PE-ja bën Shqipërinë për “dush të ftohtë”

387
Sigal

Votimi unanim i eurodeputetëve / Asnji hap drejt “negociatave” pa përmbushur 15 kushtet. Kthimi i dinjitetit të qytetarëve, ndëshkimi i blerjes së votave, pse qeveria është më e ashpër ndaj medias dhe tolerante tolerante me trafikantët, hetimi i dhunës policore, shpërdorimit të fondeve të BE-së, kritika për opozitën dhe ulja në tavolinë e aktorëve kryesor të politikës

 

Komisioni i Jashtëm dhe eurodeputetët kryqëzojnë qeverinë e Tiranës dhe Kryeministin Edi  Rama për shit-blerjen e votës , ligjin antishpifje, dhunën në Teatrin Kombëtar Reformën  në Drejtësi

Asnjë hap drejt “negociatave” pa përmbushur 15 kushtet

Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian  diskutoi për procesin e integrimit të Shqipëri.  Në këtë mbledhje të rëndësishme për vendin tonë u diskutua mbi reformat e qeverisë “Rama” dhe kushtet e vendosura  nga  BE-ja. Ndërkohë që një zhvillim i tillë duhet të ishte live në gjithë mediat kombëtare, televizionet e kanë pasur të pamundur transmetimin e sinjalit nga Brukseli. Sinjali që merret nga mediet në Shqipëri, sot është bllokuar në mënyrë të çuditshme. Duket se temat e trajtuara në mbledhjen e BE-së dhe kritikat që dihet se do të marrë qeveria “Rama”, kanë bërë që institucionet shtetërore të censurojnë transmetimin e mbledhjes së Parlamentit  Europian. Mbledhja nisi në orën 16:45 dhe shumica e medieve në Tiranë, nuk kanë pasur mundësi të transmetojnë live debatet e eurodeputetëve për situatën në Shqipëri, plotësimin e kushteve për në BE dhe çështje si, shembja e Teatrit Kombëtar. Për më shumë se dy orë eurodeputetët e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Europian, disktuan rreth plotësimit të 15 kushteve nga Shqipëria. Ishte eurodeputet  suedez dhe raportoreri  David Lega që ngritën me shqetësim mungesën e luftës kundër krimit dhe drogës nga Shqipëria. Dy të lartpërmendurit, u shprehën se qeveria është më e ashpër me gazetarët, se sa vetë trafikantët .Gjithashtu u fol me tone të ashpra dhe të prera rreth dosjes 184 të Dibrës dhe 339 të Shijakut, dy dosje që lidhen me shit-blerjen e votës. Eurodeputetët u shprehën se Shqipëria duhet të kuptojë që BE-ja e ka shumë seriozisht dhe ajo duhet të plotësojë të 15 kushtet, para konferencës së parë ndërqeveritare. Nga shqetësimet e ngritura ishte edhe shembja e Teatrit Kombëtar dhe dhuna që e shoqëroi më pas gjithë këtë akt.

 Shqipëria do t’u japë qytetarëve të saj dinjitetin që meritojnë

Eurodeputeti suedez David Lega: Shqipëria është në rrugën e çeljes së negociatave dhe do të materalizohet dëshira e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së. Lufta ndaj drogës në Shqipëri duhet të vazhdojë të jetë edhe më e fortë. Është një mënyrë me anë të së cilës Shqipëria, mund të sigurojë rrugën e  saj drejt BE-së. Lidershipi shqiptar tenton të jetë i ashpër me gazetarët dhe i butë me tregtarët e drogës. Duke bërë të kundërtën, Shqipëria do t’u japë qytetarëve të saj dinjitetin që meritojnë. Duke vepruar drejt, Shqipëria do të tregojë që është e denjë për të qenë pjesë e BE-së. BE-ja është privilegj dhe privilegjet kushtojnë.

Eurodeputeti kroat Picula Tonino: Të gjithë e duatrokitëm vendimin e Këshillit për të çelur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Janë 15 kushte që Shqipëria duhet t’i përmbushë para se të çelë negociatat. Ka interpretime të ndryshme sa i përket këtyre kushteve para takimit ndërqeveritar. Reforma Zgjedhore ishte një nga kushtet për të çelur negociatat, e përshëndesim këtë marrëveshje. Reforma duhet të vijojë më tej.

Eurodeputeti Thierry Mariani: Rama larg politikave të BE-së, Shqipëria epiqendër e influencës turke

Në mbledhjen e Parlamentit Europian këtë të hënë (22 qershor), eurodeputeti Thierry Mariani u shpreh se politikat që po ndjek aktualisht Shqipëria drejt anëtarësimit në BE,  nuk janë të duhurat dhe të njëjta me ato të unionit. Ai thotë se është kundër zgjerimit të BE-së. Mariani: “Ne jemi kundër zgjerimit të BE-së  dhe pyetja tani është për Shqipërinë, përsa i përket instrumentave përpara zgjerimit. Shqipëria është një pikë qendrore e influencës turke në rajon. Dua të përmend 5 mësues në mars në Kosovë të cilët u rrëmbyen dhe u dërguan në Turqi. Inteligjenca Turke kishte edhe partnerë shqiptarë. Ne nuk mendojmë që politikat që kanë zgjedhur këto momente janë të duhura dhe ato të njëjta me BE-në. Duhet të tregohemi më të ndershëm përsa i përket Shqipërisë.

Eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyuchyuk: Aktorët kryesore të politikës të ulen në tavolinë

Janë disa kushte që duhet t’i plotësojnë për t’u bërë pjesë e BE-së. Kemi pasur dy emergjenca kombëtare, koronavirusi dhe tërmeti i nëntorit. Kishte një shfaqje të qartë të BE-së për ta ndihmuar  Shqipërinë për rindërtimin, por edhe pandeminë. Opozita dhe mazhoranca kanë filluar të kenë mosdakortësi mes tyre për Reformën Zgjedhore, është e rëndësishme që aktorët kryesorë të politikës,  të ulen në tavolinë dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për të çuar përpara reformat, reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.

Eurodeputeti austriak, Waitz Thomas: Qeveria duhet të tregojë edhe veprimin e saj në terren ndaj problematikave

Shqipëria po bën më të mirën e mundshme të realizojë këto kushte dhe ky është një sinjal pozitiv për të ardhmen e negociatave. Dua të përmend disa probleme të minoriteteve, nuk ka të bëjë thjesht me aspektet ligjore, por edhe disa aksione, që duhet të ndërmerren në terren. I kam parë afër problematikat, qeveria duhet të tregojë edhe veprimin e saj në terren. Të ulen tensionet nëse ka. Edhe ligji i medies, kishte një lloj boshllëku propozimi që u bë. Mund të ishte kërcënim për lirinë e medies dhe lirinë e të shprehurit. Nuk duhet harruar një gjë për Shqipërinë, nuk është se Shqpëria thjesht do të bëhet pjesë e familjes europiane, edhe ne duhet të shfaqim interesin tonë që ta marrim Shqipërinë në gjirin e BE-së. Është një vend i mrekullueshëm, me një kulturë të jashtëzakonshme, shumë të mirëedukuar, me një popullsi të re. Një vend të cilin unë e mbështes shumë dhe mezi pres që të mirëpres Shqipërinë në BE.

Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler:  Zero tolerancë ndaj blerjes së votave

Po, Shqipëria dhe shqiptarët janë në rrugën e tyre të drejtë drejt BE-së për t’u bërë pjesë e familjes europiane dhe do ta arrijnë këtë pikë, janë në këtë fazë. Këshilli më herët ka listuar 15 kushte që duhet të përmbushen. Është shumë e rëndësishme për Komisionin që të tregojmë se ne e kemi seriozisht dhe këto kushte duhet të përmbushen. Nuk duhet të merret e mirëqenë që procesi ecën, duhet të jemi të qartë se këto kushte duhet të përmbushen. Dua të nënvizoj disa, rasti i vjedhjes së votave në Dibër, rasti i Shijakut. Nuk ka pasur procedime. Pyetja është për Komisionin: A e bëtë të qartë këtë kusht ndaj autoriteteve shqiptare?  Edhe në BE,  i kemi komunikuar çështje të tjera. A e dinë shqiptarët  se çfarë ne kërkojmë me të vërtetë? Dhe reforma në drejtësi ka një rëndësi tejet të veçantë. Është edhe Gjykata Kushtetuese.

 Raportuesja për Shqipërinë dhe eurodeputetja portugeze, Isabele Santos: Reforma në drejtësi është ngadalësuar

Është një vend që ka një polarizim të madh politik. Është Covid 19 në këto çaste. Pati vështirësi dhe nga tërmeti i nëntorit. Ka një zhvillim politik ku palët janë bërë bashkë, është Reforma Zgjedhore dhe kjo duhet përshëndetur. Ajo që kemi si synim kryesor është që duhet të gjenerojmë dialog. Ky dialog duhet të jetë edhe sa i përket çeljes së negociatave. Është i rëndësishëm  roli i ambasadorit të BE-së në Shqipëri për të promovuar dialogun. Reforma në drejtësi është ngadalësuar disi. Kjo edhe për arsye të faktit se kemi një situatë pandemike.Tani po flasim për reformën e gjykatës së Lartë dhe implementimin e masave për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Duhet të ketë një lëvizje të shpejtë si ajo që ishte para pandemisë.

Parlamenti Europian kërkon hetimin e autorëve të dhunës ndaj protestuesve për Teatrin

Në mbledhjen e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Europian, ndër të tjera  u diskutua çështja e shembjes së Teatrit Kombëtar. Përfaqësuesja e Komisionit, Angelina Eichorst u shpreh se i është  kërkuar autoriteteve shqiptare, të hetohen autorët për përdorimin e forcës dhe ushtrimin e dhunës ndaj protestuesve. Ndër të tjera, përfaqësuesja e Komisonit theksoi, se shembja e Teatrit që nuk duhet të ndodhte, nuk duhet të heqë vëmendjen nga sfidat për të çuar përpara ngjarjen tjetër më të rëndësishme të muajit mars, duke iu referuar reformës zgjedhore.

 Eurodeputetja kroate, Željana Zovko: Ku shkojnë fondet nga BE-ja për rindërtimin?

Dua ti rikthehem çështjes së Teatrit Kombëtar që ka krijuar shumë shqetësime në botën e kulturës dhe gjithashtu në medie. Kemi marrë shumë letra nga qytetarë të shqetësuar. Do të doja të dija se çfarë informacioni kanë marrë nga shoqëria civile dhe a ka pasur bisedime përpara se të ndodhte kjo shembje? Cilat janë planet e së ardhmes për ndërtimet në këtë zonë duke marrë parasysh që Shqipëria merr fonde nga BE-ja, ka marrë dhe fonde për rindërtimin nga tërmeti.

Eurodeputeti austriak, Andreas Schieder: Duhet të tejkalohen këto ndarje dhe polarizime të thella të shoqërisë, të cilin e pamë edhe sa i përket shembjes së Tetarit Kombëtar. Edhe reformat duhet të respektohen nga të gjitha palët politike. Ajo që ne duam dhe unë them është se ky vend duhet të sjellë në jetë një lloj të ri politik, atë konsensusit. Një kulturë e re politike e cila do të pranonte edhe mendimin tjetër dhe të disa minoriteteve.

Shembja e Teatrit, Calavera: Duhet ruajtur trashëgimia kulturore në vend

Eurodeputetja  Genoveva Luiz Calavera, e cila njëherësh është edhe kryetare e ONM-së në Shqipëri, u ndal tek çështja e Teatrit Kombëtar, ku theksoi se është me rëndësi të ruhet trashëgimia kulturore. Në diskutim e tij reporteri për Shqipërinë, David Lega, vlerësoi qëndrimin e Presidentit Meta në mbrojtje të Kushtetutës,  ndërsa shtoi se Shqipëria është në rrugën e çeljeve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, por ende priten rezultate konkrete për realizimin e reformave kyçe. “Janë 15 kushte që Shqipëria duhet të plotësojë para vendimit për hapjen e negociatave me BE”,  u shpreh zyrtari europian. Ai u ndal edhe në domosdoshmërinë e ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës.

McAllister fshikullon qeverinë dhe opozitën

David  McAllister, kryetari i Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Europian, i bëri thirrje politikanëve shqiptarë  të bashkohen për të çuar përpara drejt BE-së, vendin. Ai u tregua i ashpër si me qeverinë dhe me opozitën. “Të gjithë forcat politike të lenë mbrapa metodat e buldozerëve dhe të bojkotit dhe të fokusohen në çuarjen përpara të vendit, në rrugën e integrimit europian”, tha ai në senacën plenare të Parlamentit Europian, më 22 qershor. Ai theksoi rëndësinë e arritjes së reformës zgjedhore dhe zbatimi i saj i plotë është një nga kushtet kryesore për arritjen e negociatave. “Hapat e tjerë të rëndësishëm,  përfshijnë funksionim e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese”, shtoi McAllister. McAllister dënon shembjen e Teatrit Kombëtar  dhe metodat e përdoruar për shembjen e tij,  të cilat i cilësoi sot në seancën plenare të Parlamentit Europian. Ai e quajti atë një tjetër goditje  të mundësisë për dialog në vend. “Jemi të shqetësuar për efektin dhe mënyrën e prishjes së Teatrit Kombëtar, me 17 maj, e kritikuar gjërësisht si shkatërrim i një objekti me rëndësi të trashëgimisë evropiane, duke i dhënë një tjetër goditje mundësisë për dialog dhe kompromis”, tha Kryetari i Komitetit të Jashtëm në PE-në.

Eurodeputetët: Rama më i ashpër me gazetarët se sa me trafikantët

Komisioni  Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë  në Parlamentin Europian ka nisur diskutimet posaçërisht për situatën aktuale në Shqipëri. Ky rend dite i pazakontë u lajmërua nga kreu i komisionit, David McAllister. Deri tani, kanë diskutuar  për Shqipërinë,  raporteri David Lega dhe eurodeputeti  Gahler, koordinator i EPP-së për komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Lega është shprehur se, “qeveria tregohet shumë e ashpër me gazetarët dhe shumë e butë  me trafikantët. Derisa ky raport të ndryshojë, Shqipëria nuk mund të hapë negociatat me BE-në”. Eurodeputeti Gahler ka vënë në dukje se, nga Shqipëria nuk ka asnjë informacion se çfarë bëhet me dosjet e shitblerjes së votave, dosjen 184 të Dibrës dhe 339 të bandave të Durrësit me kryebashkiakun Vangjush Dako. Lufta kundër krímit të organizuar dhe hetimi i kujtdo që është përfshirë në shitblerjen e votave janë 2, nga 15 kushtet e BE-së, që Shqipëria duhet të përmbushë  përpara nisjes së konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit.

Eurodeputetët: Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Shqipëria ka ndërmarrë një reformë ambicioze në drejtësi, ka pasur disa vështirësi por vendi është në rrugën e  duhur. Një nga gjërat më të rëndësishme është reforma zgjedhore. Parlamenti Europian i ka kërkuar Shqipërisë përmbushjen e 15 kushteve  para Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Parlamenti shpalli në 19 qershor  rezultatet e votimeve ku rezolutë e PPE-së,  mori më shumë vota se sa u miratua në parim. Nga 665 vota në total, rezoluta kaloi me 532 vota pro, 70 vota kundra dhe 63 abstenime.