Regjistrimi i pronësisë së tokës në qarkun e Kukësit është bërë shkas për një përplasje midis deputetit të PS, Pandeli Majko dhe kreut të kadastrës Artan Lame.
Majko i është drejtuar me kritika kreut të kadastrës pasi raporti i dërguar për qarkun e Kukësit është tepër i paqartë dhe shumë përgjithësues.
“Ju flisni në terma të përgjithshme, por në thelb unë e përkrah këtë dhe kam vlerësimin tim për punën e Kadastrës, por tjetër problem regjistrim prone ka Tirana, tjetër Kukësi, tjetër Malësia e Madhe… Ne jemi të interesuar që analiza të jetë e ndarë edhe sipas kësaj cilësie. Pra unë jam i interesuar për Kukësin, dhe atje problemi bazë nuk janw shtëpitë pa leje, por njohja e pronësisë së tokës. Ju akoma nuk i keni bërë letrat e regjistrimit, dhe nuk është regjistruar edhe pronësia komunitare, dhe ky është një problem”,- u shpreh Majko.
Më pas përmes batutave e ka kritikuar për çështjen në fjalë kur tha se si mik Lamen e respekton dhe e do, por si Drejtor Kadastre, i vjen “ta rrahë”.
“Për zotin Lame kam një respekt shumë të veçantë, dhe është dhe miku im, dhe si mik e dua fort, por si drejtor të Kadastrës është ajo shprehja që kush të do të rreh, dhe më vjen ta rrah faktikisht, kur shoh dhe vlerësoj nga komunikimet situatën e regjistrimit të pronësisë në qarkun Kukës”,- u shpreh ai.
“Unë e vlerësoj shumë, dhe miqësia jonë nuk vihet në diskutim në këtë drejtim, se mund të ma marrësh dhe për ters, por në Kukës ju keni qenë në janar, nga bashkitë e para që morët dhe u krijua Kadastra, unë dua të di për Kukësin çfarë do bëni zotëri, se te ky raport nuk marr vesh asgjë. I kuptoj vështirësitë zoti Lame, por njerëzit duan të dinë ka ndonjë matricë? Sa duhet të pres? Sepse pa asnjë gjë duket sikur do vdesin dynjaja dhe s’do marrin letrat e pronësisë, ndaj dua mirëkuptimin tuaj edhe pse më parë përmenda fjalën rrahje… për më tepër ju keni bërë operacion dhe nuk ua lejon doktori rrahjen”,- përfundoi fjalën me humor Majko.
Korreshi kërkon llogari: Lushnja s’ekziston në Kadastër
Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi ka kërkuar llogari nga kreu i Kadastrës Artan Lame për regjistrimin e pronave në Lushnje. I pranishëm në Komisionin e Ligjeve, Korreshi tha se shtëpitë e vjetra nuk janë legalizuar dhe as nuk u janë caktuar oborret, që janë për përdorim. Deputeti tha gjithashtu se numri i aplikimeve të bëra online është rritur, por përgjigje nuk u është kthyer.