Paloka: Rama e Tahiri, sulm kriminal drejtësisë

498
“Saimir Tahiri i kapur nga paniku i arrestimit për shkak të krimit që ka kryer, përgjimi i paligjshëm, është hedhur në një sulm të paprecedent ndaj drejtësisë. Ai sulmoi ashpër sot gjykatësin që miratoi kërkesën e prokurorisë për pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sulmoi dhe organin e akuzës”. Kjo është deklarata e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, pasi Tahiri u shpreh sot se “gjyqtari që pezulloi Çakon ka liruar vrasësin nga burgu”.
“Vreri i Tahirit vjen pikërisht në kohën që prokuroria është duke kryer verifikimin e rolit të tij në krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm. Me këtë sulm vandal e mafioz ndaj drejtësisë, Tahiri kërkon të shantazhojë Gjykatën e Apelit, për të shpëtuar Çakon e tij. Nëse Çako nuk shpëton, Çako pastaj do të flasë dhe do të marrë me vete edhe Tahirin. Ky presion kriminal ndaj Gjykatës së Apelit tregon edhe një herë përse ata nuk e duan drejtësinë sipas Venecias, por e duan të kapur”, tha Paloka.
“Rama dhe Tahiri kanë dalë zbuluar në sytë e gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke dëshmuar se cila është drejtësia, prokuroria dhe gjykata që ata duan. Ata nuk duan drejtësi sipas standardeve europiane, por duan prokurorë e gjyqtarë që urdhërohen prej tyre, duan prokurorë e gjyqtarë që të mos hetojnë krimet e tyre. Partia Demokratike i dënon këto sulme të Edi Ramës e Tahirit të tij ndaj drejtësisë dhe ne inkurajojmë prokurorinë e gjykatat të bëjnë punën e tyre të pandikuar nga presionet mafioze. Ne i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera euroatlantike, në Tiranë, të dënojnë sulmin e hapur të Edi Ramës kundër hetimit të këtij krimi të rëndë të sigurisë kombëtare dhe i kërkojmë të shprehen e të prononcohen në favor të hetimit të pavarur, të pandikuar politikisht, në favor të hetimit të plotë të kësaj afere skandaloze”, shtoi Paloka.
Sigal