Opozita i kërkon KQZ-së të organizojë zgjedhjet më 13 tetor

432
Sigal

Partitë e opozitës i kërkuan sot Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të nisë procedurat për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor.

Në letrën drejtuar KQZ-së,  LSI, Partia Agrare dhe ajo Republikane i kërkuan KQZ të zbatojë dekretin e Presidentit Meta, i cili caktoi 13 tetorin si datë zgjedhjesh. Sipas tyre zgjedhjet e mbajtura në 30 qershor janë të paligjshme dhe dekreti i Presidentit për caktimin e datën së zgjedhjeve duhet respektuar përsa kohë është në fuqi.

LSI, PAA dhe PR iu referuan dhe deklaratës së Misonit të OSBE/ODIHR, të cilët u shprehën:

“Zgjedhjet e 30 qershorit u mbajtën pa marrë shumë në konsideratë interesin e elektorarit. Gjërat u bënë dhe më komplekse për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ku e para është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur për kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentit.”

Në përfundim të letrës, aleatët i kërkuan KQZ-së të respektojë dekretin e Presidentit dhe të nisë sa më parë me organizimin e zgjedhjeve të 13 tetorit.

Vendimi për të dërguar kërkesën në KQZ erdhi pas takimit të partive opozitare, ku sipas BalkanWeb, kryetari i opozitës Basha ka deklaruar:

“I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmagshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje. Partitë politike, pastaj, kanë të drejtën e tyre të marrin apo jo pjesë në këto zgjedhje.” 

Një ditë më parë, Presidenti Meta i kërkoi KQZ-së dhe partive politike të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e 13 tetorit, duke i konsideruar zgjedhjet e 30 qershorit të paligjshme. Ai deklaroi se shqiptarët duhet të vendosin me votë si për kryebashkiakët, për parlamentin ashtu dhe për presidentin e tyre.

“Zgjedhjet e ligjshme shtetërore kushtetuese janë më 13 tetor. E ftoj edhe njëherë kryeministrin Rama që të reflektojë, mos pengojë zbatimin e dekretit për datë 13 tetor, ftoj KQZ dhe institucionet e tjera të mos vazhdojnë në paligjshmëri, dhe partitë opozitare që duan të marrin pjesë në zgjedhje që të regjistrohen”, u shpreh ai.exit.al