Opozita / PD do të hapet, na u grabitën mandatet dhe votimi elektronik u kthye në vegël manipulimi nga pushteti

117
Sigal

Kryetari demokrat, Sali Berisha deklaroi se PD do të hapet më tej, por tha se asaj iu grabitën mandate, ndaj do të përballet për të garantuar votën e lirë në vend.

“Ju siguroj se radioskopia do bëhet e plotë. Votëbesimi është i domosdoshëm se është ligj i statutit.

Por ne jemi forcë politike serioze. Në rast se kthehemi në prill të vitit 2021, dy ditë pas zgjedhjeve unë kam bërë një artikull, ku kam shkruar se vota vdiq pa hyrë në kuti. Dhe kam thënë një të vërtetë. Por kam kërkuar që të bëhet çdo qëmtim, çdo hetim, çdo përpjekje për të evidentuar gjithçka pësoi vota në ato zgjedhje.

Gjatë kësaj fushate, unë u kam premtuar shqiptarëve se PD do mbrojë votën, duke theksuar se nuk e mbron me armë, se mbrojtja e votës është një proces. Unë ju kuptoj ju, por e konsideroj jetike se do ishte gjëja më e pandershme nëse ne do vinim në diskutim një rezultat pa fakte, pa dokumente të padiskutueshme.

Kur them se në këto zgjedhje janë marrë mandate, ne kemi fakte të pakundërshtueshme. Shkodra ka njohur në ditën e votimit, terrorin e bashkimit të të gjitha bandave, që u bashkuan për të vendosur Shkodrën nën terror të votës. Ndonëse të gjitha pollet e nxirrnin fitimtar Bardh Spahinë, ju e patë rezultatin që doli.

Autokolona e bandave me makina të blinduara kalonte nga qendra në qendër. Velipoja u vendos në pushtim të plotë nga Pëllumb Gjoka, i cili ka një motel dhe Edi Rama dhe Olsi i japin licencë për kazino edhe pse ligji thotë duhet hotel me pesë yje. Nëse nuk qëndrojmë ndaj këtij krimi monstruoz, shanset e këtij vendi për zgjedhje janë inekzistente,”- tha Berisha.

“Nuk ka pasur asnjë pengesë legale për hapjen, por përpjekje shumë më të mëdha do bëhen për hapjen e kësaj partie ndaj vlerave më të mira të shoqërisë. Disa nga kandidatët tanë ishin të rinj dhe kanë fituar në Mirditë, në Fushë Arrëz, në Kavajë. Unë mund t’u them se përveç inkurajimit, nuk ka asnjë pengesë.

Meqë më thua për Bulqizën, unë njerëzisht u kërkoj të ndaleni pak në terrorin që është ushtruar pikërisht në Bulqizë nga banda të qeverisë. Pyet në komunitetin tënd, sa njerëzve iu janë bërë presion që të mos pranojnë të jenë komisionerë, sa qytetarëve iu janë marrë kartat e identitetit, sa invalidëve iu janë mbledhur kartat e identitetit për të mos votuar? Kandidati i Bulqizës është zgjedhur me primare dhe në këtë kontekst çdo i ri është i ftuar të përballemi me më të keqen.

Dy ishin dhunuesit më madhorë të këtyre zgjedhjeve, makineria gjigante e blerjes së votës, pronë e qeverisë dhe mafies shqiptare. E dyta ishte frika. Zgjedhjet ishin të stilit putinist. PD ka nevojë të hapet, të hapet, të hapet pa diskutim. Por nëse PD dhe opozita shqiptare, nuk përballet për të garantuar votën e lirë, të garantojë se zgjedhjet nuk do mbetet element, asnjë lloj shansi për të pasur opozita ndonjë mandat në parlamentin që vjen,”- theksoi kreu i PD.