Islam Spahiu/ Kush më mirë se Skënder Tufa mund ta drejtojë Institucionin

    459
    Sigal

    Letër një bashkëvuajtësi anonim

    Në Telefonatat e emisionit “Koha për t’u zgjuar” të NEWS24, drejtuar nga Bashkim Hoxha, dëgjuam zërin e shqetësuar të një ish të burgosuri politik, i cili shfaqi frikën se mos caktohej si kryetar i Institutit të Ish Të Përndjekurve politikë z.Skënder Tufa. Pasi deklaroi që kish qenë në burg bashkë me të, tha që bashkëvuajtësi i tij paskësh qenë imoral dhe që ai nuk paskësh as kulturë. U detyruam t’i përgjigjemi këtij zotërie, i cili nuk e dha emrin e tij, për hir të opinionit publik.

    Së pari, pretendimet e tij që bashkëvuajtësi i lartpërmendur paskësh qenë imoral, i përgjigjemi se në kampin e Spaçit ku ka qenë në atë kohë edhe ky që shkruan këto radhë, nuk është dëgjuar kjo gjë. Por dimë gjithashtu që kjo shpifje ka dalë kohët e fundit, kur ky burrë trim u angazhua me monitorimin e grevës së urisë, e cila e tronditi nga  themelet regjimin e korruptuar. Për sa i përket  “kulturës”, personi që e ka drejtuar gjer më sot atë institucion nuk është me superior.  Nëse ka ndonjë diplomë, do të jetë e çuditshme kur dihet që ky ka lindur dhe rritur në internim, ku regjimi i diktaturës nuk ka lejuar të ndiqen shkollat, e aq më pak ato të lartat. Së dyti, Instituti në fjalë nuk është ndonjë institucion shkencor, ku drejtuesit apo punonjësit domosdo duhet të kenë diplomat përkatëse. Ky që është sot, që nga koha që është hapur nuk e ka pasur këtë nevojë. Instituti i të Përndjekurve, nga vetë emërtimi nënkupton misionin e tij: Është një organizëm shoqëror që militon për rehabilitimin e asaj kategorie njerëzish, ndaj të cilëve është bërë shkelje të drejtash të sanksionuara me ligje e konventa ndërkombëtare, si p.sh. Deklarata universale e të drejtave të njeriut–Miratuar  dhe shpallur nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën e saj 217A(III) të 10 Dhjetorit 1948. – Regjimet e ardhura pas shembjes së diktaturës, këtu në vendin tonë, jo vetëm nuk e zbatuan, por iu kundërvunë çdo përpjekjeje për ta realizuar atë. Godina ku është sot Instituti, në fillimet e “pluralizmit” iu dha si pronë, me tapi përkatëse, Shoqatës Kombëtare të ish Përndjekurve Politikë. Mirëpo qeveria e partisë-shtet të PD-së, duke kundërshtuar çdo kërkesë të shoqatës, më në fund e shtetëzoi atë me arbitraritetin e njohur të saj. Kështu, gjer më sot ai “institucion” ka shërbyer si vegël burokratike në duar të pushtetit, ku janë  mbledhur një grup militantësh të cilët, duke menaxhuar fondet e destinuara për ish të përndjekurit në nevojë, i kanë përvetësuar ato, aq sa nuk dimë ende ku kanë shkuar, por dimë që, disa ish të  burgosur, të mbetur rrugëve, kanë vdekur kështu, ca i kemi gjetur në morg, u kemi bërë shërbimet e varrimit pa mundur të marrin ndonjë ndihmë nga ai Institut.

    Zotëria anonim, në se me të vërtetë ka qenë i burgosur ndonjë herë, duhet ta dijë që elementi më i shëndoshë i ish të dënuarve, nuk ka reshtur përpjekjet për të fituar të drejtat, përpjekje që kanë arritur gjer në greva urie, që nga 1994. Të gjitha, partia-shtet, i ka shtypur me dhunë. Kurse greva e fundit e këtij viti, pat fat tjetër. Kundrejt saj u përdor një manovër shumë djallëzore: u përdor cinizmi; një heshtje gjoja mospërfillëse, me justifikimin se gjoja ajo grevë ish përgatitur nga kundërshtarët e tyre, socialistët. Më në fund, siç e dinë të gjithë tashmë, greva arriti në sakrifica sublime, në vetëmohim, me vetëdjegie, si sfidë ndaj regjimit çnjerëzor. Kështu, i vuri flakën vetes heroi ynë, Lirak Bejko duke dhënë jetën, ashtu edhe Gjergj Ndreca  që mbeti i gjymtuar. E, shoku më i afërt i tyre qe Z.Skënder Tufa, ai që nuk i paska pëlqyer bashkëvuajtësit anonim.

    Këtu nuk është rasti t’i bëjmë biografinë z.Skënder. Por mjafton të paraqesim rolin e tij madhor gjatë grevës së urisë. Ai qe monitoruesi i grevës, nuk pati aspak frikë edhe pse disa herë e kanë kanosur me rrezik jete, por konseguent, i paepur, ka shkrirë të gjitha energjitë për çështjen tonë të shenjtë. Ai në krye të një “çete” trimash u doli ballë përballë pushtetarëve të korruptuar, pa iu trembur  syri, atyre që ndonëse kishin fuqinë në dorë, u tmerruan; e jo vetëm kaq: Kjo bëri që u doli boja dhe u diskredituan në sy të opinionit publik, e kjo u kushtoi shtrenjtë. E nuk ka asnjë dyshim që qëndresa e udhëhequr me trimëri nga S.Tufa, qe një nga faktorët kryesorë për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit.

    Duke pasur parasysh për sa thamë, do ta dëshironim të pyesnim bashkëvuajtësin anonim: Kush më mirë se Skënder Tufa mund ta drejtojë Institucionin?