OPOZITA E BASHKUAR DJEG MANDATET E DEPUTETËVE

651
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Opozita e Bashkuar djeg mandatet e deputetëve. Mund të bojkotojë edhe zgjedhjet vendore

Demokracia në Shqipëri, në rrezik. Parlamenti kthehet një partiak, si në kohën e Monizmit

16 shkurti i 2019-s mbase do të shënojë fillimin e fundit të tranzicionit në Shqipëri. Në 16 shkurt 2019 në Shqipëri rierdhi 1991-shi, ku u përballën atëherë shqiptarët të etur për demokraci me protesta dhe greva urie për të rrëzuar regjimin komunist dhe antimitingjet, ku vullnetarët e regjimit përbetoheshin të jepnin edhe jetën për të mbajtur akoma në këmbë një shtet të kalbur. Më 16 shkurt 2016 mbi 150 mijë shqiptarë protestuan, kundër një qeverie të korruptuar ku Shqipërinë e ka shitur si plaçkë tregu me mbi 2.400 koncesione dhe tenderë publikë me 2 miliardë euro faturë financiare, që ka mbjellë papunësi, mjerim, sa ka detyruar mbi 400.000 shqiptar në 3 vitet e fundit të braktisin masivisht Shqipërinë, për të kërkuar shpresën e mbijetesës rrugëve të kurbetit. Ndërkohë, në Vlorë u organizua antimitingu, i nxjerrë nga skenarët e 1991-shit, ku “vullnetarët” e atëhershëm sot janë nëpunësit e shtetit, të mbledhur me forcën e frikës nga pushtetarët, me qëllimin për të treguar forcën e fuqinë e shtetit përballë protestuesve.

Djegia e mandateve nga opozita e bashkuar

Ndërsa qeveria e mati fuqinë e saj me numrin e pjesëmarrësve në antimitingun e Vlorës, duke injoruar pse shqiptarët protestuan në Tiranë, duke mos dashur të reflektojë, dje kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se Opozita parlamentare do të djegë mandatet e deputetëve. Ky parlament nuk i shërben më progresit, integrimit të Shqipërisë, shqiptarëve. Me këtë vendim, duket se opozita po kryen aktin e fundit politik, për të përmbushur objektin e vendosur prej saj, qeverinë tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme. Ka zëra nga opozita se edhe në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, nuk do të merret pjesë, këto zgjedhje do të bojkotohen, nëse nuk krijohet një qeveri transitore e mazhorancës, po pa kryeministër Edi Ramën, me qëllim që të bëhen edhe zgjedhje të parakohshme, mundësisht, në një ditë me zgjedhjet vendore.

Basha: Do t’i propozoj grupit parlamentar të djegim mandatet

Lulzim Basha, kryetari i PD-së, dje deklaroi: “Kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta politike djegien e mandateve të deputetëve tanë! Ju kërkoni dhe prisni që ne t’i prijmë ndryshimit. Ne kemi ndjekur të gjitha rrugët institucionale, por përballë nuk kemi një parti politike, një qeveri politike të zgjedhur nga qytetarët, për ballë kemi një bandë. Kështu nuk vazhdohet më, kupa është mbushur dhe është derdhur, thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar. ne nuk do vazhdojmë të jemi fasadë e një parlamenti. Ndaj unë jam sot këtu për t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta politike djegien e mandateve të deputeteve tanë. Që nga dje nuk ka më kthim pas. Dua t’i falënderoj sepse u bënë bashkë kundër një qeverie që vetëm i vjedh.”-tha Basha.

Reagon Monika Kryemadhi: Beteja kundër Ramës dhe bandave të krimit vazhdon

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar menjëherë, pasi u publikua vendimi i Bashës për djegien e mandatave të deputetëve, duke u shprehur se beteja kundër Ramës vazhdon. Monika Kryemadhi: Beteja kundër Ramës dhe bandave të krimit vazhdon. Nuk ka parë gjë akoma!

Edhe PDIU mbështet vendimin e Bashës: Zgjodhi zërin e qytetarëve

Edhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet përshëndet vendimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për djegie të mandateve të deputetëve për opozitën. PDIU thekson se, “Mbështesim vendimin e PD-së për t’i dhënë zgjidhje politike vendit, si i vetmi instrument që politika e përgjegjshme ka për të zgjidhur krizën shumëdimensionale që sot ka kapluar vendin, krizë politike, ekonomike, sociale dhe krizë përfaqësimi, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme dhe një qeverie tranzitore, që do të garantojë që shqiptarët të votojnë dhe të zgjedhin për herë të parë të lirë”.

Flasin për gazetën “Telegraf”

Fatmir Mediu, deputet i Opozitës: Pajtohem me vendimin e kryetarit të PD-së

Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane dhe deputet i opozitës, në një prononcim për gazetën “Telegraf” u shpreh se ai si deputet pajtohet dhe do të respektojë vendimin që do marrë PD-ja për dorëzimin e mandatit të deputetit.

Agron Duka: Unë do të respektoj vullnetin e Opozitës. Nuk do të marrim mandatet e dorëzuara

Ndoshta ju si gazetar mund t’ju kujtohet qëndrimi im fill pas zgjedhjeve të vitit 2017; si kandidat në një zonë të nxehtë si ajo e Durrësit, isha ndër të parët që denoncova tjetërsimin e votës nga paratë e pista dhe përfshirja e elementëve me rekorde kriminale. Diçka që tashmë është provuar nga hetime e Prokurorisë dhe përgjimet e “Zërit të Amerikës”. Pra, në këndvështrimin tim, Parlamenti i dalë nga ato zgjedhje nuk është legjitim. Megjithatë djegia e mandateve në këtë moment na vendos përballë disa skenarëve, të cilat kërkojnë një strategji të qartë nga ana e opozitës. Problemi i parë lind me faktin se konteksti që ne kemi denoncuar me vite nuk ka ndryshuar; pra nuk kemi as përmirësimi nga pikëpamja e infrastrukturës zgjedhore, as votim elektronik dhe as përmirësime në Kodin zgjedhor, të cilat do të përmirësonin cilësinë e Parlamentit. Ndërsa i dyti lidhet me mos ndërprerjen e marrëdhënieve midis mazhorancës dhe krimit. Përballë kësaj situate unë kam sugjeruar përherë se opozita duhet të ndiqte një strategji nëpërmjet të cilës të ndërthurte rrugën institucionale me protestat sensibilizusese për të arritur qëllimet e saj. Megjithatë, nëse Opozita parlamentare gjykon se kanë shteruar të gjitha rrugët politike, unë do të respektoj vullnetin e tyre. Edhe pse tre mandate në listat e PD-së, i takojnë kandidatëve të Partisë Agrare Ambientaliste, ne do t’i refuzojmë ato dhe nuk do të legjitimojmë këtë parlament moralisht të rënë.

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së: Krijohet ngërç politik

Prof. Dr. Kristaq Kume ish-kryetari i KQZ-së, u shpreh se deputeti mund të heq dorë nga mandati kur dëshiron, por sipas tij një fakt i tillë nuk e pengon Kuvendin që të funksionojë, pasi shumica ka mbi 71 deputetë dhe mund të miratojë ligje me shumicë të thjeshtë. Megjithatë, thotë ai, pavarësisht nga ana juridike parlamenti mund të funksionojë, krijohet një ngërç politik. “Ky veprim shpie drejt një ngërçi të madh politik, nga largimi i opozitës nga Kuvendi. Është një situatë që do të kërkojë reflektim të shumicës për të gjetur zgjidhje, të tipit radikal, që mund të bëjë opozita duke u larguar nga Kuvendi. Se si mund të realizohen zgjedhjet, a do i lihet kohë për kuadrin ligjor apo për kodin, do të jetë pjesë e asaj që do të bëjnë forcat politike”, shprehet Kume.