Parid Cara/ “Qeveria ta shohë misionin si detyrë shërbimi dhe jo si pronë private”

476
Sigal

Deputeti i rrethit të Kavajës, Parid Cara, në intervistën për “Telegraf”, flet për herë të parë, përse la emigracionin dhe pranoi ftesën e Ramës për t’u bërë deputet, cila është ambicia e tij. Zoti Cara bën edhe ballafaqimin e kulturës demokratike të politikëbërjes në vendin, ku emigroi dhe këtu në Shqipëri, duke shprehur bindjen, se një klimë e re politike, me orientim euro-perëndimor krijohet edhe te ne.

– Zoti Cara, që të bëheni politikanë, ka qenë ambicia juaj qysh herët?

– Ambicia për të qenë një politikan nuk ka qenë ndonjëherë tipar i personalitetit tim, por do isha i pasinqertë me ju nëse nuk do t’ju thoja se gjithmonë ka qenë një dëshirë e brendshme për t’u marrë me politikë. Zgjodha të merrem me politikë duke i parashtruar vetes një sfidë jo të lehtë. Të bëj për 4 vjet në rrethin e Kavajës atë që politika e vjetër nuk e bëri për 20 vjet dhe kjo mund të them që është sot ambicia ime reale.

– Cila ishte arsyeja që ju bindi juve që të merreni me politikë, kur ndërkohë, njerëzit tashmë politikanëve ju besojnë gjithnjë e më pak.

– Unë zgjodha të merrem me politikë që të jap kontributin tim që qytetarët të mos e shohin politikën dhe politikanin si një njeri të paprekshëm, që qëndron larg qytetarit, por si një njeri, i cili jeton me hallet dhe problemet e elektoratit të tij. Jo pa qëllim kam hapur dhe zyrën e pritjes në Kavajë, ku çdo të premte takoj qytetarët, të cilët kanë jo të pakta i kanë problematikat që paraqesin. Unë jam i bindur se duke qëndruar pranë njerëzve që me votën e tyre kanë shprehur besimin te ty, atëherë njeriu që merret me politikë ka gjithë gjasat e mundshme të jetë një njeri tek i cili besohet.

Ju ku e shikoni në mentalitet dhe psikologji ndryshimin e politikëbërjes në Shqiperi me politikëbërjen  në vendin europian, ku jetuat për një kohë të gjatë?

– Ashtu siç edhe dihet, Italia është një vend, ku ka shpesh zgjedhje të parakohshme, ka skandale të ish-kryeministrave, ka debate të forta në dhomat e Parlamentit, por ajo çka është evidente është konsensusi që politika shpesh bën për interesat e vendit. Kultura e rotacionit duke uruar kundërshtarin, duke pranuar humbjen janë elementë tashmë normale të politikëbërjes, të cilat filluan të shfaqen edhe në politikën shqiptare gjatë përfundimit të procesit të numërimit. Unë mendoj se, rotacioni i zgjedhjeve të 23 Qershorit dhe nxjerrja në opozitë e Sali Berishës si model i vjetër politikani do ndryshojë politikëbërjen në Shqipëri, do t’i japë dimensione më paqësore dhe do na bëjë ne të kuptojmë se mbi karrigen e gjithsecilit qëndron Shqipëria.

Atëherë ju si e gjykoni, a mundet që politikëbërja në Shqipëri të kapërcejë vetveten dhe të afrohet në standardet e politikëbërjes së vendeve demokratike perëndimore.

– Unë mendoj se ndryshimi i modeleve politike ndryshon dhe emancipon klasën politike. Para disa muaj kishim në krye të qeverisë një njeri që të terrorizonte kur deklaronte se do rri dhe 30 vjet Kryeministër, ndërkohë që, sot kemi një njeri që thotë detyra është e imja pushteti është i popullit. Modeli i dytë është modeli, i cili i jep vendit dhe politikës mundësinë e kalimit të pragjeve të vetvetes çka do na çojë ne më afër standardeve normale të politikëbërjes.   Parlamenti është vendi, ku zhvillohet politika dhe nuk është vështirë të kuptosh se Ilir Meta është një Kryetar Parlamenti që e drejton më mirë se Jozefina Topalli seancën. Edhe këtu kemi dy modele, modelin e njërit që përpiqet të ulë tonet me modelin e njeriut që propozonte nxjerrjen për zhelesh përjashta.

Gjithsesi, duke parë atë konflikt shterpë të ditëve të para të Kuvendit të ri, ku forcave politike ju mungon dëshira  dhe vullneti të mirëkuptohen, sa besim duhet të kemi se do të ndryshojë kursi në politikëbërje?

–  Siç e patë dhe vetë në seancë sërish modelet e vjetra Berisha/Topalli u ngritën nga karriget duke i bërë thirrje grupit demokrat të bojkotojë séancë pa marrë minimalisht miratimin e kryetarit të grupit parlamentar. Në një situatë, ku Topalli nuk pyet për kryetarin e grupit parlamentar  dhe Berisha nuk pyet per kryetarin e zgjedhur të partisë atëherë kemi në opozitë një parti pa identitet çka do krijojë gjithmonë skenarë të tillë. Megjithatë ajo që ka rëndësi në këto moment është ndryshimi i modelit të qeverisjes sepse prek drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarit. Kur të funksionojë sërish PD-ja shpresoj se do ketë një qasje më të moderuar në Parlament.

– Kjo maxhorancë e mandatuar nga elektorati më 83 vota, a mund të ketë justfifikim, nëse nuk arrin të plotësojë premtimet që i dha elektoratit?

– Kjo maxhorancë nuk ka ndërmend të qeverisë vendin, duke u justifikuar, por duke punuar. Mjafton që kabineti qeveritar ta shohë detyrën si detyrë shërbimi dhe jo si pronë private, sikurse bëri kundërshtari ynë dhe nuk ka asnjë arsye pse ne mos arrijmë objektivat që i kemi vendosur vetes. Ndryshimet do bëhen evidente që në 100 ditët e para dhe për këtë ju garantoj me bindje.

Zoti Cara, cilat janë prioritetet e elektoratit të Kavajës, që do të përcillni në Kuvend?

– Sigurisht që, në ndryshimin në nivel kombëtar që do përjetojë vendi nga zbatimi i programit qeverisës të PS-së, në fokus do të jetë edhe Kavaja sepse ne, në dallim nga kundërshtari ynë politik kemi zgjedhur të mos e harrojmë këtë vend, por përveç ndryshimeve madhore në fushat e taksave, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe rendit, ajo çka ka rëndësi për mua është edhe krijimi i mikropolitikave të zhvillimit të zonës duke nxitur në bazë të kontakteve të mia personale investimet e huaja në fushën e prodhimit dhe fasoneve. Gjithashtu, së bashku me një korpus të rinjsh të qytetit në do të krijojmë mundësi të promovimit të bregdetit të rrethit tonë si dhe vlerave historike-kulturore që mbart zona. Që në ditët e para të qeverisjes ne kemi filluar kontaktet reale për rikonstruksionin total të qendrës së qytetit, ku vlen të përmendet interesimin që ka shprehur qeveria e shtetit turk për këtë projekt. Vetë Kryeministri turk Erdogan solli në Kavajë disa këshilltarë të kabinetit të tij për të parë sheshin dhe për të filluar konceptimin e projektit të ri. Gjithashtu, unë personalisht nuk do rresht në javët në vijim së trokituri në çdo ministri për t’i krijuar mundësinë Kavajës të ketë një rrjet të ri ujësjellësi si dhe rikonstruksionin total të disa shkollave që kanë nevojë emergjente për ndërhyrje.