjë shumë joshëse.

– Ju punoni në Spital. Mendoni se këto qindra milionë Euro që jepen Koncesione për shërbimin shëndetësor janë të fryra? Reale?

– Absolutisht që koncesionarët nuk janë realë as në shumat e as në projekte.

– Nëse këto qindra milionë Euro do të përdoreshin nga mjekët dhe infermierët e spitaleve jo me koncesion si dhe sa do të përmirësohej shërbimi shëndetësor në spitalet publike?

– Nëse do të administrohej kjo shumë nga mjekë dhe infermierë të përkushtuar, gjithçka do të ishte krejt ndryshe. Që nga shërbimi, kushtet e trajtimit të të sëmurëve, kushtet në spitale, plotësimi i nevojave kurative, kualifikimi i tyre etj…

-Zonja Vilma Nushi, është ky shteti ynë, që duan shqiptarët?

– Për mua nuk është ky shteti që dua, nuk është kjo qeveria që shqiptarët meritojnë. Për mua shtet është ai që më siguron një jetesë më të mirë, ushqimin e familjes, ai që më ka dhënë mundësinë të punoj në profesionin tim dhe ky është njeriu më i lartë i gjithë Shqipërisë. Sigurisht nuk është kryeministri i Shqipërisë, as deputetët apo ministrat. Asnjë prej këtyre nuk më dha asnjë mundësi pune apo jetese më të mirë. Këtë mundësi ma dha vetëm drejtori i spitalit ku unë ushtroj profesionin tim si infermiere. Ky është njeriu më i lartë i shtetit për mua, sepse vetëm ai po ma siguron ushqimin dhe një jetesë normale.

– Cila është Vilma Nushi e vërtetë?

– Ja,Vilma Nushi është një njeri i thjeshtë që jeton me forcat e veta duke punuar në profesionin e infermieres në ambientet e një spitali privat pa vjedhur nga xhepat e njerëzve të varfër. Vërtetë nuk kam mundësi të ndihmoj njerëzit nga ana ekonomike, por që do i shërbej çdo personi pa bërë asnjë dallim të çdo shtrese shoqërore kjo është e sigurt…