PD: Kokëdhima ka urdhëruar spastrimin e administratës në jug

283
Partia Demokratike ka denoncuar sërish spastrimin e administratës dhe zëvendësimin me militantë. Sekretari i përgjithshëm Arben Ristani ka publikuar një dokument, sipas të cilit urdhërohet kalimi në sitë i administratës në jug të vendit. Sipas Ristanit, Kokëdhima u ka shpërndarë të gjitha institucioneve një shkresë, në të cilën kërkohet që të plotësohen formularët për çdo punonjës të administratës. Deputeti thekson për mediat se Partia Demokratike do të përdorë çdo mjet për të mbrojtur administratën dhe nëpunësit duke i ftuar qytetarët që të denoncojnë çdo rast të shkarkimit të padrejtë nga detyra.
Deklarata e plotë
Operacioni i Partisë për spastrime nga puna dhe krijimin e vendeve për militantët ka nisur edhe në Jug, nën drejtimin e komisarit Kokëdhima. Pasi mori gjithë zonën e Jugut nën zotërim me dekret të posaçëm nga Edi Rama, puna e parë e Koços ka qënë kalimi në sitë i administratës, identifikimi i çdokujt që mund të ketë biografi jo të mirë. Ja ku është shkresa që zyra e Kokëdhimës ka shpërndarë për gjithë institucionet, ku i kërkohet me urgjencë të plotësohen formularët për çdo punonjës të administratës. Plani i partisë ka nisur të zbatohet, dhe një furtunë shkarkimesh priten në gjithë zonën që ka nën komandë Kokëdhima. “Konsiderojeni prioritet”, thotë urdhëri i Kocos, dhe për ata që kanë deri në 20 punonjës u jep afat 1 ditë, për ata që kanë nga 20 deri në 50 punonjës u jep afat 2 ditë, për ata që kanë 50 deri në 100 punonjës u jep 3 ditë, dhe 5 ditë kohë kanë ata që kanë mbi 100 punonjës. Ky është një akt skandaloz i shkatërrimit të administratës, i konsiderimit të institucioneve publike si pronë e partisë. Eshtë një kthim mbrapa dhe minim i një prej prioriteteve kyçe në rrugën e integrimit europian. Aq më tepër kur i gjithë Jugu i besohet një personi si Koço, e kritereve të tij, një deputet i spikatur në emërimet kriminale që ka bërë deri tani, një frymëzues i mbjelljes së hashashit, një shkelës i përsëritur i ligjit dhe i Kushtetutës. Ne i kërkojmë Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin për këtë shkelje të rëndë dhe të informojë opinionin publik mbi ecurinë e procesit. Partia Demokratike do të vërë në dijeni partnerët ndërkombëtarë, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe ambasadat e vendeve të Bashkimit Europian për këtë akt skandaloz të shkatërrimit të administratës.