Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi: Ja shpifjet e deputetes Ilda Dhori

1521
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Jepni llogari për abuzimet e familjes tuaj me pronat

Të dashur qytetarë të Bashkisë Divjakë! Dua t’i kthej një përgjigje deputetes sonë, Ilda Dhori, në lidhje me shpifjet që e karakterizojnë këtë familje politike dhe që nuk di të bëjë gjë tjetër më të mirë për komunitetin. Sa shpejt që u përshtate me ligësinë e PD-së, moj vajzë, apo je e tillë? Unë drejtoj bashkinë prej 10 vjetësh dhe i votuar 6 herë radhazi si fitues, e kurrë nuk kam parë interesin tim, apo saraje, siç i quan ti. E kuptoj shumë mirë pse je hidhëruar kaq shumë, sepse të janë cenuar interesat personale.

Policia ju ka bllokuar në lidhje me një pronë, që ndodhet në zonën e kodrës, në të cilën ju po bëni punime pa leje, duke prishur strukturën e tokës dhe me rrezik për të shkaktuar erozion. Nga kjo rrezikohet shembja e shtëpive që janë pranë dhe për mua interesi më i madh janë familjarët dhe jo interesat tuaja të ngushta. Ti si një ligjvënëse, duhet të mbrosh interesat e komunitetit, dhe jo ti shembësh shtëpinë. Në lidhje me financimin nga AZHBR-ja, unë nuk kam fshehur asgjë. Kam një biznes të ligjshëm dhe “Kantina Kokoneshi” është e fundit nga kantinat në të gjithë Shqipërinë në përmirësimin e teknologjisë së prodhimit të verës. Ty të të vij turp, kur shpif se po bëhen me punonjës, që punojnë në ndërtimin e bashkisë.

Objekti, që po ndërtohet, nuk është i fshehtë, por është me leje ndërtimi dhe është paguar çdo qindarkë nga detyrimet në shtet, gjë e cila mund të verifikohet shumë lehtë. Përfituesi i pasurive të Divjakës në kohën e PD-së, është familja juaj, e cila zotëron: pallat në plazhin e Divjakës, privatizuar në mënyrë të paligjshme; ka ndërtuar një objekt pa leje po në plazhin e Divjakës dhe toka prej 1.5 ha, ku ju jeni duke investuar në zonën e kodrës. Të gjitha këto, mos vallë ju bëjnë që t’ju thërrasin hajdutë!? Pra, kush ka më shumë saraje? Unë zotëroj vetëm shtëpinë e ndërtuar që në vitin 1996 dhe mjaft fole për saraje. Me sa duket e paske në majë të gjuhës këtë fjalë, sepse ju paskërkëshit plot të tilla!? Prandaj, moj vajzë, mendoj se po nxitohesh dhe po flet përçart. Bashkë, do të përballemi në gjykatë, për shpifjet e tua.