Vrasja për borxhin 250 mijë euro, burg për 3 të arrestuarit

408
Gjykata e Kurbinit ka dhënë masën “arrest në burg” për tre personat e arrestuar, për konfliktin me armë të ndodhur katër ditë më parë në qytetin e Mamurrasit, ku një person mbeti i vrarë dhe 4 të tjerë u plagosën. I pari që është njohur me masën e sigurisë ishte 28-vjeçari Enrik Mamli. Nën masa të rrepta sigurie, ai ka mbërritur në Gjykatën e Laçit me një automjet të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Enrik Mamlit gjatë momentit të shoqërimit i është vendosur edhe një maskë në kokë për qëllime sigurie.
Motivi i krimit
Kushërinjtë Mamli janë nga Zheja, afër me Mamurrasin dhe prej vitesh disa anëtarë të këtyre familjeve mendohet se kanë krijuar “perandorinë” e tyre të prostitucionit. Burimet e policisë thanë se Dorian dhe Enrik Mamli, bashkë me Naim Tafën kontrollonin disa bulevarde në Milano, ku përveç prostitutave të tyre, taksonin edhe ato të të tjerëve. Por me ç’duket, ngjarjet marrin rrjedhën e padëshiruar dhe grupi nis të përçahet. Naim Tafën e arreston policia italiane. Policia e Kurbinit tha zyrtarisht se Naim Tafa ka qenë i dënuar në Itali për vjedhje dhe ka dalë nga burgu më datë 8 shtator 2015, ku është kthyer në Rinas si i deportuar, me masë 10 vjet, të mos qarkullojë në hapësirën Shengen. Enrik Mamli i kishte mbetur borxh 250 mijë euro, nga xhiroja e përbashkët e prostitucionit, para se grupi të përçahej. Që nga burgu, Naim Tafa tentoi disa herë të merrte paratë, duke i çuar lajm Enrik Mamlit, por me ç’duket ai nuk pranonte t’ia kthente. Për të negociuar me Enrikun ai kishte “mandatuar” Dorianin, ndaj në dukje dje ishin vetëm këta dy personazhe dhe emri i Tafës u përmend vetëm si viktimë. Por vetë fakti se nga një breshëri kallashnikovi, viktima e vetme ishte Naim Tafa, tregon për shënjestrim të tij nga Enrik Mamli, duke e eliminuar kështu përgjithmonë njeriun që i “ishte qepur keq”.
Sigal