Open Balkan / Dita e dytë e samitit në Tiranë, marrëveshjet që priten të nënshkruhen

121
Sigal

Pritja e presidentit serb Aleksandër Vuçiç ditën e djeshme në Shqipëri nuk ka qenë e zakontë. Sali Berisha dhe lëvizja e tij zhvilluan një protestë në bulevard, para kryeministrisë, për të kundërshtuar projektin Open Balkan, takimi i radhës për të cilin mes kryeministrit Edi Rama, Vuçiç dhe Zoran Zaev mbahet sot në Tiranë.

Mbrëmjen e djeshme delegacionet zhvilluan një darkë informale në Elbasan aty ku u pritën nga kryeministri Rama. Takimi zyrtar do të zhvillohet sot, në Pallatin e Brigadave, nga ora 09:00 deri në orën 16:00.

Përveç delegacioneve nga të tre vendet, në samit do të marrë pjesë online dhe komisioneri i BE për zgjerimin dhe fqinjësinë Oliver Verheli, si dhe Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Në këtë takim do të nënshkruhen 5 marrëveshje.

Folës gjatë punimeve të samitit

-Kryeministri Edi Rama

-Presidenti serb, Aleksandar Vučić

-Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev

-Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Olivér Várhelyi

-Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu,

-Drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s, Emir Djikic

-Drejtor i Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjšek

-Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë, Marko Cadez

-Në seancë marrin pjesë edhe krerët e dhomave të tregtisë:

-Ines Muçostepa, Antoni Peshev

Marrëveshjet që do të nënshkruhen

Marrëveshja për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS).

Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS).

Në një kohë që kryeministri priste delegacionet në Elbasan, në Tiranë dje ish-kryeministri Berisha zhvilloi protestën kundër “Open Balkan”. Protesta nisi nga Partia Demokratike në orën 16:00 duke marshuar më pas drejt Kryeministrisë.

Berisha deklaroi se Open Ballkan nuk është një nismë që do të gëzojë asnjëherë mbështetjen e PD. Ish  kryeministri tha se pas kësaj proteste të parë, vala e tyre kundër qeverisë nuk do të ndalet. Në foltoren përpara kryeministrisë u ngjitën ish-presidentë, ish-ministra të jashtëm dhe deputetë të PD. Teksa në bulevard, protestuesit sfiduan shtyllat e larta dhe grisën e më pas dogjën flamurin serb.