Paketa “AntiKÇK”, PD: Nisma do dështojë, sepse në krye të qeverisë është ortaku i krimit të organizuar Rama

430
Sigal

Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj ligjit “AntiKÇK” të prezantuar nga qeveria “Rama”. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, deklaroi se nisma ligjore ka për të dështuar, siç kanë dështuar edhe nisma të tjera të qeverisë “Rama”.

Sipas tij, qeveria “Rama” nuk mund të luftojë krimin, pasi ajo bashkëqeverisë me krimin e organizuar. “Që do të zbatojë Edi Rama ndonjë ligj që godet krimin e organizuar, është si të besosh se hijena do të bëhet vegjetariane. Sa herë ka një hall të madh, Rama shpik një ligj me emër të madh. “AntiKÇK” ka për të dështuar, siç dështoi “Forca e ligjit”, sepse në krye të qeverisë është ortaku i krimit të organizuar”,- tha Bardhi.

Sekretari i PD-së solli në vëmendjen faktin se gjatë qeverisjes së Edi Ramës kanë dalë jashtë burgut kriminelët më të rrezikshëm. Ai tha se raportet ndërkombëtare e vlerësojnë Shqipërinë si bazë operacionale për krimin e organizuar. “Me Edi Ramën kanë dalë jashtë burgut kriminelët më të rrezikshëm. Me Edi Ramën, Shqipëria është shndërruar në bazë operacionale për krimin e organizuar. Me Edi Ramën nuk ka për të patur luftë kundër krimit. Ka vetëm propagandë dhe bashkëqeverisje me krimin e organizuar”,- deklaroi Bardhi.

Ditën e sotme qeveria miratoi projektligjet që synojnë se sekuestrojnë pasuritë e pajustifikuara. Gjithashtu, ligjet i japin mundësi prokurorisë dhe policisë që të arrestojnë dhe prokurorë dhe gjyqtarë që dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme.

Paketa ligjore shihet dhe si kundërvënie e reformës në drejtësi, pasi u jep autoritet më shumë sesa duhet institucioneve të tjera kundrejt institucioneve të reja që u ngritën si pjesë e reformës.