Tirana gati afrimin e një braziliani mesfushor, ka probleme me Metën

 

Përgatitjet e skuadrës së Tiranës në Greqi në fazën përgatitore para nisjes së sezonit të ri, nuk e kanë ndalur stafin drejtues të klubit që njëherësh të jetë aktiv në merkato, ku Tirana ka pësuar ndryshime të shumta në këtë merkato vere. Pas largimeve, bardheblutë kanë bërë afrime të shumta dhe nuk kanë ndërmend të ndalen. Më së fundi, në lajmet e merkatos thuhet se Tirana është pranë transferimit të një mesfushori brazilian, Eliton Júnior. Ai është lojtar i lirë, pasi ka mbyllur kontratën me skuadrën e Amazona në vëndlindjen e tij. Në sezonin e kaluar, 27-vjeçari ishte pjesë e gjeorgjianëve të Torpedo Kutaisi dhe kundërshtar i Tiranës në Europë. Ndërkohë, problemi kryesor i Tiranës mbetet një çështje, ajo e Ermal Metës. Për këtë lojtar, bardheblutë duhet të paguajnë rreth 40 milionë lekë të vjetra ndaj një akademie private në Elbasan. Dy sezone më parë ai erdhi te Tirana, duke qenë një nga talentet më të mirë të moshës së tij. Në sezonin e kaluar ky problem sikur u zgjidh me marrëveshje mes dy klubeve, Tiranës dhe akademisë nga Elbasani.

NOA