Pakti i refugjatëve i paligjshëm

53
Sigal

Krahu i djathtë i Papës deklarohet kundër marrëveshjes Rama-Meloni. Eduard Halimi: 5 papërputhshmëri juridike rreth marrëveshjes me Italinë. Ja reagimet e politike për ardhjen e afrikanëve

Eduard Halimi
Ish-ministër i Drejtësisë dhe ish-Avokat i Shtetit

  1. Marrëveshja nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen “J.A. dhe të tjerët kundër Italisë”, me nr. aplikimi 21329/18, datë 30.06.2023 (final)
  2. Marrëveshja nuk është në përputhje me nenin 5, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi emigrantëve, të cilët vendosen në këto kampe, u hiqet LIRIA në mënyrë KOLEKTIVE me vendim qeveritare pa mundësi ankimi gjyqësor!
  3. Marrëveshja nuk është në përputhje me nenin 4, të Protokollit 4, të KEDNJ-së që parashikon ndalimin e dëbimeve/largimeve KOLEKTIVE, si për 3 mijë apo 36 mijë.
  4. Marrëveshja shkel rëndë gërmën “a”, të pikës 121, të Kushtetutës sepse çdo marrëveshje ndërkombëtare që lidhet nga Republika e Shqipërisë dhe që ka lidhje me dhënien e territoreve apo juridiksioneve, duhet të bëhet VETËM me ligj.
  5. Edhe sikur të mos ekzistonte detyrimi i mësipërm, marrëveshja ndërmjet dy qeverive shkel pikën 3, të nenit 121, të Kushtetuës sepse Kryeministri nuk rezulton të këtë njoftuar Kuvendin për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje

Diaspora për Shqipërinë e Lirë: Një shtet eksportues emigrantësh, nuk mund të jetë importues i tyre

Jemi dëshmitarë se përgjatë dekadës së fundit të qeverisur nga Partia autoritare në pushtet, largimi i qytetarëve nga Shqipëria ka marrë përmasa përtej trendit normal çka i ngjason një eksodi masiv. Për këto arsye një shtet eksportues nuk mund të jetë importues i tyre

Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka reaguar mbi marrëveshjen e fshehtë mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri. Mërgata shqiptare nuk e mbështet retorikën përçarëse deri në një pikë diskriminuese ndaj emigrantëve për shkak të prejardhjes së tyre por megjithatë marrëveshja Rama –Meloni përfaqëson thjesht një Lampeduza apo Guantanamo në kurriz të banorëve të zonës dhe kombit në terësi. Në reagimin e Diasporës për Shqipërinë e Lirë ndër të tjera thuhet: “Borxhet politike nuk shlyhen në kurriz të shtetformimit dhe popullatës vendore.  Që nga rënia e sistemit komunist, emigracioni është një realitet i pranishëm për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Në këtë kontekst, shqiptarët jashtë Shqipërisë, veçanërisht brezi që u detyrua për shumë arsye të largohet nga vendlindja nëpërmjet ambasadave, gomoneve apo në këmbë nëpërmjet malit, i njeh shumë mirë sfidat e të qënurit rrefugjat, emigrant apo azilkërkues si dhe kalvaret që i ka shoqëruar ata në vendet ku standartet minimale të trajtimit të të huajve nuk ekzistonin dhe sot kur në një pjesë të vendeve të Bashkimit Evropian nuk ka ende politika të mirëfillta integruese dhe fenomeni i racizmit dhe ksenofobisë janë në rend të ditës. Qoftë në nivel personal apo dhe atë profesional, të gjithë në mërgatë jemi përballur me diskriminimin dhe racizmin si fenomen. Në këtë kontekst, mërgata shqiptare nuk e mbështet retorikën përçarëse deri në një pikë diskriminuese ndaj emigrantëve për shkak të prejardhjes së tyre. Diferencimi i emigrantëve në “ne” dhe “ata” është diskriminues dhe i pabazuar në fakte. Çdo njeri që largohet nga lufta, skamja, persekutimi dhe represioni duhet të trajtohet me dinjitet, pavarësisht prejardhjes dhe ngjyrës së lëkurës. Në pikëpamjen morale kemi një detyrim si vetë emigrantë të mbështesim të drejtën e çdo emigranti dhe refugjati që kërkon strehim dhe mbrojtje nga persekutimi në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, marrëveshja Rama-Meloni, nuk ka të bëjë me emigrantë dhe azikërkues të cilët synojnë Shqipërinë si destinacion final apo me ndonjë iniciativë humanitare. Zhvendosja e azilkërkuesve në territorin shqiptar si plaçkë dhe qokë politike në kundërshtim me të gjitha të marrëveshjet ndërkombëtare, pa asnjë konsultim me aktorët ndërkombëtarë për emigracionin përfaqësojnë thjesht një Lampeduza apo Guantanamo në kurriz të banorëve të zonës dhe kombit në terësi. Njëkohësisht të gjithë jemi dëshmitarë se përgjatë dekadës së fundit të qeverisur nga Partia autoritare në pushtet, largimi i qytetarëve nga Shqipëria ka marrë përmasa përtej trendit normal çka i ngjason një eksodi masiv. Për këto arsye një shtet eksportues nuk mund të jetë importues i tyre!

Marrëveshja Rama-Meloni mirëpritet me protestë në Shëngjin, protestuesit: Anti-kombëtare!

Aktivistë dhe qytetarë kanë protestuar të mërkurën në qytetin e Shëngjinit. Ata protestuan kundër marrëveshjes së firmosur nga kryeministri Edi Rama me kryeministren italiane Giorgia Meloni për strehimin e refugjatëve në vendin tonë. Përmes protestës së tyre ata thanë se Rama duhet të tërhiqet nga kjo marrëveshje ndërsa u bënë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj proteste. “Kthimi i Shëngjinit në Lampeduzën shqiptare nuk do të ndodhi kurrë! Rama të tërhiqet nga kjo marrëveshje. Ata duhet të dinë që më pas do të vi e keqja, kur të filloj trajtimi i tyre. Paraqet një rrezik shumë të madhe kjo marrëveshje. Qytetarët të vinë e të protestojnë kundër kësaj marrëveshje pasi është tërësisht anti-kombëtare. Nuk do ta realizojmë. Kjo është një akti i rëndë. Ne nuk do ta lejojmë me çdo kusht”. – tha një nga protestuesit. Reagime të shumta kanë nisur në Shqipëri për këtë marrëveshje. Sot, një tjetër protestë është paralajmëruar në vend ku në orën 16:00 është njoftuar një protestë përpara kryeministrisë.

Krahu i djathtë i Papës deklarohet kundër marrëveshjes Rama-Meloni

Marrëveshja që qeveria italiane nënshkroi me Tiranën këtë javë për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Shqipëri është një pranim i pamundësisë për t’i pritur ato, tha të mërkurën Presidenti i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë dhe kryepeshkopi i Bolonjës, kardinali Matteo Zuppi. “Kam lexuar për këtë, duhet të presim dhe të shohim, në vetvete është një pranim i paaftësisë sepse nuk është e kuptueshme pse pritja nuk duhet të organizohet më mirë, për këtë nuk mund të ketë dyshim,” tha Zuppi për ANSA.  “Duket se ka diskutime edhe brenda mazhorancës, ajo që sigurisht është e rëndësishme është që të kemi një sistem pritjeje që të sigurojë siguri për të gjithë, si për ata që priten, ashtu edhe për ata që marrin”, shtoi ai. Sipas marrëveshjes që Meloni nënshkroi të hënën në Romë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, emigrantët e shpëtuar në det nga autoritetet italiane do të dërgoheshin në Shqipëri. Ai nuk do të zbatohet as për migrantët e kapur nga anijet e kërkim-shpëtimit të drejtuara nga OJQ-të, për ata që zbarkojnë në Itali ose për të miturit, gratë shtatzëna dhe njerëzit e cenueshëm. Në portin veriperëndimor shqiptar të Shëngjinit, thotë marrëveshja, Italia do të trajtojë procedurat e zbarkimit dhe identifikimit dhe do të krijojë një qendër pritjeje dhe kontrolli të parë. Në Gjadër, gjithashtu në Shqipërinë veriperëndimore, do të ngrejë një qendër tjetër për azilkërkuesit nga të ashtuquajturat vende të sigurta të origjinës përgjatë vijave të qendrës në portin sicilian të Pozzallo, ku njerëzit mbahen për kohën e nevojshme për të kryer procedurat e përshpejtuara të përcaktimit të azilit.

Agron Shehaj për median italiane: Kujdes! Rama nuk është ashtu siç shitet në Perëndim

“Ai që ju në Perëndim e shihni si një kryeministër të ndriçuar dhe perëndimor, këtu në Shqipëri sillet si një despot i vogël ballkanik”. Kështu tha për median italiane “Il Foglio” deputeti Agron Shehaj. Sipas tij marrëveshja ndërmjet kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministres italiane, Xhorxhia Meloni, për ta lejuar Italinë të ndërtojë në territorin shqiptar të paktën 2 qendra për menaxhimin e emigrantëve të paligjshëm është “teknikisht shumë e vështirë për t’u zbatuar”. “ “Është themelore çështja e juridiksionit mbi territorin, sepse Kushtetuta garanton integritetin territorial të vendit. Si mund të hiqet dorë nga sovraniteti, qoftë edhe i një pjesë të territorit?”. Opozita paraqiti një kërkesë në parlament për një interpelancë urgjente me kryeministrin mbi këtë marrëveshje, ndërsa ka paralajmëruar do ta padisë atë në Gjykatën Kushtetuese. Por për Shehajn, problemi ka të bëjë me situatën aktuale që dominon në vend. “Këtu Edi Rama mund të bëjë çfarë të dojë. Gjykata Kushtetuese, e sapo rikrijuar pas reformës së fundit të sistemit të drejtesisë, i është nënshkruar nevojave dhe kërkesave të Qeverisë- thotë deputeti. Por jo vetëm kaq:“Ashtu si shumë çështje të tjera, edhe kjo marrëveshje është arritur në  mungesë totale të transparencës. Opinioni publik në Shqipëri, që gjithashtu ka një ndjenjë të fortë mirënjohjeje ndaj Italisë, mësoi vetëm nga media mbi këtë marrëveshje”- deklaron deputeti. Sipas Shehajt Edi Rama ka një strategji të qartë për ta shitur veten jashtë vendit “si një kryeministër modern, i moderuar, që është i gatshëm të bashkëpunojë për zgjidhjen e problemeve të shteteve të tjera”. “Pak e shumë siç sillej Gadafi me naftën libiane, Rama e bën këtë me çështjen e emigrantëve”- tha ndër të tjera Shehaj

Berisha: Nuk mund ta pranojmë paktin Rama-Meloni, shkel hapur Kushtetutën

Ish-kryeministri Sai Berisha, ka reaguar sërish, këtë të mërkurë, në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane në lidhje me çështjen e emigrantëve. Gjatë një konference me gazetarët nga ambientet e selisë blu, Berisha tha se pakti Rama-Meloni nuk mund të pranohet nga opozita pasi është në shkelje të hapur të Kushtetutës. Ish-kryeministri theksoi se marrëveshja nxit një valë ksenofobie dhe bie ndesh me Kushtetutën pasi shkel të drejtat dhe liritë e njeriut. “Për PD-në, marrëveshja surprizë, e firmosur në Romë nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama, pas një përgatitje sekrete, është e dëmshme dhe e papranueshme për arsyet që vijojnë.

– Marrëveshja nxit një valë ksenofobie dhe kjo dëmton rëndë moralin dhe virtytin e mikpritjes të kombit shqiptar.

-Marrëveshja bie në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut për të drejtat e Njeriut. Shqipëria ka historinë e saj të shkuar të zezë diktatoriale në raport me të drejtat e njeriut.

Por, Shqipëria sot në narkoregjimin e Edi Ramës, është vendi i përqendrimit të mbi 90 përqind të pushtetit në duart e një njeriu, është vendi i mohimit të hapur i të drejtave kushtuese të qytetarëve dhe deputetëve të saj, është vendi i proceseve dhe burgosjeve politike. PD deklaron se narkoregjimi i Edi Ramës nuk mund të garantojë respektimin më minimal të të rejtave të refugjatëve. Dëshmi e kësaj është trajtimi çnjerëzor me pasoja vdekje i refugjatëve iranianë në kampin e Manzës disa muaj më parë nga policia shqiptare. Kështu që ngritja e kampeve të refugjatëve në territorin e Shqipërisë rrezikon të amplifikojë në mënyrë katastrofale, trafiqet kriminale njerëzore, tregtinë e skllevërve, tashmë problematike në vendin tonë.” – tha ndër të tjera Berisha

Vasili: Rama të merret në ndjekje penale, fali territorin e Shqipërisë.

Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili reagoi ashpër të mërkurën, ndërsa kërkoi që kryeministri të merret në ndjekje penale për marrëveshjen e firmosur me Italinë. “Rama të merret urgjent në ndjekje penale, fali territorin e Shqipërisë për emigrantët e paligjshëm! Firma e Edi Ramës, që i jep territorin Italisë për dhjetra mijra emigrantë të paligjshëm është një faj penal ekstremalisht shumë e rëndë! Drejtësia nuk ka asnjë të drejtë që të vazhdojë të bëj gjoja “budallain e dobishëm”. Drejtësia duhet të fillojë urgjentisht çështjen penale ndaj shtetasit Edi Rama, që ka konsumuar fajin e dhënies së territorit të Republikës së Shqipërisë në administrim të një shteti tjetër. Drejtësia nuk mund të bëhet bashkë-tradhëtare dhe të vetasgjësohet. Çfarë pret drejtësia që të fillojë kryesisht çështjen penale kur të gjithë faktet dhe marrëveshja është bërë publike edhe në mediat shqiptare. Çfarë pret drejtësia kur Bashkimi Evropian ka rezerva të forta për ligjshmërinë e saj dhe ku Amnesty International ka argumentuar qartë paligjshmërinë edhe shqetësimin e madh për këtë marrëveshje. Shkeljet e tmerrshme të Kushtetutës dhe Kodit Penal janë shumë të qarta, firma e Edi Ramës është në marrëveshje. Si mundet të humbas SPAK qoftë edhe minutë më shumë për të goditur me të gjithë fuqinë e ligjit këtë paligjshmëri flagrante. Boll më me këtë drejtësi bisht të qeverisë dhe bunker i pandëshkueshmërisë së saj. Boll më me këtë drejtësi, që mbyll sytë përpara konsumimit të veprave penale nga kryeministri, që kulmoi deri me dhënien e territorit të Republikës së Shqipërisë një shteti të huaj. Boll më me këtë drejtësi, që mbyll sytë përpara firmave fap, fap, fap të Edi Ramës, që kanë shkaktuar dëm ekonomik me miliarda euro  dhe që kulmojnë me faljen edhe të territorit të Shqipërisë. Kjo drejtësi po hyn në konflikt shumë të egër me zbatimin e ligjit dhe po vendoset hapur kundër interesit kombëtar dhe atij publik, pra qartazi kundër qytetarëve. Edi Rama duhet të merret i pandehur urgjent dhe drejtësia nuk mund të bishtnoj më.” – tha Vasili.