Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ka akuzuar ashpër qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për përdorimin e procesit të integrimit europian si një kartë propagandistike, ndërkohë që realiteti në vend është i kundërt me standardet e Bashkimit Europian.
Në një deklaratë për mediat, Haxhiu tha se reformat që kërkohen për anëtarësim të Shqipërisë në BE nuk janë zbatuar me seriozitet dhe se qeveria ka instaluar një autokraci të centralizuar, ku drejtësia dhe institucionet janë të kapura. Ajo përmendi raportet ndërkombëtare që tregojnë korrupsion galopant, presion mbi median dhe probleme serioze në pavarësinë e gjyqësorit.
PL kritikoi edhe veprimet e SPAK, që përdoren selektivisht për të goditur opozitën, ndërsa zyrtarët e lartë të pushtetit nuk preken. Arrestimi i Ilir Metës, sipas saj, është një shembull i qartë i përndjekjes politike.
Sipas saj, zgjedhjet e fundit janë dëshmi e “masakrës zgjedhore”, me pamje filmike që tregojnë manipulime në Fier dhe përdorimin e patronazhistëve për të kontrolluar rezultatin.
“Bashkimi Europian nuk mund të pranojë liderë që manipulojnë votën dhe shtypin vullnetin e popullit,” tha Haxhiu, duke theksuar se integrimi nuk mund të arrihet pa zgjedhje të lira dhe institucione të pavarura.
Haxhiu:
Integrimi europian është përdorur nga Rilindja si kartë legjitimiteti ndërkombëtar dhe si imazh politik brenda vendit . Por në fakt, realiteti tregon se kjo qeveri nuk ndërmerr reformat të cilat janë thelbësore për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nëse këto reforma do të zbatoheshin, do të dobësonin kapjen e të gjitha pushteteve nga Narkoqeveria. Integrimi europian për Rilindjen është slogan politik dhe imazh, jo një përkushtim për t’i përmbushur standardet e tij.
Rilindja e përdor pasaportën europiane për imazh ndërkombëtar, ndërsa brenda vendit ka instaluar një autokraci të centralizuar, ku institucionet janë të kapura dhe drejtësia është instrument në duart e qeverisë.
Raportet e Komisionit Europian dhe të Transparency International flasin qartë: korrupsioni mbetet galopant, pavarësia e gjyqësorit e cënuar, media nën presion, zgjedhjet të shoqëruara nga blerja e votës dhe administrata përdoret për qëllime politike.
Hetimet e SPAK, të përdorura selektivisht, tregojnë se drejtësia godet më fort opozitën dhe kritikët, ndërsa figurat kryesore të pushtetit preken vetëm ne mënyrë sipërfaqësore. Mbajtja në arrest me burg e Presidentit Ilir Meta , kryetar i partisë së dytë opozitare në vend ,pa asnje fakt penal, është provë e qartë e kapjes së drejtësisë nga Edi Rama. Ai synon persekutimin politik të drejtuesve të opozitës , për të larguar vëmendjen nga korrupsioni, varfëria dhe shpopullimi masiv që e ka kapluar Shqipërinë.
Reforma të rëndësishme që BE ka kërkuar, si garantimi i pavarësisë së gjykatave, ndarja e qartë e pushteteve dhe lufta reale kundër korrupsionit të nivelit të lartë , janë zvarritur dhe janë deformuar për t’i shërbyer interesave të një kaste politike.
Në vend të ndërtimit të institucioneve të forta, Rama ka përqendruar energjitë në projekte klienteliste, koncesione të dyshimta dhe leje ndërtimi që favorizojnë oligarkët. Kjo është në kontrast të plotë me standardet e BE-së për transparencë dhe konkurrencë të lirë.
Integrimi europian, nën këtë qeveri, është kthyer në një kartë propagande për të fituar mbështetje ndërkombëtare dhe për të mbajtur shpresën e qytetarëve peng, ndërsa realiteti është kapja totale e shtetit.
Nëse Kryeministri Edi Rama do të kishte një vullnet të vërtetë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, hapi i parë do të ishte garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Por faktet e pakundërshtueshme, të dokumentuara tashmë nga opozita dhe të konfirmuara nga pamje filmike, tregojnë të kundërtën: Shqipëria ka përjetuar një masakër zgjedhore.
Në qendrat e votimit në Fier pamjet filmike flasin vetë. Në kutitë e votimit nuk kanë votuar qytetarët e lirë, por patronazhistët e regjimit, të organizuar dhe të udhëzuar për të manipuluar rezultatin. Ky nuk është vetëm një shkelje e ligjit, por një atentat ndaj vetë demokracisë.
Zgjedhjet e manipuluara, presioni mbi administratën publike, blerja e votës dhe përdorimi i patronazhimit politik janë mekanizmat me të cilët Rilindja ka betonuar pushtetin, duke e kthyer procesin zgjedhor në një farsë të kontrolluar.
Bashkimi Europian nuk pranon në gjirin e tij liderë që manipulojnë votën dhe shtypin vullnetin e popullit. Çdo premtim për integrim është bosh, nëse në themel nuk garantohen standardet bazë të demokracisë.
Narkoqeveria përdor flamurin e BE-së si dekor politik dhe si mburojë nga kritikat ndërkombëtare, ndërsa në terren shkatërron themelet e shtetit ligjor. Ky është kontrasti i madh që qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë europianë duhet ta shohin në sy: nuk ka integrim europian me zgjedhje të vjedhura.



















